Letër e hapur për Kryeministrin Rama: Rikthejini dinjitetin Fakultetit të Mjekësisë

620
Sigal

 Nga: Rrjeti i profesionistëve/studentëve të shkencave Bio-Mjekësore jashtë Shqipërisë

Drejtuar: z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Në dijeni të:

znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit

z. Ilir Beqja, Ministër i Shëndetësisë znj. Jera Kruja, Rektore e Universitetit Mjekësor

z. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës

Titulli: Shkencat mjekësore në Shqipëri: Rikthejini dinjitetin!

Rrjeti i profesionistëve/studentëve të shkencave bio-mjekësore që punojnë/studiojnë jashtë Shqipërisë i bën thirrje personaliteteve të sipërpërmendur të rishikojnë vendimin në lidhje me ekzistencën e Universitetit Mjekësor,Tiranë. Ne, gjithashtu, këshillojmë fortësisht si një alternativë pozitive, rikthimin e këtij fakulteti në gjirin e Universitetit të Tiranës, si një nga kryesuesit e listës së institucioneve më të mira akademike në Shqipëri duke parashtruar argumentet sa më poshtë:

Atributi kryesor që duhet të ketë një institucion akademik që edukon mjekë të rinj është aftësia për të prodhuar profesionistë ekselentë, të mirëpërgatitur në aspektin klinik dhe shkencor për t’i shërbyer me përgjegjësi morale e sociale komunitetit ku jetojnë. Në konceptin tonë, universiteti duhet të ofrojë një gamë të gjerë diturish dhe një ndër-fertilizim të disiplinave të lidhura ose jo drejtpërdrejtë me mjekësinë. Elementi kryesor i përparimit akademik për të prodhuar risi e shkencë, është jo vetëm ekspertiza e aftësive profesionale, por debati konstruktiv ndër studentë e profesorë të fushave të ndryshme. Tendenca e shumë universiteteve të Europës Perëndimore, por edhe në botë, është të bashkojnë strukturat akademike universitare mjekësore në institucione më të mëdha multi-disiplinore mendimi‐akademik.

Të ndash Fakultetin e Mjekësisë nga një prej institucioneve më të mira akademike që ka sot Shqipëria, Universiteti i Tiranës, ka në potencialin e saj pasoja të rënda të dëmtimit të reputacionit të edukimit mjekësor në Shqipëri. Historia dhe përvoja akademike përbëjnë vlerë të shtuar në identitetin e çdo institucioni akademik. Në disa prej eksperiencave tona gjatë aplikimeve për studime të ciklit të tretë (doktoraturë), universitet evropiane kanë refuzuar njohjen e diplomave si rrjedhojë e ambiguitetit në universitetin që e ka lëshuar. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë të drejtën të dinë që diploma dhe titulli që ata marrin në përfundim të studimeve respektohet dhe pranohet nga çdo institucion akademik në botë.

Gjithashtu mund të konkludojmë që mirëfunksionimi i një institucioni të tillë akademik si Universiteti Mjekësor, i përbërë tashmë nga pesë fakultete, ka kosto disa herë më të lartë se Fakulteti i Mjekësisë. Nga ana tjetër, shumë degë të quajtura fakultete në Universitetin Mjekësor, nuk arrijnë të plotësojnë kriteret për një status të tillë. Pra, jo vetëm nuk është kosto-efektiv, por ka mangësia në përmbushjen e standardeve akademike.

Shumë prej nesh, si ish-studentë të tij, dekurajojmë fortësisht, që një institucion akademik i një rëndësie të madhe sociale dhe me prurjen e studentëve më të mirë në të gjithë Shqipërinë, të bjerë pre e axhendave politike jo vetëm në gjenezën e një Universiteti fantazmë, por edhe në konfliktet mediatike të kohëve të fundit në Këshillin e Profesorëve. Shqetësimi ynë rri vazhdimisht konstant në reformën e edukimit mjekësor, si hallka kryesore e suksesit të reformës në shëndetësi.

Duke ju falënderuar për vëmendjen e përkushtuar,

Me respekt,

Rrjeti i profesionistëve/studentëve të shkencave Bio-Mjekësore që studiojnë/punojnë jashtë Shqipërisë