Sigal

Ilirian Demiri

Të gjithë e kanë mendjen për t’i mashtruar mësuesit. Me çfarë t’u vijë ndoresh. Kështu edhe hale – politikanët sot e kanë mendjen si mund t’i mashtrojnë shqiptarët, kur po përgatiten t’ua kërkojnë të shkretën votë. Veçanërisht mendjen e kanë si ta mashtrojnë armatën e mësuesve që pretendojnë t’u sjellë shumë vota. Edhe pse e dinë mirë se ata, hale politikanë nuk kanë profesion tjetër veç mashtrimit. Ashtu si në fund të vitit të kaluar, edhe një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u dhanë mësuesve të varfër sihariqin e madh të rritjes së rrogës me rreth 800 lekë. “Rritja e pagës së mësuesit do të jetë 7 për qind. Rritjen e pagës do ta përfitojnë 100 për qind e punonjësve të arsimit”, i bëri të ditur armatës së mësuesve” Kryeministri Rama. Të njëjtin refren përsëriti edhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. “Buxheti  mundëson rritjen e pagës për të gjithë mësuesit me 7 për qind”,- theksoi Nikolla. Mësuesi tashmë e di mirë se ka mbetur qenia më e mashtruar dhe më e poshtëruar. Të gjithë e mbajnë mend mirë fundvitin e kaluar, kur kryeministri dhe Ministrja Nikolla në të gjitha takimet e fundvitit me mësuesit i rrihnin supet e mësuesit duke i thënë: Në mandatin tonë të dytë, rritja e pagës tënde do të jetë 40 për qind, pra, 10 për qind në çdo vit. “Bile për vitin 2018 rritja e pagës së mësuesit me 10 për qind është miratuar edhe në buxhetin e shtetit të këtij viti”,- theksonte Nikolla  në çdo takim me mësuesit, të cilët e duartrokisnin plot gëzim. Mësuesit atëherë u besuan. Sepse edhe nuk kishin arsye të mos u besonin. Po edhe sot e gjithë ditën askujt nuk i shkoi mendja për ndonjë rritje page për mësuesin e shkretë, i cili sot ka harruar edhe pagën e 13-të, edhe shpërblimin e fundvitit. Ndërsa në bankë i plaçkitet pa e pyetur nga kjo pagë e vockël kuotizacioni për sindikatën, e cila bashkëpunon më mënyrën më të paturpshme me plaçkaxhinjtë e pseudo shtetit. Vetë mësuesit si gjithnjë heshtnin nga frika apo nga paburrëria? Hajde merre vesh nga fluturon e vërteta.

Edhe këtë radhë mësuesit duartrokitën lajmëtarët e rritjes së pagës, edhe pse me vetëm me 800 lekë. (Nëse edhe ky premtim nuk do t’i ngjajë premtimit të vitit të kaluar!!!) Edhe pse mashtrimi i fundvitit të kaluar nuk është harruar dhe nuk është fshirë nga kujtesa. Është kjo arsyeja që mësuesit duan t’i besojnë këtij premtimi, po e kanë të vështirë. A mund të të besojmë sot zoti Kryeministër, kur bashkë me Ministren tonë na mashtruat qetësisht në fund të vitit të kaluar? Duam t’u besojmë, po e kemi mjaft të vështirë. Aq më tepër që kjo rritje page, siç na thoni, do të nisë me 1 prill, bash ditën e gënjeshtrave. Ne e dimë shumë mirë, se ju politikanët tanë, të vetmen gjë që e bëni shumë mirë është mashtrimi. Pasi ndonjë rritje page ta themi tamam nuk keni bërë ndonjëherë. Bile, na hoqët pagën e 13-të që në çdo shtet kapitalist sot është e pranishme, na hoqët edhe shpërblimin e fund vitit. Gjithçka na e hoqët, pasi e dinit se mësuesi çfarë t’i bësh nuk nxjerr zë e nuk bëzan. Ndaj premtimet i keni pa doganë si t’u vijë më për mbarë. Sot me hir a me pahir, e gjithë armata e mësuesve prej afro 35 mijë mësuesve nuk u beson ju, edhe pse i është nënshtruar fatit. i është nënshtruar fatit të keq dhe nuk di të protestojë, kur tamam tamam duhet të ulërasë për nivelin e lartë të mashtrimit me të cilin e keni mbuluar prej vitesh. Ta themi të vërtetën açik, mësuesit nuk iu rrit paga as gjatë mandatit të parë të Rilindjes. Pavarësisht se u krenua që në prag të zgjedhjeve ua rriti pagën 10 për qind. Po mësuesit e dinë se, kjo nuk ishte rritje page, po mbulim I inflacionit që duhej ta kryenit çdo vit. Edhe tani e keni harruar. Ndaj mësuesit e dinë si është e vërteta, po heshtin se janë të trembur se po të flasin një fjalë menjëherë i përzënë. Është kjo frikë që i detyron mësuesit të qëndrojnë në heshtje me lojën që po luhet mbi kurrizin e tyre. Premtimi më i fundit se paga do t’u rritet në fund në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor është haptazi një premtim që u thotë mësuesve se do të fitojnë gjatë mandatit të dytë vetëm “leshtë e Currit”,- sic thotë populli. Bash “leshtë e currit” , pasi në dy vjetët e mbetura do të duhet t’u rritet paga me 33 për qind që të realizohet premtimi i rilindësve. Këtë askush nuk e con nëpër mend. Ndaj dhe mësuesit përgatiten të marrin “leshtë e Currit”  gjatë mandatit të dytë të rilindësve. Sot arsimi në këtë vendin e shqiponjave shihet sic thotë populli, një sektor përmes të cilit mund të lahet qetësisht m…ti me sh….rë. Ndaj sot mësuesit nuk i besojnë sihariqit që u kishin e dhanë Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Jo pse, afati i përcaktuar prej tyre është 1 prilli, dita e gënjeshtrave, po se sot ne shqiptarët, mes tyre edhe mësuesit, e dimë mirë se politikanët tanë dinë vetëm të gënjejnë.