Kuqi: Nevoja për bashkëpunim ndërrajonal; Thaçi: Bashkëpunimi do jetë real, jo vetëm në letër

468
Sigal

Memorandum bashkëpunimi midis drejtorisë Arsimore Tiranë dhe asaj Prishtinë

Në kuadër të bashkëpunimit ndërrajonal është nënshkruar dje një memorandum bashkëpunimi mes Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë (DART), përfaqësuar nga drejtore znj. Mimoza Kuqi dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit të Komunës së Prishtinës (DKAP), përfaqësuar nga drejtor z. Jusuf  Thaçi. Gjatë takimit drejtorja e DART, znj. Mimoza Kuqi prezantoi përpara të pranishmëve veprimtarinë e drejtorisë arsimore që ajo drejton, duke shpjeguar gjithashtu dhe prioritet e këtij institucioni të arsimit shqiptar, një prej të cilave radhitet dhe nevoja për bashkëpunim ndërrajonal. Ndërsa drejtori DKAP z. Jusuf Thaçi u shpreh se “qëllimi ynë është unifikimi i arsimit Kosovë –Shqipëri, shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet nxënësve, përqasja e legjislacioneve përkatëse si dhe shfrytëzimi i aseteve të dy vendeve”. Z. Thaçi theksoi se ky memorandum bashkëpunimi nuk do të jetë vetëm në letër, por real dhe praktik, ndërsa premtoi fillimin e bashkëpunimit që këtë verë. Gjithashtu drejtori i Arsimit Prishtinë nuk harroi të falënderonte drejtoren e DAR Tiranë, znj. Kuqi, si iniciatore të këtij bashkëpunimi.

Memorandumi

Në një prononcim për “Telegraf” drejtorja e DAR Tiranë, znj. Mimoza Kuqi, shpjegoi dhe pikat e bashkëpunimit që priten me nënshkrimin e këtij memorandumi, midis dy drejtorive arsimore. “Binjakëzimi i dy institucioneve tona arsimore; shkëmbimi i përvojave midis specialistëve; veprimtari të përbashkëta ndërmjet mësuesve dhe institucioneve arsimore në varësi të dy drejtorive; si dhe veprimtari të përbashkëta sportive, kulturore dhe të festimeve të ngjarjeve të mëdha kombëtare”, u shpreh znj. Kuqi. Por, ky memorandum nënkupton dhe përgjegjësitë e secilës palë, shprehet znj. Kuqi, pasi palët e marrëveshjes duhet të monitorojnë vazhdimisht zbatimin e objektivave të këtij memorandumi.

Pikat e bashkëpunimit

 Binjakëzimi midis DAR Tiranë dhe DKA Prishtinë

Shkëmbimi i përvojave midis specialistëve

Kalendar të veprimtarive të ndryshme të përbashkëta sportive dhe kulturore dhe të festimeve të festave kombëtare

Veprimtari të përbashkëta ndërmjet mësuesve dhe institucioneve arsimore në varësi të dy drejtorive

 Provimet e maturës/ Udhëzimi i ri i MAS penalizon rëndë administratorët

 Provimet e maturës në të gjitha shkollat e vendit do të mbikëqyren nga 3500 administratorë, të cilët nuk duhet të jenë mësues që kanë njohje me maturantët. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të gjithë personat që do të përfshihen në procesin e maturës do të firmosin një kontratë dhe në rast se vihen re shkelje, masat që merren ndaj tyre janë, jo vetëm largim nga puna, por edhe burg. Një ndër shkeljet që mund të penalizojë mësuesit që janë në funksionin e administratorit është kopjimi i maturantëve, por edhe dalja e sekretit të tezës së provimit.

 Administratorët

 Me nisjen e procesit të maturës, MAS ka shtrënguar penalizimet ndaj administruesve, duke ndryshuar nenin 36. Dhe, veç ndëshkimeve të Kodit të Punës, administratorët do të ndëshkohen edhe sipas Kodit Penal, që parashikon burgim nëse shkelen rregullat. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore, për çdo 15-20 maturantë caktohet një administrator provimi. Administratorët trajnohen dhe pajisen me manualin, ku përcaktohen përgjegjësitë e tyre, si dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse. Administratorët nuk duhet të jenë mësues të shkollës dhe të lëndës së provimit.

Të gjithë administratorët dhe sekretuesit e provimeve të Maturës Shtetërore, me urdhër të MAS kanë firmosur një kontratë, ku mbajnë përgjegjësi ligjore dhe administrative për mbarëvajtjen e procesit. Nëse në vitet e mëparshme ata firmosnin një procesverbal formal, këtë vit ata janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore, duke rrezikuar largimin nga puna, por edhe burgimin, nëse u del sekreti i provimit, lejojnë kopjimin, apo u japin kopje kandidatëve. Mësuesit të cilët janë administratorë të provimeve të maturës, janë shprehur se e kanë firmosur kontratën për zbatimin e rregullores së maturës prej 10 ditësh.

Problemi administratorëve për rastet e kopjeve u lind gjatë fazës së korrigjimit, pasi vlerësuesit e tezës mund t’i cilësojnë testet e maturantëve që ata kanë pasur nën administrim si kopje, dhe automatikisht, veç maturantit ‘digjet’ edhe administruesi. Pasi në listat emërore të regjistrimit të çdo maturanti, anash emrit të tij vihet dhe emri i mësuesit që ka funksionin e administruesit.

 Ruajtja e sekretit

 Forcimi i masave për sa i përket administrimit të procesit të maturës është një ndër pikat ku MAS ka punuar më së shumti këtë vit. Në nenin 6 të kësaj rregulloreje përcaktohet se, të gjithë personat që do të përfshihen në çdo nivel të administrimit të procesit të provimeve të maturës, duhet të deklarojnë me shkrim se nuk kanë fëmijë, nipër, mbesa, motër apo vëlla, maturant që do të japë provimet e maturës. Ndër të tjera, masa janë marrë edhe për transportimin e testeve në ambientet e provimit, të cilat do të bëhen nga Posta Shqiptare dhe Ministria e Brendshme. Ndërsa në Nenin 21 thuhet se shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve bëhet me procesverbal. Materialet e provimit tërhiqen në AKP nga personi i autorizuar i Postës Shqiptare, në prani të përfaqësuesit të autorizuar të MAS-it dhe të shërbimeve të Policisë së Shtetit, sipas një grafiku të përcaktuar. Këta persona mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e sekretit dhe sigurimin e materialeve të provimit sipas afateve të përcaktuara.