Kuotat e mbetura bosh në Universitetin e Tiranës dhe të Arteve

105

Harizaj: Të paregjistruarit humbin shansin për të qenë pjesë e universiteteve publike

Në datë 23 shtator në orën 24.00 është mbyllur regjistrimi i fituesve të listës së parë në bachelor. Nga regjistrimet paraprake që janë bërë, kanë mbetur ende kuota të paplotësuara, të cilat janë një shans më shumë për të gjithë ata që nuk janë shpallur fitues. Një tjetër shans për ata që presin listën e dytë për t’u shpallur fitues, janë edhe ata që largohen për shkak se do t’i kryejnë studimet universitare jashtë shtetit. Kandidatët që ende nuk janë fitues, janë në pritje të ndryshimet të renditjes së kandidatëve fitues për të parë nëse ata do jenë apo jo studentë të universiteteve publike në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” ka siguruar kuotat që ende janë paplotësuar për disa fakultete të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Arteve në Tiranë. Kandidatët fitues kanë pasur dy opsione. Fituesi që dëshiron të mbetet në preferencën ku është shpallur fitues zgjedh opsionin “konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Fituesi që dëshiron të provojë për preferencat më sipër preferencës që është shpallur fitues duhet të zgjedhin opsionin”vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë”.  Fituesi nuk e humbet preferencën e fituar, në rast se sistemi nuk e gjen fitues në preferencat më sipër. Në rast se sistemi e nxjerr fitues në një nga preferencat më sipër asaj, ai shpallet fitues në këtë preferencë dhe humbet preferencën e vjetër. Në rast se ai nuk kryen as njërën as tjetrën, pra nuk regjistrohet, humbet të drejtën e vazhdimit të studimeve. Pra udhëzimi është i qartë në këtë drejtim.  “Për ata që nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme udhëzimi e ka thënë saktë e qartë, që e kanë humbur të drejtën e regjistrimit në universitete publike. Ata kanë opsione të regjistrohen në part-time, në universitetet private, ose mund të presin të aplikojnë formularin A3” shprehet Alfons Harizaj, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Lista përfundimtare e fituesve shpallet më 2 tetor, ndërsa nga datat 8-13 tetor bëhet regjistrimi i të gjithë studentëve me dokumentacionin e plotësuar. “Javën e dytë të tetorit bëhet bilanci i regjistrimeve të kandidatëve fitues në universitete publike të cilët shkojnë fizikisht me dokumentacionin përkatës dhe regjistrohen. Ndërsa më pas, nga java e tretë e tetorit pritet të dalë formulari A3, për t’i dhënë një tjetër shans të gjithë atyre që mbeten jashtë dyerve të universitetit” shprehet Harizaj.

Kuotat e plotësuara nga regjistrimi paraprak

Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Mjekësisë- 17 kuota

Fakulteti Ekonomik

Financë-46 kuota

Biznes-24 kuota

Informatika Ekonomike-20 kuota

Ekonomiks-14 kuota

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Biologji-11 kuota

Bioteknologji-9 kuota

Matematikë-5 kuota

Fizikë-11 kuota

Informatikë-25 kuota

Kimi-5 kuota

Kimi Teknologjike Ushqimore – 9 kuota

Kimi Industriale dhe Mjedisore- 10 kuota

Inxhinjeri Matematike dhe Informatike -8kuota

Teknologji Informacioni dhe Kompjuteri-1 kuotë

Universiteti i Arteve

Fakulteti i Muzikës- 17 kuota

Fakulteti i Artit Skenik- 3 kuota

Fakulteti i Arteve të Bukura- 3kuota

Kule: Akreditimi të bëhet nga të huajt. Ne nuk kemi ekspertë

Akreditimi i Universiteteve publike dhe private  duhet të bëhet nga ekspertë ndërkombëtare. Ky proces është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet sa më parë. Ky ka qenë reagimi i kryetarit të konferencës së rektorëve Dhori Kule, njëkohësisht edhe rektor i UT-së i cili përshëndet nismën e Ministrisë së Arsimit, për  nisjen e akreditimeve nga e para, por propozon se vlerësimi duhet të bëhet nga ekspertë të huaj, përfaqësues të agjencive që kanë eksperiencë në këtë fushë. “Nevoja për të bërë akreditimin të institucioneve të arsimit të lartë publike dhe jo publike me agjenci të specializuara ndërkombëtare tashmë është bërë akute. Universiteti i Tiranës vazhdimisht e ka kërkuar një gjë të tillë dhe do të ishte e vetmja mënyrë që standardet cilësore të promovuara  nga subjekte individuale të testohen, të vlerësohen nga agjenci, të cilat janë të specializuara në botë.” U shpreh Kule. Rektori Kule thotë se agjencia publike e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë  nuk mund ta bëjë këtë vlerësim, pasi  në Shqipëri nuk ka ekspertë të kësaj fushe të specializuar për akreditimet. “Pa i bërë komente agjencisë tonë publike që ka parashikuar ligji, unë kam bindje dhe ata vetë e ndjejnë nevojën për të pasur një organizëm më të specializuar. Nuk ka agjenci dhe institucione struktura të specializuara në këtë fushë në Shqipëri. Me këtë rast mësojmë edhe ekspertët tanë.” tha Dhori Kule. Pas akreditimit pritet dhe renditja e universiteteve nga më i miri tek ai me një nivel të dobët .

Zbardhen fituesit e Magjistraturës 2013-2014

Shpallen fituesit e provimit të pranimit 2013-2014 në Magjistraturë. Provimi i Magjistraturës është bazuar në dy teste; në testin e inteligjencës dhe në testin profesional. Në fazën e parë kanë marrë pjesë 100 kandidatë, nga ku janë kualifikuar 62 prej tyre të cilët kanë marrë mbi 60 pikë në testin e inteligjencës. Sipas rregullit III të rregullores së provimit “në fazën e dytë do të kalojnë ata kandidatë të cilët kanë mbledhur jo më pak se 60 % të pikëve (pra, 60 pikë e lartë)”. Faza e dytë është zhvilluar në datën 18. “Gjatë provimit kanë qenë prezentë edhe organizma ndërkombëtarë, përfaqësues të OSBE-së. Të EURALIUS, Këshillit Europian etj” shprehet në një prononcim për “Telegraf”, Neshat Fana, drejtori i Magjistraturës. Më tej fana shpjegon se korrigjimi është bërë në mënyrë elektronike dhe rezultati është marrë në moment, ndërsa të pakënaqurit nga rezultati përfundimtar janë sqaruar në moment me komisionin. “Kemi patur 5 raste ankimim, të cilët kanë marrë përgjigje menjëherë nga komisionerët” shprehet Fana. Ndërsa në faqen zyrtare të Magjistraturës jepen detaje për kandidatët të cilët duan të paraqesin vërejtjet e tyre me shkrim: “Duke u bazuar në Aneksin 2, të Rregullores së Shkollës së Magjistraturës mbi “Procedurat e organizimit të provimit për seleksionimin e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës”. Kandidatët paraqesin vërejtjet me shkrim brenda tre ditëve nga shpallja e rezultateve. Pra, në datat: 25, 26 dhe 27 shtator nga ora 9:00 deri ne 13:00. Ankuesve do t’u vihet në dispozicion një sallë në ambientet e Shkollës për të parë testin në prani të një personi të caktuar nga drejtoria. Nuk lejohet fotokopjimi ose marrja e fletëve të provimit. Ankimimi bëhet kur kandidati konstaton pasaktësi matematikore ose të ndonjë lloji tjetër me karakter procedural. Nuk ka seancë ballafaqimi direkt me jurinë e vlerësimit”.