Kukës, nuk mblidhet këshilli, nuk ndahet ndihma ekonomike

603
Për mbi 6 mijë familje kuksiane nuk do të shtrohet tryeza për festën e Kurban Bajramit, pasi prej dy muajsh në bashkinë e Kukësit nuk shpërndahet ndihma ekonomike. Po ashtu edhe personat me aftësi të kufizuar nuk kanë marrë pagën për muajin gusht. Kjo për shkak se këshilli bashkiak nuk mblidhet dhe këshilltarët e partive politike nuk po gjejnë rrugën e kompromisit. Edhe mbledhja e fundit jashtë radhe, e thirrur të mërkurën, ku jo më pak se një e treta këshilltarëve kishin konfirmuar pjesëmarrjen përmes firmave të tyre, dështoi si rrjedhojë e mungesës së korumit. Sipas drejtorit të ndihmës ekonomike, Dileman Nela, kjo situatë është kthyer në një problem mjaft shqetësues, pasi shumë familje nuk kanë të ardhura të tjera, ndonëse bashkia prej kohësh ka bërë gati materialet dhe projekt-vendimet, por dështimi i mbledhjes ka penalizuar përfituesit e kësaj skeme. Në këtë mënyrë, në prag të festës së Kurban Bajramit lihen disa familje pa ushqime për shkak të moskalimit të kësaj pike, në pritje të mbledhjes së radhës. Kjo reflektohet edhe në rënien e fuqisë blerëse në tregun e qytetit. Prej kohësh edhe pse në qendër të diskutimeve janë vendime të rëndësishme për të ardhmen e Kukësit, ngërçi i krijuar në këshillin bashkiak reflektohet në mospjesëmarrje në mbledhje . Nga ana tjetër, ata të cilët e vuajnë këtë papërgjegjësi janë shtresat në nevojë në Bashkinë Kukës.
Sigal