Kualifikimi i mësuesve, 28 shkurt afati për dorëzimin e dokumenteve

816
Sigal

MAS/ Zbardhet Udhëzimi “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve për vitin 2014”

Zbardhet udhëzimi i ministres së Arsimit Lindita Nikolla për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve për vitin 2014. Për të marrë pjesë në testim, mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e punës duhet të dorëzojnë brenda datës 28 shkurt pranë Drejtorive Arsimore, formularin e aplikimit si dhe portofolat e tyre të zhvillimit profesional. Ministrja Nikolla ka vendosur që këtë vit provimet me shkrim për kualifikimin e mësuesve të zhvillohen më 3 maj, nga ora 10:00-12:30 në Tiranë. Sipas udhëzimit, në provimet e kualifikimit mund të marrin pjesë mësues të institucioneve arsimore publike dhe atyre private.

 KRITERET E KUALIFIKIMIT

1. Kandidatët për kualifikim (kandidatët) janë punonjësit e institucioneve arsimore publike dhe atyre private:

a) me diplomë mësuesie, sipas kritereve të parashikuara në nenin 57 të ligjit nr.69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë'”:

b) pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndët profesionale në shkollat e arsimit të mesëm të lartë dhe kanë kontratë individuale pune;

c) pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e muzikës, të arteve pamore ose të kërcimit;

2. Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen kandidatët, të cilët, deri më 31 dhjetor, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim:

a) të paktën 5 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues i kualifikuar”;

b) të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”;

c) të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimit “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë “mësues specialist”.

3. Duke filluar nga viti 2014 e në vazhdim, kanë (ë drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, mësuesit të cilët kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit, ku 1 ditë trajnimi është 8 orë zhvillim profesional, nga të cilat 2 orë janë seanca trajnimi. ndërsa orët e tjera janë punë individuale ose në grup për përgatitje të detyrave tematike, rasteve studimore, projekteve, eseve etj. Tre ditë trajnimi në vit kalendarik janë të barasvlershme me 1 (një) kredit.

4. Punonjësit mësimorë, të përmendur në pikën 2. që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende.

5. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në çdo vit pasardhës.

6. Punonjësit e diplomuar në fushën e mësuesisë që punojnë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, inspektoratit Shtetëror të Arsimi dhe DAR/ZA-ve përfitojnë pa hyrë në provime kategorinë e kualifikimit, nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu.

 PËRMBAJTJA E PORTOFOLIT

1. Portofoli personal përmban këto dokumente:

a) Curriculum Vitae (me fotografi)

b) Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite.

c) Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka).

d) Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja(nëse ka).

2. Portofoli profesional përbëhet nga këta elementë:

a) Një plan të plotë aktiviteti me nxënësi te një klase të caktuar,në kuadër të shkollës si qendër komunitare

b) Një test kapitulli, të një lënde të caktuar

c) Objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar).

d) Një planifikim të një mësimi model (ditar).

e) Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.

 VLERËSIMl I PORTOFOLIT

1. Komisioni i Vlerësimit të Portofolit (KVP), i ngritur nga titullari i DAR/ZA-së, vlerëson me 1-3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional, sipas kritereve të përcaktuara në udhëzim nga IZHA.

2. Kandidati, që nuk fiton të paktën 5 pikë për portofolin ose nuk dorëzon te paktën një përbërës të portofolit, nuk merr pjesë në testin e kualifikimit.

3. Kandidati fiton 5 pikë bonus në përputhje me secilin prej kritereve të mëposhtme:

a) Me diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite ECTS, Doktoratë) e fituar në fushën e mësuesisë, për mësues që janë diplomuar para Janarit 2011. Nëse diploma Master është fituar mbas muajit janar 2011, duhet të jetë e njohur me provim shteti. Diploma Master nuk përfiton pikë bonus nëse vlen si kriter shkollimi për profesionin e mësuesit.

b) Gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës për mësues që janë diplomuar para vitit 2010 ose në testime të njohura ndërkombëtarisht.

c) Nëse mësuesi kandidat ka grumbulluar të paktën 7 kredite për çdo vit të kualifikimit nga lista e programeve të akredituara;

 ZHVILLIMI I PROVIMEVE

1. Provimet me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar:

a) zhvillohen gjatë muajit prill;

b) zhvillohen në të njëjtën orë, në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga IZHA.

VLERËSIMI

1) Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisione të vlerësimit të testeve.

2) Vlerësuesi nënshkruan kontratën me drejtuesin e IZHA-s.

3) Një test vlerësohet nga një grup i përbërë nga dy vetë: një specialist i IZHA-s, ose një bashkëpunëtor i saj, dhe një mësues i lëndës që testohet.

4) Komisioni vlerëson me pikë secilën nga dy pjesët e testit dhe veçon testet e dyshuara për kopjim.

5) Pikët e kandidatit për secilën pjesë të testit vendosen në krye të fletë-testit dhe firmoset nga të dy vlerësuesit.

6) Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve i cili përbëhet nga pikët e portofolit, bonuseve, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë.

7) Kandidati vlerësohet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondon përkatësisht vlerësimit me fjalët “shkëlqyeshëm”; “shumë mirë”, “mirë” “mjaftueshëm’ dhe “dobët”.

8) Kandidati nuk e fiton kualifikimin nëse vlerësimi përfundimtar i tij është E (“dobët’) si dhe në rastin kur nuk ka fituar pikët minimale në të paktën njërën nga dy pjesët e testit.

REZULTATET E TESTIMIT

Rezultatet e testimit të kualifikimit do të përcaktojnë edhe shtesën mbi pagë që do të përfitojnë arsimtarët sipas kategorive. Për mësuesin që fiton kategorinë ‘i kualifikuar’, shtesa mbi pagë është 5 për qind, për kategorinë ‘mësues specialist’ 10 për qind dhe për kategorinë ‘mësues mjeshtër’ 20 për qind. Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS u dërgon njësive vendore arsimore shkresën për shtesën e pagës”, thuhet në udhëzim. Në provimin e kualifikimit arsimtarët do të marrin pikë të veçanta për portofolin, bonuset dhe testin.

Datat e kualifikimit të mësuesve

 Në mbështetje të Ligjit nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin Arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe Udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve” ju bëjmë me dije se:

1. Provimet me shkrim për shkallët e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2013- 2014 do të zhvillohen, më datën 03.05.2014, ora 10-12.30, në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit.

2. Programet e kualifikimit të vihen në shërbim të mësuesve kandidatë nga DAR/ZA-të, brenda periudhës 14 shkurt 2014. Programet mund të gjenden edhe në faqen zyrtare të IZHA-s.

3. Mësuesit kandidatë për provimet e kualifikimit, plotësojnë formularët e aplikimit për të marrë pjesë në procedurat e kualifikimit dhe dorëzojnë portofolat e tyre sipas profileve përkatës, brenda datës 28 shkurt 2014.

4. Listat e kandidatëve për provimet e kualifikimit, së bashku me vlerësimet e portofolit, i harton DAR/ZA (sipas formatit të IZHA-s) brenda datës 21 mars 2014.

5. Listat të shpallen publikisht dhe të qëndrojnë të afishuara në mjediset e DAR/ZA-ve gjatë periudhës 21-26 mars 2014, në mënyrë që mësuesit kandidatë të kontrollojnë të dhënat dhe vlerësimet e portofolave të tyre.

6. DAR harton listat përfundimtare (duke përfshirë edhe ZA-të përkatëse) sipas formatit të IZHA-s për hedhjen e të dhënave dhe i dërgon në formë elektronike dhe zyrtare në MAS dhe IZHA brenda datës 28 mars 2014. Pas kësaj date nuk bëhen ndryshime në listën e mësuesve kandidatë.