Kozma Gjini/ Llazar Prifti, mësuesi i divjakës, drejtues i talentuar i arsimit

589
Sigal

Sa herë që vjen 7 Marsi, mirënjohja dhe nderimi ynë drejtohen te figura e  mësuesit. I përkujtojmë e përulemi me plot respekt para tyre, sepse ata hedhën themelet e shkollës sonë, kanë sakrifikuar jetën për të “shtruar” rrugën e dijes, për përhapjen e gjuhës shqipe, për mësimin dhe edukimin e brezave, ndërtuesve të kësaj shoqërie.

Llazar Prifti

Një ndër këto figura është edhe z. Llazar Leksi Prifti. Llazari lindi më 18.02.1917 prej një familjeje me tradita patriotike dhe arsimdashëse divjakase. I ati i tij, Leksi, ishte një nga patriotët e njohur të Karatoprakut, pjesëmarrës në lëvizjen antiosmane për pavarësi dhe shkollë shqipe. Familja “Prifti” mbështeti luftën për çlirimin e vendit dhe strehoi mësuesin elbasanas, Musa Kongoli, sot dëshmor i atdheut. Pas mbarimit me rezultate shumë të mira të shkollës fillore në Divjakë, (1929), ai vazhdoi klasën e pestë në Plotoren e qytetit të Kavajës dhe më tej, (1934), fitoi konkursin për të ndjekur shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1938. Ishte i pari ndër djemtë e zonës që sfidoi mentalitetin e kohës duke vazhduar një shkollë të mesme.

Fillesat e profesionit të mësuesisë

Pas diplomimit për mësuesi, ai e ushtroi fillimisht profesionin në shkollën fillore të fshatit Tuçep Gollobordë, të n/prefekturës Dibër (1939). Në Dibër, mësues Llazari la përshtypjet më të mira të një edukatori rigoroz, punëtor, me kulturë e nivel të lartë pedagogjik, komunikues dhe rezultativ me fëmijët. Pas dy vjetësh ai transferohet në fshatin Dobrush (Skrapar 1940-42). Pasi punoi me shkëputje në disa fshatra si: Karbunarë e Krutje, në prill 1943 – qershor 1946 dha mësim në shkollën e fshatit të tij, Divjakë. Këtu mësuesi i ri kryente edhe detyrën e përgjegjësit të grupit edukativ të rinisë antifashiste, organizim që u krijua në shtëpinë e tij. Në vitin 1944 populli e zgjodhi mësues Aleksin kryetar të Këshillit Antifashist NCL  të komunës Divjakë, zonë  e cila shtrihej deri në Gradishtë. Ai e justifikoi këtë detyrë duke ushtruar ndikimin e tij për emancipimin e shoqërisë dhe veçanërisht luftimin e prapambetjes e integrimin e gruas në arsim. Po këtë vit u zgjodh edhe delegat në Kongresin e parë të Frontit Demokratik të Shqipërisë (5 gusht 1945). Llazari ishte i pari djalë i Divjakës që foli në emër të fshatarëve në atë Kuvend Kombëtar, ku diskutoi për problemet e arsimit të zonës.

Përkushtimi për ngritjen e nivelit arsimor

Mësues Llazari punoi me përkushtim të rrallë për ngritjen e nivelit arsimor e kulturor të shtresave të thjeshta të popullit, duke çelur e ndjekur me korrektësi nga një fshat në tjetrin kurset e luftës kundër analfabetizmit. Për të përballuar detyrat emergjente të shkollës, sipas udhëzimeve të kohës, përgatiti disa mësues të rinj që kishin 3-4 klasë fillore, hapi një kurs kualifikimi të mëtejshëm duke i praktikuar ata për njohjen e zbatimin e udhëzimeve për organizimin e një ore mësimi dhe i shpërndau nëpër fshatra për ushtrimin e profesionit të mësuesisë. Llazar Prifti, që në rininë e hershme të tij shfaqi tiparet e një të riu që ishte gati të sakrifikohej për përhapjen e dijes dhe të kulturës në fshat. Jetën dhe veprimtarinë vetëmohuese të masave të fshatarëve ai e pasqyroi edhe në shtypin e ditës të asaj kohe duke qenë i pari korrespondent vullnetar i  gazetës dhe i radios. Ish-nxënësit e përshkruajnë si një mësues e drejtues të talentuar, me horizont, me aftësi të dalluara organizative, mësues i aftë dhe komunikues. Problemet e arsimit i pasqyroi në revistën Arsimi Popullor. Tri ishin detyrat kryesore që Llazari angazhoi kuadrot e arsimit për t’i realizuar gjatë kësaj kohe: Përpjekjet për hapjen e shkollave të reja, zbatimin e vendimit të qeverisë për arsimin  e detyruar fillor dhe luftën kundër analfabetizmit. Në maj 1953 Llazar Prifti emërohet drejtor i shkollës (Model) në të cilën jepej përvoja metodike e mësimdhënies  për të gjithë arsimtarët e rrethit. Shkolla “Model”, (më pas “Kongresi i Lushnjës), me përpjekjet, kërkesën e bazës si dhe ndërhyrjet e këmbënguljen direkt të z. Llazar Prifti, u miratua nga ministria të kthehej në gjimnaz. Në shtator 1956 emërohet drejtor i gjimnazit  të parë të Lushnjës  (pranë të cilit u hap edhe gjimnazi i natës si dhe shkolla Pedagogjike me korrespondencë). Në vitet e fundit punoi si drejtor i shkollës “S. Libohova” e me vonë  n/drejtor i shkollës” Kongresi i Lushnjës” deri sa doli në pension në vitin 1972, kur kishte dhënë gjithçka kishte mundur, për përhapjen e dritës së diturisë dhe të kulturës, kudo që punoi. Mësuesi Llazar Prifti ndërroi jetë më 22 mars 1995, në moshën 78 vjeçare, i përcjellë me të gjitha nderimet e merituara. Për punën e tij si mësues metodist dhe organizator në hapjen e shkollave të reja, përgatitjen e kuadrove arsimore dhe në organizimin  e luftës kundër analfabetizmit, ai është dekoruar me “Urdhrin e Punës”, me “Urdhrin Naim Frashëri” (klasi i dytë) etj. Gjithashtu ai është vlerësuar me titullin “Qytetar nderi” dhe një rrugë në Lushnjë mban emrin “Llazar Prifti”.