Korrupsion me kurset private për lëndët e maturës në gjimnazet e Durrësit

589
E ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka nisur drejt shkollave të mesme udhëzimin për plotësimin e formularëve për maturantët dhe vetë këta të fundit e kanë plotësuar atë, duket se paralelisht ka nisur edhe aktivizimi i aferave korruptive me notat nga mësuesit e lëndëve të provimeve. Burime nga disa shkolla të mesme të Durrësit thanë për “Telegraf” se “mësuesit e lëndëve që jepen provim nga maturantët, kanë nisur pazaret me nxënësit maturantë, po u bëjnë atyre presione dhe u kërkojnë para në këmbim të notës, por edhe duke u dhënë ultimatum ‘të vijnë në kurse private pasdite, pasi në të kundërtën do të ndëshkohen’”. Ky realitet ka rikthyer në vëmendjen e MAS ankimet dhe denoncimet e shumta të prindërve dhe vetë nxënësve nga Durrësi në portalin “denonco korrupsionin”, ku ky qytet (pas Tiranës dhe Elbasanit) mban rekordin në faqen zyrtare të kësaj ministrie. Bëhet fjalë për aktivizimin e ofertave korruptive që kanë nisur si çdo fundvit, nga mësues të lëndëve kryesore të maturës, duke i nxitur dhe detyruar shpesh maturantët që kanë nevojë për notën e mirë dhe shumë të mirë ( pra nota 8 deri tek 10) të frekuentojnë kurset e pasdites pasi “rrezikojnë” mesataren. Lëndët e tilla si Matematika, Gjuha, Letërsia, Biologjia, Anglishtja, apo edhe lëndët e tjera vendimtare në notat e diplomës së maturës, nuk kanë ndalur kurset private, pavarësisht paralajmërimeve nga MAS. Ambiente të marra me qira apo edhe banesat e shumë mësuesve janë kthyer në vende ku çdo pasdite bëhen kurset private, duke nisur nga 5 mijë lekë, 8 mijë lekë dhe 10 mijë lekë ora, në varësi të notës. Prindërit kanë kohë që ankohen, që nisin denoncimet e tyre qoftë tek DAR, por edhe faqja on-line e MAS, duke kërkuar kontrolle dhe ndëshkime për mësuesit e pangopur me para nxënësish. Shkollat e Durrësit, 9-vjeçare dhe të mesme, kanë qenë objekti i kontrollit edhe nga vetë kreu i MAS, zonja Lindita Nikolla e cila ka kryer madje edhe sondazhe të befasishme me nxënësit, kryesisht maturantët dhe ka marrë natyrisht edhe emra konkretë mësuesish që paratë e kurseve i kanë një rrogë të dytë të majme madje prej vitesh. Por deri tani asnjë mësuese dhe asnjë masë konkrete ndëshkimore për abuzuesit dhe ata që korrupsionin e kanë legalizuar me kurset private, ata që nxënësve u bëjnë oferta 3-4 muaj para mbylljes së vitit shkollor për notat mbi 8, duke u caktuar edhe çmimet së fundi jo në lekë, por në euro. Kjo situatë është rënduar dukshëm, duke patur parasysh dhe duke përfituar edhe nga vëmendja e strukturave të shtetit ndaj çështjes “Doshi”, duke harruar se institucionet e këtij vendi kanë problematika të tjera edhe më jetike. Korrupsioni në shkolla dhe stafe mësuesish, i kombinuar me afera të ndyra që arrijnë deri tek ato me nxënësit, duhet luftuar dhe duhet marrë seriozisht nga Drejtoritë Arsimore dhe MAS. Askush nuk duhet toleruar në emër të “militantizmit” apo “kontribuuesit të partisë”, askush nuk mund të vegjetojë dhe lundrojë në para të pista, (aq më tepër mësuesit) në ato të zhvatura nga nxënësit, duke u privuar atyre të mësuarin metodik, për t’i kthyer në përfitues parazitë notash të marra prej kurseve private. Kjo situatë përsëritet çdo fundviti me maturantët në shkollat e Durrësit dhe jo vetëm atje, por masat dhe shembujt konkretë të ndëshkimit deri sot kanë munguar dhe as duket se do të bëhen ndonjëherë publikë dhe konkretë, për t’i hequr njollën e keqe shkollave dhe për të ndalur një të keqe që po shkatërron krejt sistemin arsimor tek ne.
Sigal