Klodeta Dibra“Vijojnë regjistrimet në Master, programet e reja për vitin tjetër akademik”

663
Sigal

INTERVISTA/ Flet Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, lidhur me regjistrimin e masterave,  procedurën e përzgjedhjes të kandidatëve, kuotat bosh dhe risitë për këtë vit akademik

Ka kohë që është bërë publike shqetësimi i Dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, për indiferencën deri në paligjshmëri të veprimeve të institucioneve të arsimit të lartë, në lidhje me miratimin e programeve të reja të masterit për këtë fakultet. Por, Dibra shpreson dhe beson në një reagim më serioz të Ministres së re Të Arsimit. “Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të gjithë dokumentacionin t’ia ripërsërisim Ministres së re të Arsimit dhe të Sportit, në mënyrë që të gjykohet mbi një procedurë të gabuar që është ndjekur nga Senati i Universitetit të Tiranës, nga Rektorati i Universitetit të Tiranës për kalimin e kurrikulave” shprehet Dekania e Gjuhëve të Huaja në një intervistë për gazetën “Telegraf”. Dibra shprehet se këtë vit po vijohet me programet master ekzistues dhe mendon që viti tjetër akademik do e gjejë Fakultetin edhe me programet e reja të studimit master që u propozuan, por nuk u miratuan për këtë vit akademik.

Profesoreshë, në të gjitha fakultetet, universitetet publike kanë filluar regjistrimet për Master. Fakulteti juaj ka një problematikë të veçantë, pasi keni kërkuar hapje programesh të reja masteri, të cilat nuk janë aprovuar. Atëherë, si qëndron kjo problematikë dhe si po vijon procesi i regjistrimit për master?

Lidhur me Masterin është një problem tashmë që prej muajit mars. Ne, këtë vit kishim përgatitur disa mastera të rinj që ishin mastera profesionalë me 60 kredite, një vit akademik. Kjo, për t’i dhënë më shumë mundësi një pjese të studentëve, të cilët nuk mund të rrinë dy vjet në fakultet për arsye të shpenzimeve ekonomike, duan të dalin më shpejt në tregun e punës, por këto mastera profesionalë do të përthithnin edhe studentë nga fakultete të tjera, siç do të ishin studentë nga Fakulteti i Histori-Filologjisë, nga Fakulteti i Drejtësisë, i Ekonomisë, lidhur me disa specifika që ka përkthimi në fushën e specialitetit. Ne, aktualisht, kemi masterat shkencorë që janë në rang fakulteti, pra masterin Përkthim Teknik-Letrar dhe Interpretim dhe masterin Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik që janë në rang fakulteti, pasi janë mastera me dy gjuhë të huaja, si dhe masterin e Mësuesisë për 4 departamente, për Gjuhën Angleze, Frënge, Italiane dhe Gjermane. Atëherë, shtimi i numrit të masterave është një hapësirë e re që i krijohet studentëve dhe ne kishim dy tipe masterash: Masterat profesionalë, që thashë në fushën e përkthimit letrar, në përkthimin e specialitetit, në komunikimin turistik, në komunikimin në ndërmarrje, mastera shumë të specifikuara për fusha të caktuar të tregut të punës. Dhe, njëherazi, kishim përgatitur ose rishikuar programin e Mësuesisë, duke dashur që t’i përafrohemi standardeve europiane, për të përgatitur mësues cilësor për dhënien e dy gjuhëve të huaja, pra, të dy lëndëve. Sot është një trend, që është diçka e krijuar, ose e shtyrë edhe nga politikat e shtetit për të krijuar mësues dy lëndorë, kjo edhe për një përthithje më të mirë të tregut të punës, por edhe për një riorganizim të procesit mësimor brenda të njëjtës shkollë. Kjo ishte dhe arsyeja që ngritëm një grup pune, edhe me ekspertë të huaj. Kemi pasur një fat, që vitin e shkuar të kishim në fakultet një pedagoge amerikane të Fulbright-it, pra e sjellë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që ishte specifike për mësim-dhënien e Gjuhës Angleze; kemi pasur lektoren gjermane, italiane dhe duke krijuar një grup u konsultuam shumë me kurrikulat e Finlandës, pra të sistemit arsimor të mësuesisë me Finlandën dhe Gjermaninë, ku janë mësuesit dy lëndorë të gjuhëve të huaja. Gjithashtu, edhe në dokumentet kryesore të Bashkimit Europian, lidhur me mësuesit e gjuhëve të huaja dhe propozuam një kurrikul, një program studimi 2-vjeçar Master i Shkencave për Mësues dy lëndorë. Atëherë, kishim masterat profesionalë nga njëra anë dhe këtë master shkencor të riorganizuar të mësuesisë me dy lëndë.

Atëherë çfarë ndodhi?

Ndodhi që këto u depozituan në respekt të ligjit, brenda muajit Mars në Rektoratin e Universitetit të Tiranës për të kaluar në Senat. Nuk ndodhi gjë tjetër, veçse Senati, për dy muaj e ca, e zvarriti kalimin e tyre. Mesa kuptuam, këto kurrikulat tona ishin çuar në fakultete të tjera, pranë departamentesh apo këshillash, të cilat në shkelje të plotë të ligjit dhe të kompetencave të tyre, kanë gjykuar mbi masterat tonë, gjë që është e padrejtë, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Senatit të Universitetit të Tiranës. Sigurisht, që ne nuk pritëm, por në momentin që kaluan dy muaj, duke hequr paralele të mënyrës sesi janë miratuar disa dokumente, të cilat kërkonin firmën e Ministrit, -këtu i referohem Statutit të Universitetit të Tiranës, i cili ka hyrë në fuqi pa firmën e Ministrit në ditën e 61-të, pra pas dy muajsh të plotë Statuti hyri në fuqi edhe pse duhej firma e Ministrit, i cili atë e miratoi në heshtje. Gjithashtu, në dijeninë time ka pasur kolegë po nga Universiteti i Tiranës, që ishin dekanë të cilët kanë përcjellë programe studimi direkt në Ministri të Arsimit, për t’ia kaluar dhe për t’ia përcjellë Agjencisë së Akreditimit- dhe këtë gjë bëmë dhe ne, duke ia përcjellë të gjithë dokumentacionin Ministrit dhe duke ia shpjeguar arsyen, përse ky dokumentacion i çohet Ministrit të Arsimit për t’ia përcjellë Agjencisë së Akreditimit. Shkresa e parë ka qenë që në fillim të qershorit, nuk morëm përgjigje, shkresa e dytë ka qenë në muajin korrik edhe për atë ende nuk kemi përgjigje. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të gjithë dokumentacionin t’ia ripërsërisim Ministres së re të Arsimit dhe të Sportit, në mënyrë që të gjykohet mbi një procedurë të gabuar që është ndjekur nga Senati i Universitetit të Tiranës, nga Rektorati i Universitetit të Tiranës për kalimin e kurrikulave. Po ju jap vetëm një element për të kuptuar “gafën” juridike që është bërë. Unë, në dokumentet e mia kam një vendim të Këshillit të Fakultetit Juridik, i cili jashtë të gjitha kompetencave që i jep Statuti dhe ligji, gjykon një vendim të Këshillit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Them “gafë”, se ata janë juristë dhe një gafë të tillë nuk duhet ta bënin, mund ta prisja një gafë të tillë nga ndonjë institucion tjetër, por jo nga Fakulteti Juridik. Unë disponoj një Vendim të Këshillit të Fakultetit Juridik, që merr vendim mbi vendimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Nuk ka ndodhur  ndonjëherë, prandaj them që është një shkelje, është një sjellje tendencioze ndaj Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe  fatkeqësisht, kjo pasojë bie mbi studentët dhe mbi stafin, të cilët kanë muaj të tërë që kanë djersitur për të përgatitur këto kurrikula. Sigurisht, që studentët ne nuk i lëmë pa master. Ne masterat i kemi, dhe luftën do ta vazhdojmë. Këto mastera profesionalë që ne kemi përgatitur, do të futen vitin e ardhshëm, do të vazhdojmë me ato që kemi pasur. Vazhdon ende regjistrimi i studentëve për masterin, kështu që, nuk është se nuk ka mastera, masterat janë, por deshëm që krahas këtyre tre masterave, të kishim dhe mastera të tjerë.

Cila është përzgjedhja që i bëhet kandidatëve për të hyrë në master, kriteret?

Atëherë, studentët e masterit, në pjesën më të madhe të tyre janë studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, po kemi prurje edhe nga universitetet e rretheve. Pra, kriteri i parë është tipi i diplomës Bachelor, duke pasur parasysh që duhet të jetë një diplomë e një fushe të gjuhëve të huaja dhe kriteri i dytë është mesatarja, gjithmonë duke pasur parasysh numrin e kuotave. Zakonisht, është një pjesë e madhe e studentëve që e kanë fituar të drejtën e masterit dhe kriteret janë të përcaktuara, ato që ne kemi bërë në kërkesën për hapjen e programit të Masterit, ne i mbetemi gjithmonë korrekt të asaj që është miratuar dhe e akredituar nga Agjencia, pra kriteri i parë është tipi i programit, lloji i diplomës Bachelor dhe kriteri i dytë është mesatarja.

Ndërkohë, jemi në pragun e fillimit të vitit të ri akademik. Sapo mbaroi regjistrimi paraprak, faza e parë. A ngelën kuota të parealizuara?

Po, kanë mbetur vende bosh në të gjitha gjuhët, siç ndodh rëndom, ka ndodhur dhe në vitet e mëparshme, kështu që i gjithë dokumentacioni është përcjellë nëpërmjet Rektoratit në Agjencinë e Provimeve dhe presim tani fazën e dytë përfundimtare, e cila duhet të startojë nga fundi i kësaj jave. Ka një fazë të regjistrimit dhe në fazën e dytë, që është faza përfundimtare, nga data 7 deri në datën 16 tetor ka regjistrim të studentëve. Pra ai që ka fituar në fazën përfundimtare dhe rezulton fitues në një nga degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ka detyrimin për t’u regjistruar. Në momentin që nuk regjistrohet, humbet të drejtën e statusit të studentit për degën që ka dalë fitues. Pra, duhet medoemos që studenti të vijë të bëjë regjistrim në javën e parë deri në datën 16 tetor, pasi pas kësaj date, i gjithë dokumentacioni i regjistrimit, pra numri total i studentëve që janë regjistruar, përsëri kalon në Agjencinë e Provimeve dhe në momentin që do të kemi vende bosh pa regjistruar, atëherë ajo është faza e hapjes së formularit A3.

Risi e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Dibra: Fillojnë studimet Bachelor part-time

Këtë vit, risi që ka fakulteti është dhe diploma Bachelor part-time. Kemi shumë kërkesa, kemi njerëz që vijnë e interesohen dhe që duan ta bëjnë studimet në sistemin part-time, gjuhët e huaja. Kemi hapur 4 gjuhë: Gjuha Angleze, Italiane, Frënge dhe Gjermane. Ka dhe kandidatë që vijnë, të cilët kanë mbaruar në vitet 2000-2003 maturën, por aty ka një handikap, se kandidatët nuk e dinë dhe një pjesë e tyre po kthehen mbrapsht, pasi duhet medoemos të japin dy lëndë me zgjedhje, por fatkeqësisht, për këtë periudhë shkolla e mesme e ka mbyllur sezonin e vjeshtës. Kështu që, automatikisht, këta nuk mund të jenë pjesë e aplikimit, pasi ata, por dhe ne e kemi marrë vesh në momentin që erdhi udhëzimi i MASH. Ndoshta vitin tjetër duhen bërë më parë sqarimet, në mënyrë që ata të cilët duan të ndjekin duhet medoemos fakultetin tonë, duhet të japin provimet me zgjedhje. Pra, maturantët, të cilët e kanë mbaruar maturën para hyrjes të maturës shtetërore të lëndëve me zgjedhje, e kanë detyrim ligjor që duhet t’i japin këto provime.