Klithma e Universitetit/ Ligji për Arsimin e Lartë cenoi autonominë, pasi Bordet e Administrimit kaluan në dorë të MASR, duke krijuar konfliktin student – dekanat. Në raport me nivelin e jetesës, familjet shqiptare paguajnë 4 herë më shumë se ato evropiane

588
Sigal

Klithma e Universitetit, shkaqet që po e “rrënojnë” atë

Ligji për Arsimin e Lartë cenoi rëndë autonominë, pasi Bordet e Administrimit kaluan në dorë të Ministrisë së Arsimit, duke vënë në konflikt të hapur studentët me drejtuesit e universiteteve

Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, një peshë gati katër herë më e lartë se e familjeve evropiane në vitin 2017

Tre vite pas zbatimit të saj, reforma në arsimin e lartë ka rezultuar aq defektoze, sa ka detyruar mijëra studentë dhe pedagogë të kërkojnë nëpërmjet protestave në rrugë ndryshimin e ligjit, i cili, përveçse rriti tarifat me rreth 40% për studentët, ka shtuar problematikat në lidhje me administrimin e universiteteve dhe ka rritur korrupsionin. Hallkat shtesë të krijuara në ligjin e ri dhe rritja e kontrollit të qeverisë ndaj arsimit të lartë kanë shtuar burokracinë në marrjen e vendimeve dhe administrimin financiar të universiteteve, duke u bërë shkak për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në infrastrukturën dhe cilësinë e universiteteve, në vend të përmirësimit të saj. Nëse një departamenti i duhen pajisjet më të thjeshta, karrige ose tavolina, me ligjin e ri duhet të ndjekë një rrugë të gjatë për sigurimin e tyre që kalon nga Senati Akademik, Rektori dhe më pas te Bordi i Administrimit që vendos nëpërmjet Administratorit. Me ligjin e ri të 2015-s, qeveria ka rritur kontrollin mbi universitetin, thotë Redi Muçi, pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë. Administrimi i Universitetit të Tiranës bëhet nga një Bord Administrimi me 7 anëtarë. Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor përcakton se, numri i anëtarëve dominohet nga institucioni, që siguron masën më të madhe të financimit për universitetin. Në rastin konkret, 70% e financimeve sigurohen nga qeveria dhe 30% nga universitetet. Ministria e Arsimit ka të drejtë të ketë shumicën në bord, i cili merr vendimet financiare për investimet në infrastrukturën e universiteteve dhe ekzekuton buxhetin e tyre. Duke qenë se shumica e anëtarëve në bord nuk kanë lidhje me universitetin, për rrjedhojë vendimet e tyre kanë qenë larg nevojave që ka universiteti, tha Klement Qerimi, pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Me ligjin e vjetër për arsimin e lartë, që i takonte vitit 2007, organet drejtuese dhe administruese në institucionet publike të arsimit të lartë ishin senati akademik, rektorati, këshilli i administrimit, këshilli i etikës dhe këshilli i fakultetit ose institutit, të cilët zgjidheshin edhe me votat e studentëve dhe pjesë e universitetit. Studentët dhe pedagogët pohojnë se forma e re e administrimit ka rritur korrupsionin në universitete. Për çdo mbledhje, Bordi i Administrimit që dominohet nga qeveria shpërblen anëtarët e saj me 35,000 lekë për mbledhje, ndërsa vendos të blejë mjete dhjetëfish me çmime më të larta se të tregut. Olti Rrumbullaku, Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, thotë se reforma fshiu dhe e bëri zero demokracinë e fakulteteve me heqjen e këshillave të fakulteteve. Bordet e administrimit me ligjin e ri, varen nga ministria dhe më e rëndësishmja, për një vendim duhen shumë miratime njëkohësisht dhe shumë rrallë merret ndonjë vendim, shton ai. Çdo gjë bllokohet lehtë. Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se ndryshimet ligjore në arsimin e lartë ishin një krim i paralajmëruar. Që në krye të herës, akademikë e specialistë, kërkuan që ky ligj të mos miratohej, pasi do të kishte probleme të mëdha. Zoti Mehmeti tha se qeveria dhe posaçërisht kryeministri Rama, dëgjoi vetëm veten, miratoi një ligj të keq, i cili, kishte këto të meta në parim: I referohej një sistemi krejtësisht të ndryshëm nga ai shqiptar, sikundër ishte ai britanik.

Nga 2013 në 2018, tarifat për studimet e larta janë rritur 45%

Tarifat e studimit në arsimin e lartë janë rritur në mënyrë të dukshme gjashtë vitet e fundit me shumë se 40% për të gjitha nivelet e studimit, por rritja më e fortë është aplikuar për tarifat master. Sipas të dhënave zyrtare në vitin akademik 2012-2013, një master shkencor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës kushtoi 174,720 lekë, ndërsa në vitin akademik 2018-2019 kushtoi 252,000 lekë. Rritja e tarifës është 44%. Po në këtë masë, tarifat janë rritur për të gjithë masterët shkencorë dhe profesionalë në të gjitha fakultetet. Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, tarifat e masterit shkencor janë rritur me 44% në raport me vitin akademik 2012-2013. Për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tarifat janë rritur me 40%, në Fakultetin e Drejtësisë me 44%, në atë të Politeknikut me 57%. Tarifat në Universitetin Bujqësor në Tiranë janë rritur me 23%. Në nivele të ngjashme, tarifat janë rritur edhe për studimet master. Shqipëria renditet ndër vendet evropiane me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në vitin 2016. Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të larta për arsimin në Evropë. Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, një peshë gati katër herë më e lartë se e familjeve evropiane në vitin 2017.

Reforma nul

Reforma ishte një kompromis i të gjitha palëve që të merrnin përfitimet e tyre, përveçse studentëve dhe pedagogëve. Kompromis që të kishte më shumë përfitime ministria, universitetet private dhe të ruheshin, deri në njëfarë mase, favoret e drejtuesve, thotë Olti Rrumbullaku, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, reforma fshiu dhe e bëri zero demokracinë e fakulteteve me heqjen e këshillave të fakulteteve. Bordi i Administrimit me ligjin e ri rriti varësinë nga Ministria dhe shtoi më tej mase burokracinë për marrjen e vendimeve. Çdo gjë bllokohej shumë lehtë. Për shkak të kësaj situate, që kur ligji i ri hyri në fuqi, buxheti i Fakultetit të Ekonomisë për investime është i bllokuar gjatë gjithë këtyre viteve, pasi rektori nuk ka rënë dakord me Bordin, tha Rrumbullaku. Kjo mënyrë funksionimi në universitet, e krijuar nga bordet e administrimit që varen nga ministria, ka bllokuar të gjitha investimet në bazën materiale të universiteteve, teksa e ka bërë të pamundur ecjen përpara për kërkimin shkencor. Klement Qerimi, nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit thotë se, arsimi në të gjitha nivelet po vuan nga mungesa e vizionit. Por ndryshimet ligjore të vitit 2015, të ashtuquajtura Reformë shkallmuan përfundimisht pavarësinë në universitet, teksa kostot e studimeve kaluan mundësitë për shumicën e studentëve, tha zoti Qerimi. Sipas tij, cilësia është shkallmuar teksa propozimet e profesorëve për të rritur mesataren e pranimit në shkencat ekzakte nuk është pranuar nga strukturat që drejtojnë universitetin. Pedagogët thanë se reforma nuk mund të quhet aspak e tillë përderisa universitetet dhe diplomat që dalin prej tyre nuk kanë lidhje me tregun e punës. Pedagogët mendojnë se ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë u lobuan nga universitetet private dhe jo nisur nga vizioni për zhvillimin real të kësaj hallke të rëndësishme të arsimit.

Bordi i Administrimit, njësia e re që komprometoi autonominë e Universitetit

Ndryshimet ligjore të vitit 2015 për arsimin e lartë zëvendësuan Këshillat e fakulteteve që zotëroheshin nga universiteti me Bordin e Administrimit, i cili varet nga Ministria. Ky Bord përbëhet nga shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme. Anëtarët janë përfaqësues të universitetit dhe të Ministrisë. Kuotat ndërmjet tyre zgjidhen në varësi të raporteve të Financimit. Aktualisht katër anëtarë i ka Ministria e Arsimit, dy universiteti, dhe një Bashkia e Tiranës. Universiteti ka më pak anëtarë, pasi siguron vetëm 30% të të ardhurave në buxhetin e arsimit të lartë. Ligji kërkon që kontrolli mbi universitetin të jetë nga ai që siguron financimi dhe në rastin konkret është qeveria. Mandati i anëtarëve të Bordit është pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, prej listave të propozuara nga institucioni i arsimit të lartë. Nëse institucioni siguron vetë 50% ose më shumë të buxhetit afatmesëm, katër prej anëtarëve janë përfaqësues të universitetit dhe tre janë përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Në rastet kur institucioni siguron vetë më pak se 50% të buxhetit afatmesëm, tre prej anëtarëve janë përfaqësues të IAL-së dhe katër janë përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Gjatë vitit të kaluar, buxheti i arsimit të lartë arriti në 10 miliardë lekë, nga të cilat 6.9 miliardë lekë ishin financime të buxhetit qeveritar dhe 3 miliardë lekë (ose 30%) ishin financim nga tarifat universitare. Ky raport ka qenë në këto nivele që kur ndryshoi ligji në vitin 2015, duke bërë që qeveria nëpërmjet Ministrisë së Arsimit të marrë totalisht kontrollin në universitete. Duke qenë se senati Akademik kontrollohet nga rektori dhe kryesisht anëtarë që zgjidhen nga universiteti dhe Bordi i Administrimit kontrollohet nga qeveria është krijuar një ngërç në vijimësi për mënyrën e ndarjes dhe përdorimit të buxhetit për universitetin, duke i degraduar shpenzimet për paga dhe duke lënë pas dore investimet në infrastrukturë dhe në menaxhimin shkencor. Disa pedagogë pohojnë se qeveria, nëpërmjet bordit të administrimit, po përdor politikisht universitetin, pasi janë miratuar disa vendime që kanë ulur ngarkesën mësimore për pedagogët aktualë, duke shtuar personel akademik, pa cilësi dhe në këtë mënyrë duke rritur shpenzimet për paga në mënyrë të padrejtë.

Pse nuk mund të vetëfinancohet universiteti shqiptar

Shqipëria ka nivelin më të ulët të popullsisë me arsim të lartë në raport me vendet e rajonit, por në raport me vetveten, arsimi i lartë u përball me një masivizim të skajshëm në dy dekadat e fundit. Në vitin 2017, universitetet numëronin 129,394 studentë nga 28,331 të tillë që ishin në vitin 1995, duke u rritur me mbi 350%. Kulmi i rritjes ishte në vitin 2014, kur numri i studentëve arriti në 173 mijë. Masivizimi i shpejtë i arsimit të lartë nuk u mbulua dot me cilësi dhe për më tepër nuk u orientua bazuar në nevojat reale të tregut të punës. Për shkak të rritjes së numrit të studentëve, shpenzimet për arsimit i lartë u rritën, ndaj pas viteve 2000 nisën të aplikohen tarifat. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në vitin 2017, të ardhurat nga tarifat e studentëve ishin pak më shumë se 3 miliardë lekë dhe shënuan një rënie me 9% në raport me vitin 2016. Teksa financimi nga buxheti i shtetit është rritur. Buxheti për arsimin e lartë ishte 10 miliardë lekë gjatë vitit 2017, nga të cilat 6.97 miliardë lekë u financuan nga buxheti i shtetit dhe 3 miliardë lekë nga tarifat. Financimi nga tarifat zuri 30% të buxhetit të arsimit të lartë. Edhe pse tarifat e arsimit të lartë janë rritur me rreth 20% pas vitit 2015, të ardhurat totale prej tyre kanë shënuar rënie, për shkak se numri i studentëve ka ardhur në rënie.

Arsimi i nën/financuar

Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD jepnin në atë kohë. Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% e PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit. Vitin e kaluar, sektori i arsimit u financua në 3.1% të PBB, por në fakt, fondet e akorduara nuk janë harxhuar të gjitha, pasi sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit financimet reale kanë qenë poshtë 3%. Financimi pritet të jetë në të njëjtin nivel edhe këtë vit. Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Arsimit, mësohet se 1% e PBB, nga 3.1%, financohet nga pagesat e familjarëve nëpërmjet tarifave direkt. Përqindja e financimit të familjarëve u rrit dukshëm pas rritjes së tarifave në arsimin e lartë pas vitit 2015. (tarifat që paguajnë familjarët derdhen në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, që më pas i rishpërndan për nevojat e veta). Sipas një analize të fundit të United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO), Shqipëria vijon të ketë financim të ulët për arsimin në raport me PBB në raport me vendet e tjera të kontinentit. Historikisht, në Shqipëri, shpenzimet e qeverisë për arsimin kanë qenë të ulëta dhe gjatë 15 viteve të fundit mbeten kryesisht nën 3.5% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1 – 3.3% e PBB-së më 2018-2019 do të zbresin në 3% në 2020 dhe 2021. Shqipëria u rendit e fundit në rajon për shpenzimet dedikuar arsimit vitin e kaluar. Shqipëria shpenzoi 3.1% të PBB-së për arsimin, teksa vendet e tjera të rajonit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së. Blerina Hoxha