Klasa të mbipopulluara dhe mungesë tekstesh, edhe për këtë vit shkollor

712
Sigal

Durrës/ Rritet numri i nxënësve, emigrantët dynden të regjistrojnë fëmijët në shkolla

Në Durrës konstatohet se përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor 2014-2015 nuk ka vijueshmëri normale. Ashtu si edhe viti i kaluar, risia e këtij viti të ri shkollor, mbetet rritje e numrit të nxënësve në shkolla, kjo pasi mjaft familje emigrantësh po vijnë dhe po regjistrojnë fëmijët e tyre me shpresën për t’u kthyer përgjithmonë në atdhe. Burimet nga DAR thanë për “Telegraf” se “për shkollat dhe sistemin arsimor në qarkun e Durrësit, ky vit i ri shkollor do të nisë me probleme, nxënësit do të pajisen me libra, por shkollat janë akoma me probleme për krijimin e kushteve normale të zhvillimit të mësimit, duke iu referuar shifrave të raportuara, ndërsa ditët e fundit mbi 300 familje emigrantësh kanë kërkuar të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat e qytetit”. Prurja është shumë e madhe dhe ndoshta numri i tyre do të dyfishohet në ditët në vazhdim”.Sipas të njëjtit burim, gjimnazet “Leonik Tomeo”, “Olsi Lasko”, “Gjergj Kastrioti”, kanë tashmë profilin e tyre, kurse në shkollën “Naim Frashëri” po rregullohet sistemi i kanalizimeve të shkollës dhe rrjeti i ujit. Ndërkohë, dy kopshte po rikonstruktohen bashkë me ambientet e tyre të çlodhjes. Sipas një VKM-je, të gjithë prindërit do t’i marrin librat e fëmijëve në shkolla. Në të gjitha shkollat e Durrësit janë lajmëruar nxënësit, se ku do t’i tërheqin librat dhe kush janë titujt e shtëpive botuese që janë miratuar për çdo shkollë. Në çdo shkollë janë të afishuara titujt e librave sipas çdo klase. Shpërndarja e librave do të nisë në shkolla dhe do të vazhdojë blerja e tyre nga prindërit. Puna e arsimtarëve ka nisur me regjistrimet në shkolla, por problematike situata është në arsimin e mesëm, ku ka edhe dyndje të madhe nxënësish dhe konkretisht për disa arsye; e para, t’i orientojmë nxënësit në arsimin profesional që të dalin me një profesion. Gjithashtu, problem mbetet rajonizimi i saktë i nxënësve brenda bashkisë së Durrësit, ku ka shkolla. Sërish këtë vit do të ketë klasa të mbingarkuara, numri i nxënësve për çdo klasë do të jetë deri në 40 veta. Përpos numrit të nxënësve që kanë mbaruar klasat e nënta, këtë vit në shkollat e Durrësit po kthehen emigrantë për të jetuar në vendin e tyre. Deri tani, në shkolla kanë ardhur mbi 300 emigrantë për të regjistruar fëmijët nga klasa e parë deri në gjimnaz. Mbingarkesa është shumë e madhe në shkollat e mesme, ndaj po finalizohet ngritja e një shkollë e re të mesme në Kënetë. Ndërtimi i shkollës do të normalizojë situatën.

 

Problemet me tekstet shkollore

Edhe për vitin e ri shkollor 2014-2015 ka shumë probleme me tekstet shkollore dhe kjo po konstatohet në të gjitha shkollat e arsimit të detyrueshëm dhe atij parauniversitar. Të gjithë fëmijët do të pajisen me librat shkollorë në ditën e parë të mësimit, ndaj DAR Durrës ka urdhëruar që deri në orët e vona të natës libraritë të ushtrojnë shpërndarjen e teksteve, pasi vitet e tjera nuk kanë munguar edhe radhët e gjata. Prindërit kërkojnë nga DAR të ndërhyjë me masa ligjore, duke penalizuar cilindo që abuzon me shitjen e librave shkollorë. Por, edhe këtë fillim viti në të gjitha shkollat e mesme dhe të arsimit të detyrueshëm, problem është mbingarkesa në klasa e sidomos në arsimin e detyrueshëm. Nga 40 nxënës për klasë janë regjistruar në arsimin e detyrueshëm. Por edhe shkollat e mesme kanë të njëjtin problem të theksuar, megjithëse vitet e fundit janë ndërtuar shkolla të mesme dhe 9-vjeçare. Projektet dhe fondet për shkolla ka patur, por janë djegur si pasojë e mungesës së gjetjes së truallit nga bashkia dhe disa komuna. Në libraritë që menaxhohen nga privatët ka mbërritur pjesa më e madhe e teksteve shkollorë, por sërish vërehen mungesa e një ose më shumë teksteve për çdo klasë, shqetësim, i cili bëhet i ditur si nga prindërit e fëmijëve, ashtu edhe nga librashitësit.

 Arsimi profesional, në rrugë pa krye

Arsimi profesional ka qenë dhe mbetet në rrugë pa krye në sistemin arsimor në Durrës. Në kuadrin e krijimit të kushteve sa më bashkëkohore për mësimdhënien, Këshilli i Qarkut të Durrësit pretendon se “po shkon drejt krijimit të një shkolle profesionale e cila do të plotësojë nevojat për punonjës të kualifikuar në bazë të kërkesave të tregut të punës”. Kjo iniciativë ka gjetur pasqyrim në një VKM, e cila e ka kaluar arsimin profesional në vartësi të pushtetit vendor. Çdo vit në qarkun e Durrësit janë rreth 7 800 nxënës të cilët përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Ata janë kryesisht kontigjente të komunave e bashkive periferike të Durrësit. Pikërisht, për të arsimuar këtë kontigjent është vendosur ngritja e një shkolle profesionale, degët e së cilës do të vendosen në bazë të kërkesave të tregut të punës në Durrës. Të tilla degë mund të jenë ajo e artizanëve të prodhimeve specifike të Krujës apo e restauratorëve të monumenteve të kulturës në Durrës, e peshkatarëve si dhe e degëve të tjera për të cilat tregu ka nevoja të ngutshme. Drejtoria Rajonale e Arsimit në Durrës ka dështuar deri sot për rikthimin në shkolla të qindra fëmijëve që rezultonin të shfrytëzuar ekonomikisht nga familjarët apo të afërmit e tyre. Por, gjithsesi, për këtë vit të ri shkollor synohet rikthimi i tyre në klasa, atje, ku mësojnë edhe bashkëmoshatarët e tyre, duke synuar lehtësimin ekonomik të familjeve të tyre.

ARTUR AJAZI