Kaos në fakultete, sistemi prej miliona eurosh del jashtë përdorimit

1272
Sigal

Dështim, panik dhe parregullsi në Fakultete: Miliona Euro për një sistem që nuk funksionon

‘Historia Ime’ / Mos funksionimi i portalit studentor ka krijuar panik dhe parregullsi në regjistrimin në provime. Çmimet e kripura, taksapaguesit dhe “sheikët” e universiteteve Publike

Portali i Studentit është sistemi i menaxhimit informatik në Universitetin e Tiranës. Ky sistem duhet të ofronte për studentët një sërë shërbimesh online si regjistrimi në provime, publikimi i notave, regjistrimi për provimet e mbartura apo ato për përmirësim, llogaritja e mesatares dhe e krediteve. Që prej korrikut të vitit 2017, për arsye ende të paqarta ky shërbim nuk funksionon, duke i detyruar studentët të kthehen vite pas, tek regjistrat me shkrim dore në sekretari.

 

Mosfunksionimi i portalit studentor ka sjellë pasoja si për studentët po ashtu dhe për sekretaritë e Universitetit të Tiranës (UT).

Jashtë kamerave sekretaret shprehen se fluksi i regjistrimeve gjatë periudhës së sezonit përballohet me vështirësi: “Normalisht që kur funksiononte sistemi gjithçka për ne ishte shumë më e lehtë, atëherë studenti njihej vetë me historikun, me datat, me notat, me çdo gjë që kërkonte, ndërsa tani të gjitha këto na duhet t’i bëjmë ne. Jemi kthyer 10 vite pas. Edhe atëherë çdo procedurë bëhej në po të njëjtën mënyrë që po bëhet edhe sot në mungesë të funksionimit të sistemit”

Studentët: Mos funksionimi i portalit studentor ka krijuar panik dhe parregullsi në regjistrimin në provime

‘Historia Ime’ pyet studentët e Universitetit të Tiranës mbi problemet që lidhen me mungesën e Portalit Studentor. Ata ngritën një sërë shqetësimesh, duke theksuar se zgjidhja që fakultetet kanë gjetur, është regjistrimi automatik i studentëve në të gjitha provimet. Zgjidhje kjo, që është në kundërshtim me vullnetin e studentëve dhe rregulloren e Universiteteve.

Asnjë njoftim nga Fakultetet për mbylljen e “Portalit Studentor”

Një vëzhgim i bërë nga ‘Historia Ime’ tregon se në asnjë nga adresat zyrtare online të Fakulteteve të UT nuk është publikuar një njoftim për mos-funksionimin e portalit. Madje në adresat e fakulteteve të Ekonomisë, DrejtësisëHistori-Filologjisë dhe Shkencave Sociale hapësira dedikuar “Portalit Studentor” gjendet aty edhe pse nuk funksionon.

Fotogaleri: Adresat zyrtare të Fakulteteve, vijojnë promovimin e Portalit Studentor – Shërbim që nuk funksionon prej një viti

Në kohën kur sistemi ishte funksional, Fakultetet i pajisnin studentët me një kod personal përdoruesi me të cilin kishin mundësi të krijonin profilin e tyre dhe të menaxhonin të dhënat që lidhen me studimet. Sot, studentët që e kanë një kod nuk mund ta aksesojnë sistemin as nga kompjuterët e tyre personal sepse ai ka rënë totalisht. Një tregues i mungesës së vullnetit për ta rivënë në punë sistemin është se studentët e rinj në Fakultetet e UT nuk marrin asnjë kod personal në fillim të vitit.

Asnjë njoftim nuk është publikuar as nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, edhe pse ka thuajse një vit që studentët nuk e marrin këtë shërbim.

Miliona Euro për një sistem që nuk funksionon

Një sistem miliona eurosh, i cili financohet nga taksat e qytetarëve dhe tarifat e studentëve, tanimë ka dalë tërësisht jashtë funksionit.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi thotë se problematika mbi dështimin e sistemit është ngritur shpesh herë në mbledhjet me rektoratin e Universitetit të Tiranës, por ende nuk është gjetur një zgjidhje. “Na kanë thënë se është problem teknik dhe për t’u rregulluar duhet bërë një tender tjetër.” Probleme teknike të sistemit janë hasur dhe më parë, por ato kanë gjetur zgjidhje shpejt dhe sistemi i është kthyer funksionimit të tij normal, pa u dashur të bëhet blerja e një tenderi tjetër.

Rektorati i Universitetit të Tiranës, në shkelje të ligjit për Informimin Publik, nuk i ka vënë në dispozicion të Programit të Transparencës online kontratat e lidhura për krijimin dhe mirëmbajtjen e sistemit informatik. Ne ju drejtuam me një kërkesë për informacion Rektoratit të UT për të siguruar të dhëna më të thelluara mbi kohëzgjatjen e kontratës së lidhur midis UT dhe kompanisë dhe sa ka qenë investimi i bërë mbi ngritjen dhe vendosjen në funksion të këtij sistemi. Rektorati është përgjigjur me detaje të përgjithshme mbi datat e nënshkrimit dhe realizimit të kontratave me kompanitë “BNT Electronics” dhe “INTECH+” për instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemit informativ, por refuzon deri tani të tregojë deri tani se cili ka qenë investimi i bërë për këtë shërbim.

Megjithatë një përllogaritje e informacionit të pjesshëm që gjendet në Programin e Transparencës së UT dhe transaksionet e thesarit, kemi bërë një përllogaritje të parave të shpenzuara.

Universiteti i Tiranës ka kontraktuar dy kompani “BNT Electronics” dhe “Intech+”, për mirëmbajtjen e sistemit të informatizimit. Në Programin e Transparencës së UT gjejmë se më 22 Qershor 2015 transaksioni i bërë nga Universiteti i Tiranës ka vlerën prej 49 milion e 680 mijë lekë (me TVSH) vetëm për mirëmbajtjen e sistemit, me përfitues dy kompanitë e lartë përmendura.

Ndërsa në Open Data gjejmë se vlera e shpenzimeve të kryera nga UT për periudhën 5 Maj 2015 deri më 26 Maj 2017 për mirëmbajtjen e pajisjeve të zyrave, që përfshin blerjen e pajisjeve elektronike, instalimin e sistemit të kompjuterëve dhe mirëmbajtën e sistemit të kompjuterëve me përfitues vetëm kompaninë “BNT Electronic”, arrijnë shifrat e 115 milionë e 28 mijë e 803 lekëve. Pas kësaj date nuk gjendet më asnjë informacion mbi shpenzimet që UT bën për sistemin informative apo për pajisjet elektronike.

Ngërçi mes drejtuesve për paratë e UT po paralizon institucionin

Sipas një raporti të ndërmarrë nga Qëndresa Qytetare mbi “Monitorimin e autonomisë dhe transparencës të universiteteve publike” është vënë re se shpenzimet e Universitetit të Tiranës, i cili është dhe universiteti më i madh publik në Shqipëri, për periudhën Shtator 2017- Prill 2019 janë rreth 4.5 herë më pak se Universiteti i Durrësit dhe 3 herë më pak se Universiteti i Elbasanit. Kjo situatë mendohet të ketë ardhur si pasojë e ngërçit të krijuar ndërmjet Rektorit dhe Bordit të Universitetit të Tiranës, e cila u shoqërua edhe me protesta për pagat e pedagogëve.

Periudha e monitorimit në të cilën është reflektuar dhe ky ngërç ndërmjet Rektorit dhe Bordit, përkon me periudhën e ndërprerjes së funksionimit të sistemit informativ.

Ndërkohë që sezoni i provimeve po përfundon, dështimi i një investimi prej disa miliona eurosh i ka lënë sërish në baltë si sekretaritë e fakulteteve po ashtu dhe studentët.