Jovan Kristiqi:Alterteksti një sukses, s’kuptoj si ngrehet një “furtunë në një gotë ujë”

584
Sigal

Intervistë/ Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit:Libri shkollor në procesin e fundit të shtypjes

Libri shkollor tani është në procesin e fundit të shtypjes. Në fillimin e gushtit fillon shpërndarja në të gjitha rrethet e Shqipërisë, ndërsa procesi i shitjes do të fillojë dy javë para fillimit të shkollës. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, këshilltari i Ministrit të Arsimit, z. Jovan Kristiqi. “Ne kemi nxjerrë rreth 25 tituj dhe 25 tituj të tjerë do t’i nxjerrim sivjet, kështu që gradualisht dhe kjo mangësi e teksteve shkollore do të mbyllet” shprehet Kristiqi për tekstin e shkollës profesionale. Ndërsa tregon që edhe këtë vit do të vijojë subvencionimi i shtresave në nevojë. Kurse, përsa i përket reformës së Altertekstit, këshilltari i Ministrit thotë se ajo nuk është e nevojshme, pasi çdo vit janë bërë përmirësime të vazhdueshme. Por e vetmja gjë që çalon është se botuesit nuk duan të bashkëpunojnë me Postën Shqiptare, përsa i përket shpërndarjes, pasi nuk ka korrektësi dhe kjo shkakton probleme me të cilat përballet më pas MASH. Ndërsa përsa i përket një raporti të SOROS-it për altertekstin, Kristiqi shprehet se MASH nuk ka dijeni për një raport të tillë dhe se sipas tij kemi të bëjmë me njerëz inkopetentë që s’dinë as të lexojnë paketën ligjore që shoqëron Altertekstin për çdo vit. Kristiqi shpreh të njëjtën dhe për një letër ankese në drejtim të Altertekstit nga Avokati i Popullit. Për të, të gjitha këto janë “furtunë në një gotë ujë”.

Z. Kristiqi, ku jemi me procesin e librit shkollor, a kanë dalë librat nga shtypshkronjat?

Të gjitha shtëpitë botuese kanë marrë porositë qysh në muajin maj nga drejtoritë e shkollave dhe mbi bazën e këtyre porosive ato kanë filluar shtypjen e tyre. Sigurisht, që tani janë në procesin e fundit të shtypjes. Në fillimin e muajit gusht ato do të fillojnë shpërndarjen nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë, ndërsa procesi i shitjes do të fillojë dy javë para fillimit të shkollës. Domethënë, nëse shkolla fillon në datën 15 shtator, shitja do të fillojë jo më vonë se data 2 shtator. Shitja sigurisht është një ekskluzivitet i shtëpive të botimit, ato mund t’i shesin në librari përpara kësaj date ose në shkolla. Po në datën 2 shtator, detyrimisht të gjithë titujt duhet të jenë hedhur në shitje.

A kemi ndonjë mungesë titulli?

Nuk kemi absolutisht asnjë mungesë të ndonjë teksti, qoftë të lëndëve bazë, qoftë të lëndëve me zgjedhje, që bëhen në arsimin e mesëm.

Po në shkollat profesionale?

Për shkollat profesionale, sigurisht ky është viti i dytë që ato do të jenë me tekste. Ndoshta jo përfundimisht, sepse numri i titujve të tyre është jashtëzakonisht i madh, numri i tirazhit është shumë i vogël. Megjithatë, ne kemi krijuar shtëpinë botuese shtetërore që merret me këtë dhe i nxjerr këto tekste me një çmim të arsyeshëm, sigurisht duke u bazuar te subvencioni i shtetit. Në këtë tip shkolle nuk funksionon teksti alternativ. Këtu është një tekst unik për shkak të shpenzimit dhe kostos tepër të madhe që ka ky tekst. Kështu që të gjitha drejtoritë e këtyre shkollave profesionale, i marrin këto tekste në shtëpinë botuese shtetërore dhe pastaj i shpërndajnë në shkolla vetë. Pra në arsimin profesional nuk ndërhyn procesi i altertekstit, flasim gjithmonë për titujt e teksteve profesionale, jo për titujt e teksteve të kulturës së përgjithshme.

Pse del kostoja e lartë?

Po sepse do të duhet të botosh një tekst me 70 copë dhe të botosh një tekst me një tirazh të tillë kaq të vogël, çmimi i tekstit del jashtëzakonisht i lartë. Kështu që këtë subvencion e ka marrë përsipër shteti dhe i bën me anën e kësaj shtëpie botuese. Kjo ka qenë arsyeja që për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë, për 16 vjet, arsimi profesional mbeti pa tekste. Ndërsa duke filluar nga viti i kaluar, ne kemi nxjerrë rreth 25 tituj dhe 25 tituj të tjerë do t’i nxjerrim sivjet, kështu që gradualisht dhe kjo mangësi e teksteve shkollore në kulturën profesionale do të mbyllet.

Meqë jemi te subvencionimi, a do të subvencionohen dhe këtë vit për librat shkollorë, familjet në nevojë?

Ky është një proces i vjetër dhe çdo vit ato janë subvencionuar dhe të gjithë i kanë marrë paret e subvencionit. Vitin e kaluar, shteti ka paguar mbi 3 milion dollarë në subvencionin e fëmijëve të shtresave në nevojë. Sigurisht edhe sivjet është e njëjta procedurë, fillimisht shtresat me asistencë ekonomike do t’i blejnë librat, ndërsa pastaj do të subvencionohen. Subvencioni kryhet nga muaji tetor dhe përfundon në fillim të muajit mars. Nga viti i kaluar ne nuk kemi absolutisht asnjë ankesë që dikush nuk i ka marrë këto lekë, vetëm ata që nuk kanë dashur vetë dhe nuk kanë shkuar ta marrin pranë postave qendrore, shtresat që i përkasin vendimit të këshillit të ministrave. Ndërsa për sa i përket librave të shkollave minoritare dhe për romët ata e kanë marrë direkt paketën e librave pa qenë nevoja që të paguajnë.

Diku jeni shprehur që alterteksti ka nevojë për reformë.

Jo, nuk e kam bërë absolutisht këtë deklaratë, kam thënë që ka nevojë për përmirësime të vazhdueshme dhe vazhdimisht këto 3-4 vitet e fundit ne kemi bërë përmirësime të vazhdueshme në altertekste. Për ç’arsye? Se çdo vit nxjerr dobësi të ndonjë procesi. Ja për shembull, deri tani i vetmi proces delikat që mbetet, është procesi i shpërndarjes, se në Shqipëri nuk ka kompani të mirëfilltë të shpërndarjes së librit, me përjashtim të Postës Shqiptare. Mirëpo, botuesit nuk kanë dëshirë të bashkëpunojnë me Postën Shqiptare për shumë arsye që ata i dinë më mirë, sidomos në kthimin e librave. Nuk është se shitet i gjithë kontingjenti i librave, një pjesë nuk shitet dhe duhet të kthehet. Këtu ka mosmarrëveshje me Postën Shqiptare. Kështu që, ky është një proces i copëtuar në rrethe të ndryshme dhe ne na krijon vështirësi, qoftë ndonjë vonesë në ndonjë titull, edhe qoftë për distributorë që ndoshta nuk janë të ndërgjegjshëm në detyrën e tyre, nuk i kthejnë reston botuesit, sepse marrëdhëniet janë kontraktuale midis tyre; distributorëve, shpërndarësve dhe botuesve. Por që të them që reforma e altertekstit duhet të ndërrohet, në asnjë mënyrë nuk kam bërë një deklaratë të tillë.

Po për sa i përket një raporti të SOROS-it që flet për dështimin e Altertekstit?

Po, edhe për këtë raport të SOROS-it e marr vesh nga gazetat që qenkërka “Altertekst 2012”. Se çdo vit ka një paketë ligjore, është një dokument voluminoz në Ministrinë e Arsimit me titull “Paketa Ligjore Altertekst, (në vitin përkatës)”, për shembull për shtatorin e këtij viti kemi Altertekstin 2013, që është në funksionim. Të gjithë Drejtoritë Arsimore Rajonale, të gjithë mësuesit, të gjithë drejtorët e shkollave kanë dy dokumenta në shkollë që janë të detyruar ta zbatojnë dhe që paraqesin politikën shtetërore të shtetit shqiptar. Këto dy dokumenta janë; paketa Altertekst e atij viti dhe katalogu i teksteve shkollore. Përsa i përket këtij raporti të SOROS-it që përflitet, ne kemi pasur një raport të tij për vitin 2010. Kemi diskutuar me ata, kemi rënë në marrëveshje dhe pastaj ne s’kemi absolutisht asnjë dijeni për një raport që u bëka nga njerëz inkopetentë, nuk e marr vesh, aty u flitka për përzgjedhjen, sesi u bëka përzgjedhja. Dihet që përzgjedhja bëhet nga mësuesit, sipas një akti ligjor, i përcaktuar plotësisht në këtë dokument tepër transparent që është i shpallur në website-n e MASH dhe rri një vit të tërë në rubrikën Altertekst, kushdo mund ta hapë, mund ta lexojë, mund ta shikojë të gjithë procedurën që bëhet dhe jo pak, por janë gati 18 faqe ku flitet për këtë problem. Dhe nuk arrij të kuptoj sesi ngrehet një “furtunë në një gotë ujë”. Pra ne nuk kemi dijeni absolutisht.

Kristiqi: Avokati i Popullit ngatërron çështjet, por unë i jap përgjigje për ato që shkruan

Bile kisha dhe një letër nga Avokati i Popullit. Nuk e marr vesh pse Avokati i Popullit po përzihet me këtë punë, një herë. Sigurisht që ne i dhamë përgjigjen ligjore, por nuk arrij të kuptoj këtë dhe po e quaj pikërisht “furtunë në një gotë ujë”, në lidhje me këtë problem.

Për çfarë ankohej Avokati i Popullit?

Për përzgjedhjen e teksteve që është fare e qartë që e bën mësuesi i shkollës, komisionet lëndore të shkollës. Për mospjesëmarrjen e prindërve në këtë përzgjedhje, kur aty është një akt ligjor sesi bëhet. Sigurisht, ne nuk marrim mendime se çfarë thotë njëri apo tjetri, ose fjalë gazetash sesi bëhet, kur çdo prind mund të shikojë procesin e përzgjedhjes, por prindi nuk ka të drejtë vote në këtë proces. Një pyetje tjetër, ishte kualifikimi i mësuesve për procesin e përzgjedhjes. Ishte një pyetje absurde, sepse mësuesi nuk është një injorant, një fillestar që ta përzgjedhin për tekstin që duhet të përzgjedhë dhe të bëj një kualifikim. Ai thjesht merr dijeni sesa tekste alternative ka lënda e tij dhe këtë dijeni e ka thjesht nga katalogu dhe pastaj si rregull duhet ta lexojë këtë alternativë, por edhe po s’e lexoi është problemi i mësuesit, sepse ai përzgjedh dhe ka të drejtë ekskluzive për të përzgjedhur tekstin. Këto tre probleme kishte. Në ka ndonjë tjetër unë nuk kam dijeni, se thoshte “e të tjera”, por se cilat janë këto “e të tjera”, unë këtë nuk e di. A, në ngatërrojnë problemet është gjë tjetër, mund të ngatërrojnë vlerësuesit me përzgjedhësit, po unë i jap përgjigje ashtu si e shkruajnë. Këtu flitet për përzgjedhje tekstesh dhe ky është një proces komplet transparent, të paktën nga ana ligjore dhe dokumentacioni ligjor i Ministrisë së Arsimit. Në rast se kjo degradohet poshtë, ajo është një problem tjetër pastaj, dhe aty mban përgjegjësi gjithsecili vetë. Po nuk ma merr mendja se mësuesit e Shqipërisë janë të degraduar në këtë mënyrë, saqë detyrimisht duhet të pyesin shefin e madh, Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit etj. Ka plot mësues që kanë integritetin e duhur, ashtu siç jeni dhe ju gazetarët që vërtetë keni një drejtor, por ka gazetarë që kanë integritetin e vet dhe shkruajnë atë që mendojnë.