Jovan Kristiqi: Ja ndryshimet e sistemit të ri arsimor dhe e vërteta për shkurtimin e numrit të mësuesve

720
Sigal

 INTERVISTA/ Flet Jovan Kristiqi, këshilltari i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, për ndryshimin e sistemit arsimor

 Hartimi i kurrikulave për sistemin e ri arsimor që do të aplikohet në arsimin shqiptar është drejt përfundimit. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Jovan Kristiqi, këshilltari i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Sipas zotit Kristiqi, këto ndryshime u diktuan si pasojë e disa mangësive që janë vërejtur në kurrikulën aktuale. Sidomos në klasat e para deri në klasat e nënta. Ndërkohë që, kurrikula e re, do të unifikohet edhe me sistemin arsimor të Kosovës. Ndërsa në lidhje me shkurtimin e numrit të mësuesve, zoti Kristiqi, ka hedhur të gjitha zërat poshtë dhe bën të ditur se, nuk do të ketë asnjë shkurtim të numrit të mësuesve.

 -Zoti Kristiqi, pritet që të ketë ndryshime në sistemin arsimor bazë, më konkretisht, ku konsistojnë këto ndryshime?

-Në ligjin e ri për arsimin parauniversitar që u miratua në muajin qershor të vitit të kaluar, flitet për ndryshime të kurrikulës për sistemin arsimor shqiptar parauniversitar. Këto ndryshime u diktuan si pasojë e disa mangësive që janë vërejtur në kurrikulën aktuale. Sidomos në klasat e para deri në klasat e nënta. Deri më tani kjo kurrikukul nuk ka qenë në një lidhje të plotë  të një kohezioni të plotë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Kështu që u desh një lidhje e plotë. Për këtë qëllim janë ngritur grupet e punës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe kanë dy vjet që po punojnë për këtë. Dhe tani e tërë kurrikula është në përfundim, pra i tërë sistemi parauniversitar po plotësohet me një kurrikul të plotë sistemi nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Pra, ky sistem përfshin kornizën kurrikulare, përfshin standardet e nxënësve, përfshin planin mësimor dhe së fundmi përfshin programet mësimore. Domethënë kjo kurrikul është bërë për herë të parë e plotë dhe kjo i është nënshtruar gjykimit të masës së mësuesve, të masës së Drejtorive Rajonale dhe ne jemi pothuajse në përfundim të këtij procesi.

-Çfarë elementesh të tjerë janë përfshirë në hartimin e kësaj kurrikule?

-Po, në hartimin e kësaj kurrikule është pasur parasysh që kjo kurrikul të unifikohet edhe me atë të arsimit të mesëm të ulët të Kosovës. Domethënë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Dhe janë ngritur grupet e punës që të shikojnë të gjitha mundësitë për unifikimin e kësaj kurrikule. Tani janë në diskutim kryesisht pikat që kanë të bëjnë me planin mësimor, e cila është dhe pjesa më e vështirë. Përsa i përket pastaj programeve mësimore, këto dalin si rrjedhojë e planeve mësimore. Janë ngritur po ashtu grupe punë që po shikojnë planë të përbashkëta. Pa këtë punë bashkëvepruese nuk mund të dilet tek teksti shkollor. Që të hartohet një tekst shkollor, detyrimisht duhet të kesh një program dhe mbi bazën e këtij programi hartohet teksti. Ne jemi në përfundim të të gjithë kësaj punë.

-Kur do të aplikohet sistemi i ri shkollor, a do të jetë i gatshëm ai për vitin shkollor 2013-2014?

-Jemi në fazën që akoma nuk është miratuar kjo kurrikul plotësisht. Por kjo është në fund të diskutimit dhe është e mbaruar. Por kjo kurrikul kërkon dhe disa ndryshime të tjera që janë mjaft të rëndësishme. Ndryshimet duhen bërë në fakultetet që përgatisin mësues. Kjo kurrikul e re futet në vitin 2015-2016.

-Është folur që do të ketë edhe ndryshime në lëndët mësimore që do të bëhen në sistemin e ri arsimor. Çfarë lëndësh do shtohen dhe çfarë lëndësh do hiqen?

-Do të futen edhe lëndët më zgjedhje. Më konkretisht do të jetë kurrikula bërthamë dhe kurrikula e lëndëve me zgjedhje. Në arsimin 9- vjeçar do të futen dy gjuhë të huaja të detyrueshme. Si gjuhë e parë e detyrueshme do të jetë anglishtja, por nuk përjashtohet mundësia në shkolla të veçanta të jetë edhe një nga gjuhët e tjera të huaja si: italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, etj. Po ashtu do të futen edhe lëndë të integruara nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë, që përfshin bllokun e shkencave natyrore dhe bllokun e shkencave shoqërore. Domethënë kurrikula nga njëshi tek gjashta kryesisht ka lëndët: Matematikë, gjuhën shqipe dhe letërsinë, ka lëndët e integruara të shkencave natyrore, lëndë të integruara të shkencave shoqërore, ka njohuri nga arti që janë kryesisht muzika, vizatimi dhe disa elementë të tjerë siç mund të jenë kërcimi dhe teatri. Dhe njëkohësisht ka edhe njohuri për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Pra ka ndryshime të dukshme në krahasim me kurrikulën e vjetër që është e pranishme edhe për momentin. Ndërsa nga klasa e shtatë deri në të nëntën aty dilet me lëndë të veçanta. Njëkohësisht kemi edhe lëndë të veçanta.

-Në media kryesisht është folur për reduktim të numrit të mësuesve, a është e vërtetë kjo?

-Jo, është më shumë një keqinterpretim, ose një keqinformim, por unë mund të ju them që nuk do të ketë asnjë shkurtim të numrit të mësuesve në sistemin e ri që do të aplikojmë ne. Pra nuk ka reduktim të mësuesve pasi orët javore do të mbeten të pandryshuara. Dhe duhet të dimë që mësuesit punojnë me një numër të caktuar orësh në javë, dhe kryesisht është nga 22-24 orë mësimi në javë. Pikërisht është ngarkesa javore e një klase që nuk ka ndryshuar. Me 30 orë ishte ngarkesa javore e klasës së nëntë, me 30 orë është edhe tani kjo ngarkesë me sistemin e ri që ne duam të aplikojmë. Madje është shtuar edhe ngarkesa javore në klasën e tetë dhe është bërë me 30 orë dhe ajo. Ndërsa cikli i ulët nga 1 deri në 6, sado që të jetë ngarkesa javore nuk ndikon, sepse aty do të ketë çdo mësues për klasë. Kështu që edhe në këtë drejtim të shkurtimit të numrit të mësuesve nuk ka asnjë gjë të vërtetë. Por duke filluar që nga klasa e gjashtë deri në të nëntën nuk do të ndryshojnë dhe kjo nuk do të sjellë ndryshime të tilla.

-Duke qenë se do të ketë ndryshime në kurrikulat e arsimit parauniversitar, a do të pasqyrohen këto ndryshime edhe në maturat e mëvonshme shtetërore. A ka ndonjë plan për ndryshime të mëtejshme?

-Kurrikula e Maturës Shtetërore është një kurrikul e re. për herë të parë ajo erdhi tek matura e vitit të kaluar, ishin të kurrikulës së re. Kështu që nuk pritet ndonjë ndryshim i shpejt. Ndërsa përsa i përket rregullave të maturës shtetërore ato janë fleksibile dhe është dhe në vëmendjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që këto rregulla të forcohen dhe provimet të jenë të drejta dhe të ndershme. Dhe lufta jonë kryesore edhe ajo ndaj kopjimit. Mbasi është një masë tepër e madhe nxënësit rreth 45 mijë dhe ne mundohemi që të jemi tepër ekzogjen ndaj këtij fenomeni që mund të dëmtojë procesin e maturës shtetërore. Matura shtetërore ka bërë mjaft përmirësime duke filluar që nga digjitalizimi i saj, dhe qëkur ka filluar kjo maturë nuk mund të gjesh në Shqipëri një diplomë false.

Reduktimi i lëndëve për sistemin e ri

Reduktimi i lëndëve është pikërisht nga klasa e parë deri në të gjashtën. Ky reduktim i lëndëve është bërë sepse janë vendosur lëndët e integruara. Pak a shumë të lëndës së diturisë së natyrës. Ka elementë të edukimit të karrierës, që nuk e kemi pasur deri më tani. Përsa i përket ngarkesës mësimore, unë mund të them që nuk do të ketë. Sepse orët javore nuk do të shkurtohen, ato do të mbeten po të njëjtat me kurrikulën e vjetër. Janë pikërisht orët javore të një klase që përcakton edhe numrin e mësuesve.

-Sistemi i ri arsimor, do sjelli ndryshime edhe për fakultetet që përgatisin mësues

-Së pari arsimi fillor shkrihet deri në klasën e gjashtë. Pra do të jetë ai sistemi 6 plus 3 që është karakteristikë pothuajse e të gjitha vendeve evropiane. Për këtë duhet një reformim i mësuesve të ciklit të ulët dhe një reformim i programeve mësimore të universiteteve që përgatisin këto mësues, siç është Universiteti i Elbasanit, i Korçës apo edhe universitete të tjera që përgatisin mësues të shkollave fillore. Pra edhe programi i këtyre universiteteve është në procese të reformimit. Pra ashtu siç e përmenda edhe me lart kjo kurrikul e re do të futet në vitin shkollor  2015-2016. Dhe kjo është lënë për atë vit me qëllim që t’u lihet kohë edhe fakultete që përgatisin mësues. Por nëse ne do të jemi gati, ne mund ta aplikojmë këtë sistem të ri arsimor edhe në vitin 2014-2015.

Qeveria përjashton nga tarifa vitit akademik disa kategori

Në mbledhjen e djeshme qeveria miratoi vendimin për të përjashtuar nga tarifa e shkollës së lartë për vitin akademik 2012-2013 disa kategori. Pika 9 e vendimit nr.420, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2012-2013, si dhe studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, studentët të cilëve njëri nga prindërit u është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si “familje në nevojë”, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijët e policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit”.