Jovan Kristiqi: “Futja e kulturës homoseksuale në kurrikulat arsimore, rrezik për minorenët”

585
Sigal

Flet z. Jovan Kristiqi, Këshilltari i ish -Ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj për kurrikulat arsimore dhe altertekstin

Këshilltari i ish -ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj, z. Jovan Kristiqi, është kundër futjes së kulturës së homoseksualizmit në kurrikulat mësimore. “Unë personalisht do të isha shumë i rezervuar, pasi edhe mosha për të cilën bëhet fjalë është relativisht e vogël dhe delikate, po flasim këtu për nxënës nga klasat e para në të dymbëdhjetën”, shprehet për “Telegraf” z. Kristiqi. Tashmë raporti që sugjeron përfshirjen në kurrikulat dhe programet arsimore të informacioneve rreth komunitetit LGBT  është marrë në dorëzim nga Kuvendi në fillim shkurtin e këtij viti. Ishte kjo një iniciativë e Avokatit të Popullit. Sipas Totozanit, shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për pasione homofobike, përkundrazi, ka ardhur koha që ajo të hapë një dialog dhe debat qytetar për të drejtat dhe liritë e këtij komuniteti, duke dhënë në këtë mënyrë mesazhin e një shoqërie të hapur dhe të përparuar, e cila e pranon diversitetin. Institucioni i Avokatit të Popullit mendon se ekziston një nevojë e fortë për të rishikuar programet dhe materialet mësimore, jo vetëm në Shqipëri, ku rregullat mësimore të mos jenë të njëanshme, diskriminuese dhe denigruese, por në mbrojtje dhe mbështetje të komunitetit LGBT, në çdo vend ku ata jetojnë dhe organizohen. Por ky inicim nuk ka marrë dakordësinë dhe pëlqimin e të gjithëve.  Kështu, z. Kristiqi shprehet kundër përfshirjes në kurrikulat arsimore të elementëve shtesë që lidhen me informacione rreth LGBT-së. “Futja në kurrikulat mësimorë të kulturës homoseksuale për mua është shumë e nxituar, është shumë e parakohshme. Në raste të tilla, unë personalisht do të isha shumë i rezervuar, pasi edhe mosha për të cilën bëhet fjalë është relativisht e vogël dhe delikate, po flasim këtu për nxënës nga klasat e para deri në të dymbëdhjetën. Çdo cikël shkollor ka kurrikulën e vet dhe duhet parë me kujdes futja e temave të reja, sidomos kur në realitetin tonë shqiptar këto tema, deri pak kohësh, mos të them ende dhe sot janë tabu. Ndaj mendoj dhe një herë që duhet treguar shumë kujdes në futjen e këtyre elementeve të reja në kurrikulat arsimore”, shprehet z. Kristiqi.

ALTERTEKSTI

Reforma e altertekstit po rishikohet rrënjësisht. Ndaj dhe në arsimin parauniversitar nuk do të ketë më tekste të reja për këtë vit shkollor, kanë deklaruar përfaqësuesit e MAS-it. Reforma e altertekstit ka qenë dhe ndër më të përfolurat përsa i përket reformave të ndërmarra në arsimin shqiptar. Por, sipas Kristiqit, alterteksti nuk mund të rrëzohet dot. “Shumë e quajnë altertekstin një reformë të dështuar. Por arsimi shqiptar është fytyrëzuar me altertekstin dhe them se nuk mund të rrëzohet dot”, shprehet Kristiqi. Ai tregon më tej se po të ishin ende në pushtet, e vetmja gjë që do të ndryshonin në Altertekst do të kishte të bënte me cilësinë. “Siç edhe Matura Shtetërore ka vend për përmirësime, ashtu dhe alterteksti mund të përmirësohet, por kurrsesi mund ta rrëzosh atë”, shprehet këshilltari i ish- ministrit Tafaj.

Numri i teksteve

Ndërsa përsa i përket numrit të alterteksteve, Kristiqi shprehet se aty mund të kemi rishikime. “Është në dorë të Ministrisë së Arsimit të filtrojë tekstet dhe t’i përmirësojë ato”, shprehet ai. Kristiqi mendon se Ministria e Arsimit duhet të marrë edhe mendimin e prindërve. “Unë vetë kur kam qenë në detyrën e këshilltarit të ministrit kam marrë në e-mail-in tim shqetësimet e dy prindërve për një tekst shkollor. Pasi u konsultova, vura re që shqetësimet e tyre ishin të drejta dhe në këto kushte e ribëmë nga e para atë tekst. Ministria e Arsimit duhet të vërë disa filtra, por më shumë t’u marrë mendimin më shumë mësuesve, sesa prindërve, se pastaj do të kthehemi në populizëm”, tha Kristiqi.

Teksti unik

Që me fillimin e reformës së altertekstit vështirësia dhe problematikat më të mëdha kanë qenë në numrin shumë të madh të teksteve. Ka pasur mendime edhe për kthimin e tekstit unik. Në lidhje me këtë, Kristiqi shprehet se “shkolla shqiptare e ka provuar tekstin unik edhe më parë. Gjithashtu kemi tashmë dhe eksperiencën e altertekstit. Nuk besoj se kanë shenja krahasimi”. Gjithsesi për të nuk është teksti që bën gjithçka. “Në shkollë është mësuesi që bën gjithçka. Kështu, mësuesi duke pasur shumë dritare të hapura (tekste të ndryshme), atëherë edhe mësimin e bën më të plotë, edhe vetë është gjithmonë në kërkim të alternativave për ta bërë më interesante orën mësimore. Unë nuk jam dakord me tekstin unik, sepse e bën mësuesin skllav të tekstit” shprehet këshilltari i ish ministrit të arsimit.

Tregu i altertekstit

“Unë mendoj se tregu i tekstit shkollor duhet të jetë i lirë”, shprehet Kristiqi. Ndërsa shumë specialistë mendojnë se teksti shkollor duhet t’i rikthehet shtetit, të monopolizohet prej tij. Pasi sipas tyre asnjë subjekt tjetër, përveç shtetit, nuk mund të ketë dhe nuk do ta ketë ndjeshmërinë publike për të prodhuar tekstin shkollor më të mirë. Ktristiqi është kundër, sepse sipas tij, nëse godasim altertekstin, do të jetë me pasoja financiare. “Ky treg është privatizuar tashmë dhe ndërmarrjet shtetërore që funksiononin më parë janë shpërbërë. S’ka më rikthim prapa”, shprehet Kristiqi