Jonida Cungu: “Mësuesit që do zhvillojnë kurse private, do lenë radhët e arsimit”

654
Sigal

Intervistë/Drejtoresha e DAR Elbasan, znj. Jonida Cungu: Thelbi i reformave, një arsim cilësor, dinjitoz e bashkëkohor

Në një intervistë për “Telegraf” drejtoresha e re e DAR Elbasan, ka renditur disa prej problematikave që ka sot arsimi në atë qark, por edhe motivimin për të vazhduar reformat në sektorin që ajo drejton, duke premtuar vlera, arritje e progres, për të ringritur figurën e mësuesit dhe imazhin e shkollës.

  Zonja  Jonida, jeni përzgjedhur mes disa kandidaturash me konkurs të hapur për drejtoreshë e DAR Elbasan, duke marrë maksimumin e votave nga komisioni. Çfarë do të thotë kjo për ju?

 Është një vlerësim për mua, që unë të drejtoj një nga vlerat e këtij qyteti që mbetet arsimi. Edhe pse kandidaturat e kolegëve në konkurrim ishin dinjitoze, besoj se komisioni, por edhe komuniteti  i mësuesve,  nuk do të ndjehet  i zhgënjyer  nga përzgjedhja ime, sepse  nga gjatë kohës që unë do të jem drejtuese  e Drejtorisë Arsimore, do të japë vlerat më të mira që mua më karakterizojnë si, ndershmëria, përkushtimi dhe dashuria për arsimin.

 Cila është situata dhe cilat janë problematikat me të cilat jeni përballur qysh ditën e parë si drejtoreshë e DAR ?

 Arsimi në Elbasan ka problematikat e veta, ashtu sikundër në të gjithë vendin. Ka probleme në infrastrukturë, sidomos në zonat rurale. Ka një dyndje kërkesash për punësim, ndërkohë që mundësitë nuk janë të mëdha.

  Zonja  Jonida, një vlerësim për reformat e deritanishme në sistemin arsimor dhe si e shikoni ecurinë e tyre në të ardhmen ?

 Arsimi ynë tashmë ka ndryshuar profilin e tij si rrjedhojë e reformave të thella strukturore dhe kurikulare që janë projektuar, krahasuar me shumë vite më parë. Në këtë drejtim, janë bërë përmirësime të dukshme në arsim, përmes tërësisë së reformave të ndërmarra. Por është e dukshme që ka vend për përmirësime dhe ndryshime të mëtejshme. Besoj se synimi për një arsim më cilësor, është thelbi i gjithë reformave.

 Qarku i Elbasanit njihet për numrin e madh të arsimtarëve, por edhe të atyre që mbarojnë çdo vit universitetin për mësuesi, cili do të jetë kriteri pranimit të tyre në shkolla ?

 Kriteret për pranimin e punonjësve arsimorë janë të përcaktuar me ligj dhe përzgjedhja e tyre është tashmë e drejtë e institucioneve arsimore, i cili ngre komisionin e vlerësimit dhe kryen procedurën përkatëse për përzgjedhjen e mësuesit. Prania e komunitetit dhe mësuesve në komision, do të jenë përcaktues për vlerat njerëzore që do të tërheqin në arsim.

 Natyrisht ju keni ardhur me një platformë konkrete për të drejtuar DAR Elbasan, a mund të na thoni disa prej pikave të këtij programi?

 Prezantimi im u fokusua në angazhimin për të krijuar një performancë të mirë të arsimit në Elbasan, e cila do të arrihet falë tri elementëve: bashkëpunimit, bashkëveprimit dhe motivimit.

 DAR shpesh është shigjetuar nga media si “fole korrupsioni vitet e fundit”, si mendoni se do të hiqet ky opinion  për institucionin që ju do të drejtoni?

 Dihet që korrupsioni ka prekur çdo qelizë të jetës sonë të përditshme  në këto vite  dhe kjo pa dyshim nuk mund të anashkalonte edhe arsimin. Ndryshimet mbas 23 qershorit, politikat që po ndjek qeveria ndaj arsimit, programi që ka shpalosur Ministria e Arsimit dhe Sportit, kanë si qëllim luftën ndaj këtij fenomeni, aq të përfolur në vitet e fundit në arsim. Kjo është dhe një nga sfidat e mia personale.

 Së  shpejti  ju  keni  përzgjedhjen  përmes  konkurseve, të drejtuesve  në shkolla, mund  të na thoni diçka më konkrete për këtë proces dhe a do të ketë ndikime politike?

 Procedura e përzgjedhjes me konkurs të drejtuesve, do të realizohet pranë institucioneve arsimore, përmes një komisioni të gjerë të përcaktuar me ligj. Pjesëmarrja e prindërve dhe vetë mësuesve në këtë proces vendimmarrës, besoj se sjell një risi, që do të ketë në thelb përzgjedhjen e më të mirëve.

 A mendoni se ka abuzime nga drejtuesit e shkollave me fondet e mbledhura nga nxënësit,  por edhe nga mësuesit  me kurset private?

 Mendoj se veprime të tilla duhen verifikuar dhe nuk duhen anashkaluar. Për çdo rast të konstatuar do marrim masa kundrejt ligjit në fuqi. Për sa i takon kurseve private, mbështes nismën e marrë nga Ministrja e Arsimit, për moszhvillimin e kurseve private, të cilat dëmtojnë arsimin në përgjithësi dhe imazhin e shkollës. Në të kundërt, mësuesit do të jenë të detyruar të lënë radhët e arsimit.

 Një mesazh për stafin tuaj, arsimtarët dhe ata që presin të gjejnë një vend pune në shkollat e qarkut tuaj…

 Mesazhi im do të ishte: Të punohet dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të bërë më dinjitoz figurën e mësuesit dhe profesionin tonë të arsimtarit.