Jo më me stilin tuaj …!

90

(Reagim për shkrimin e ish ministres së Arsimit dhe Kulturës, Tefta Cami)

 Mora shkas të hedh mbi letër pak fjalë, nga një shkrim i ish-ministres së Arsimit dhe Kulturës të viteve të shkuara. Nuk do të prononcohem për të vërteta apo të pavërteta në deklarimet e autores së shkrimit, me bindjen se histori të tilla; përplasjeje bërrylash, manipulime, grindje, deri në eliminim fizik në luftën për pushtet, kanë qenë evidente në vitet e sistemit diktatorial të cilit i referohet ish- ministrja Tefta Cami. Për fat të keq, ai mentalitet, është bartur deri më sot. Më ngacmoi kujtesën, trajtimi me mentalitet idhnak-komunist, pas shumë vitesh demokraci, i deklarimeve të autores së shkrimit.

I gjithë shkrimi shumëfaqësh, përshkruhet nga një fill i kuq nostalgjie, mllefi dhe urrejtjeje. Nostalgji për vitet e punës së saj, duke ngjitur shpejt shkallët e karrierës, nga mësuese, sekretare e komitetit të partisë së punës për Dibrën, deri ministre e Arsimit dhe Kulturës. Nostalgji për E. Hoxhën, nostalgji për M. Shehun, por urrejtje – vrer për H. Lleshin, i cili (gjithmonë sipas saj) e ka shpifur e luftuar pa të drejtë atë, familjen dhe fisin e saj. H. Lleshi, si dibran që ishte, ndikonte politikën në Dibër; siç thotë autorja, për Dibrën dhe dibranët, nuk bëhej asgjë pa miratimin e tij, por, harron autorja se dhe vetë ajo ishte ministre ardhur nga Dibra. Autorja përsërit e ripërsërit në atë shkrim gjykimin e saj se H. Lleshi vinte nga lidhje e fortë familjare me serbët dhe se ndjehet keq nga akuzat e tij ndaj të atit të saj, se qenkësh i lidhur me forcat antikomuniste. Tani, mbas kaq dekadash, që nga koha kur diskutohej dilema: Të ndihmohej apo të ndalohej mundësia e vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri, kur pikëpamjet ideologjike të individëve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë, bënë ndarjen në dy grupime, mund të gjykojmë më lehtë se kush kishte të drejtë.

Nga njëra anë propaganda komuniste ftonte të mbështesnin ideologjinë e tyre, sepse do t’i bënte të hanin me lugë floriri; nga ana tjetër, fakti që komunizmi tek ne po mbillej e mbështetej fuqishëm nga serbët, bëmat e të cilëve, të hershme e të vona, njiheshin mirë nga shqiptarët, e veçanërisht nga dibranët, gjaku i burrave, grave e fëmijëve të tyre i derdhur nga bajonetat serbe akoma s’qe tharë dhe nuk mund të bëhej ujë, ndaj s’kishin si t’i besonin asaj propagande që vinte dhe ushqehej prej andej. Kur të bie të zgjedhësh midis dy të mirave, është e lehtë të zgjedhësh më të madhen, por kur të bie të zgjedhësh midis dy të këqijave, detyrohesh të zgjedhësh atë më të voglën; koha vuri në provë zgjedhjet që u bënë. Por shtysa ime nuk qe për të vlerësuar atë periudhë të errët për popullin tonë, qe natyra idhnake prej komunisteje, si më herët dhe tani mbas mëse dy dekadash nga rrëzimi i atij sistemi të dështuar që në nisje, në vlerësimin e situatave dhe të gjykuarit me dy standarde, nga ish ministrja. Mes të tjerash, ajo akuzon H. Lleshin se ka bërë luftë të ashpër klasore, por pa e vënë në dyshim këtë, pyes: Po për ju zonjë, gjatë karrierës tuaj “të suksesshme”, a nuk qenë e tillë? Harruat se sa bijë e bija dibrane mbetën të pashkolluar nga ekstremizmi juaj në luftën klasore? Harruat sa e sa bijë e bija dibrane u denigruan, apo larguan nga puna, jo për paaftësi, por si “të padëshiruarit e partisë” për të shërbyer në sistemin arsimor?

Mund ta mohoni, apo të thoni se keni harruar.

 Një shembull kujtesë për ish ministren e arsimit

Sa për kujtesë, po ju përmend vetëm një rast jo më shumë. Ishit sekretare në Komitetin e Partisë për Dibrën, kur një vajzë e re, që sapo kishte mbaruar shkollën e mësuesisë priste me dëshirën e madhe të moshës, që sa më parë të dilte para nxënësve, për t’u dhënë atyre nga vetvetja atë ç’ka qe më e mira e mundshme, por… ju ia mohuat atë mundësi. Shkaku? Kjo vajzë qe martuar me një djalë nga fisi Dema. – “Shoku A… , kjo vajzë është martuar me një djalë nga ata demet”.

Kështu i deklaruat atëherë ju eprorit tuaj. Se ç’deshët të thoshit me atë “djalë nga ata demet”, atëherë dhe tani, ju e dini. E dinit mjaft mirë se ai djalë qe i arsimuar dhe një mësues shembullor. Por kjo nuk ju ndaloi të mendonit ndryshe; përkundrazi, shkuat edhe më tej, trysni për të heshtur, se… ka edhe më, atë djalë e transferuat nga shkolla ku shërbente, për diku më larg vendbanimit. Motivacioni: “…Person i padëshiruar të shërbejë në zonë kufitare”. Për të qarë e për të qeshur. Mendësi, apo servilizëm karriere, apo të dyja bashkë?! Thashë se do të përmend vetëm një rast, e jo më shumë, sa për kujtesë për së gjalli, se pastaj do të bëja atë që unë e vlerësoj të gabuarën tuaj. Pse? Së pari, por jo nga rëndësia, H. Lleshi, si dhe shumë nga emrat tjerë që ju i deklaroni si kundërshtarë e keqdashësit tuaj të familjes dhe fisit tuaj, që ju kanë shpifur e luftuar pa të drejtë, nuk jetojnë më; janë larguar nga kjo jetë pas vitit 1990. Pse nuk u ballafaquat me ata sa qenë gjallë? A nuk zhvlerësohen kështu edhe ato të vërteta (gjithmonë sipas jush)? Kujt i drejtoheni sot t’u kërkojnë ndjesë, apo kushedi, për ato padrejtësi? Po ju, a keni kërkuar ndjesë për padrejtësitë tua?

Së dyti, ju zonjë, keni marrë arsim të mesëm dhe të lartë pedagogjik, të qenurit ministre e Arsimit dhe Kulturës, ju ka imponuar të studioni dhe sociologjinë. Për çfarë shërbejnë sot këto deklarime inatçore të një mentaliteti që ka sjellë veçse përçarje e rrënime? Ç’të “mirë“ transmetoni sot tek bijtë e bijat e çame, të lleshe, e të tjerë? Bukur mirë ju citoni amanetin e të ndierit babait tuaj: “… për vëllazërimin e të gjithë shqiptarëve”. A e keni mbajtur gjithmonë parasysh ju këtë amanet? Deklarimet tuaja të radhës, a i shërbejnë këtij amaneti? Tani, kur po bëhen përpjekje të pareshtura për bashkim vëllazëror, përpjekje të papara prej shumë dekadash, jo më vetëm mes shqiptarëve, por edhe me ata që pa doganë i kemi deklaruar armiq të hershëm a të vonë. Italianët e gjermanët po e po, ata tashmë janë miqtë tanë të deklaruar, por po tentojmë këtë gjë edhe me serbët, që veçanërisht në luftërat me dibranët, është derdhur gjaku lumë. Një fjali tuajën, po, do ta rishkruaj: “Historia duhet të rishkruhet”. Me një ndryshim; jo më me stilin tuaj, por në zbatim të amanetit të atit tuaj, të tim eti dhe të të gjithë etërve tanë patriotë të vërtetë: “…Për vëllazërimin e të gjithë shqiptarëve”.

Mehdi Dema