Ja si do të veprohet për të marrë një kopje të testit

869
Sigal

Provimet me zgjedhje, nesër testimi për rreth 52 mijë maturantë

 Së bashku me maturantët e para 2014-ës pritet që Provimeve me Zgjedhje, për t’u bërë pjesë e garës për universitetet publike, t’u nënshtrohen plot 52 mijë maturantë. Sipas AKP-së, pjesa më e madhe e maturantëve/kandidatëve, gati 97% e tyre, kanë zgjedhur të japin gjuhën e huaj një prej provimeve me zgjedhje, i cili do të zhvillohet nesër, në datën 18 qershor. Duke qenë se shumica e maturantëve kanë zgjedhur gjuhën e huaj si nja nga provimet me zgjedhje “Telegraf” u vjen në ndihmë kandidatëve për studentë duke publikuar strukturën që do të ketë testi i gjuhës së huaj për provimet me zgjedhje. Si provim me zgjedhje maturantët mund të japin mes shtatë gjuhëve të huaja: anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, greqisht, spanjisht dhe turqisht, që diferencohen midis tyre nga koeficienti që këtyre gjuhëve u është dhënë nga universitetet publike. Këtë vit, veç anglishtes që është vlerësuar me koeficientin 1.3 në pjesën më të madhe të universiteteve publike, koeficient i lartë u është dhënë edhe gjuhës frënge dhe asaj italiane. Gjuha e huaj me zgjedhje, ndryshe nga provimi i gjuhës së huaj me detyrim, i cili ishte hartuar me nivelin e vështirësisë A2, do të jetë më i vështirë, pasi do të jetë i nivelit B2. Në këtë nivel maturantët duhet të kenë njohuri të mira të gjuhës që kanë zgjedhur si provim me zgjedhje. Provimeve me zgjedhje kanë të drejtë t’u nënshtrohen vetëm ata maturantë të cilët kanë plotësuar Formularin A1.

Testi

Testi për secilin nga provimet me zgjedhje, ku përfshihen edhe gjuhët e huaja, do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat, 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pikë gjithsej), dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Dhe me kriterin e vendosur, që, një maturant është kalues kur merr 20% të testit, në provimet me zgjedhje ata duhet të marrin minimalisht 8 pikë, pra notën 4.5 që të quhen kalues. Maturantët të cilët nuk i marrin provimet në sezonin e parë kanë të drejtë që t’u nënshtrohen provimeve të maturës në sezonin e dytë.

Struktura për gjuhën e huaj

Sa i takon strukturës, testi do të ndahet në tri pjesë: lexim, përdorim i gjuhës dhe shkrim. Pjesën më të madhe të pikëve e kanë dy pjesët e para të testit, të cilat do vlerësohen me nga 16 pikë secila, ndërkohë që pjesa e të shkruarit do të vlerësohet me 8 pikë. Kjo do të thotë se numri maksimal i pikëve që mund të grumbullohen nga zgjidhja e saktë e tezës është 40. Në total, teza do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat, 10 do të jenë me alternativa dhe 10 të hapura, ose thënë ndryshe me zhvillim.

Në pjesën e parë të tezës do të përfshihet një tekst tregues ose përshkrues, ndërsa mbi bazën e këtij teksti do të hartohen pyetjet nga 1-10. Përmbajtja e tyre do të përfshijë pyetje mbi kuptueshmërinë e idesë së përgjithshme dhe asaj të thelluar që ka teksti përkatës. Pjesa e dytë e tezës përqendrohet te formimi gramatikor, ndërsa do të përmbajë edhe pyetje në të cilat do të mungojë një fjalë, e cila duhet të plotësohet nga maturanti. Ndërkohë që, në pjesën e tretë të tezës, maturanti do të duhet të përgatisë një tekst, me një temë që lidhet mbi shkrimin e një e-maili apo një përshkrim të caktuar, i cili duhet të përmbajë 150-180 fjalë.

 Maturantët në protestë për të drejtën e rivlerësimit. MAS: Nuk ka rishikim të testeve

 Maturantët do të vijojnë edhe sot protestën e tyre përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të fituar të drejtën e rivlerësimit të testeve, pasi ata janë të pakënaqur me notat e marra në provimet e Maturës Shtetërore. Edhe të shtunën maturantët e disa shkollave, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për notat e marra në provimet e Maturës Shtetërore, kanë protestuar të shtunën para MAS. Ata kanë kërkuar rishikim të tezës, pasi sipas tyre, krahasimi me përgjigjet e shpërndara nga vetë Ministria ngre dyshimet që korrigjimi nuk është bërë në mënyrë korrekte. Por duket se nuk do të ketë një rivlerësim për këtë kategori maturantësh. Në reagimin e saj Ministria e Arsimit dhe e Sportit sqaron se korrigjimi është bërë në mënyrë korrekte dhe sipas procedurave të miratuara paraprakisht.

 

Ministria e Arsimit dhe Sportit

 Sqarim mbi procedurën e vlerësimit të testeve të provimeve MSH 2014

Procedura e vlerësimit të testeve të provimeve të maturës është bazuar në nenet 28, 29 dhe 30 të Rregullores së MSH 2014. Për vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore është hartuar një skemë vlerësimi (për çdo provim), e cila publikohet në faqen e internetit të MAS dhe AKP. Kjo skemë përdoret nga të gjithë vlerësuesit që korrigjojnë përgjigjet e nxënësve. Përpara se të vijohet me korrigjimin e testeve, të gjithë vlerësuesit trajnohen me qëllim qartësimin e të gjitha procedurave. Përzgjedhja e vlerësuesve kryhet çdo vit. Korrigjuesit e testeve janë mësues të shkollave të mesme me një përvojë jo më pak se 5-vjeçare në arsimin e mesëm. Vlerësuesit në përfundim të korrigjimit mbajnë përgjegjësi për vlerësimin e tyre. Çdo përgjigje testi i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Testet janë të kodifikuara dhe rakordimi i tyre bëhet në fund të ditës. Në rast mospërputhje të vlerësimit midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit, aktivizon një vlerësues të tretë për vlerësimin përfundimtar. Pas kësaj, në përfundim të vlerësimit, përgjegjësi i vlerësimit nënshkruan në tabelën e vlerësimit të testit bashkë me vlerësuesin e tretë. Bazuar në neni 36 të Rregullores së MSH për pasaktësi në korrigjim vlerësuesit penalizohen deri në largimin nga puna.

Testet e dyshuara

Testet e dyshuara për kopje merren në shqyrtim  nga KOPOTED-i (Komisioni i Posaçëm i Testeve të Dyshuara), një komision i ngritur në MAS me urdhër të Ministrit. Për të gjitha parregullsitë që konstaton KOPOTED-i, për PAP, AP, AS, i propozon KSHP njërën prej masave të parashikuara në nenin 36 të kësaj Rregulloreje. KSHP merr vendimin përkatës dhe ia përcjell organit të emërtesës për zbatim. Në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014, neni 28, pika 8 specifikohet: “Maturanti/Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit te tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KSHMSH-së. Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.”

Procedura që duhet ndjekur për të marrë kopje të testit:

 1- Kërkesa e Maturantit/Kandidatit për fotokopje te testeve Gjuhë shqipe e letërsi, Matematikë dorëzohet pranë shkollës ku ai ka aplikuar A1 ose A1Z, në periudhën 20 deri 25 qershor 2014.

2- Kërkesa e Maturantit/Kandidatit për fotokopje te testeve të lëndëve me zgjedhje, dorëzohet pranë shkollës ku ai ka aplikuar me A1 ose A1Z, në periudhën 01 deri 05 korrik 2014.

3- Drejtoritë e shkollave, listën e kërkesave bashkë me faturat e pagesës, i dërgojnë në KShMSh-të përkatëse, brenda datës 08 korrik 2014.

4- KShMSh-të pasi kanë marrë nga shkollat kërkesat për fotokopje i dërgojnë ato, me e-mail dhe me shkresë zyrtare në AKP, brenda datës 10 korrik 2014.

5- AKP dërgon në KShMSh të çdo DAR/ZA-je, fotokopjet e testeve brenda datës 30 korrik 2014.

Bazuar po në rregullore, AKP nuk bën rishikim te testeve, vetëm ne rastin e gabimeve teknike (sekretime gabim, hedhje pikesh gabim). Theksojmë, maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit te tij pas përfundimit të të gjitha provimeve.