Ja procedurat e provimit të Maturës

691
Sigal

Zbardhet rregullorja e Maturës Shtetërore 2014. Formulari A1/A1Z, gati në 25 prill

Maturantët, të cilët do të kandidojnë për një të drejtë studimi në universitetet e vendit duhet të plotësojnë Formularin, A1, i cili do të jetë gati në datën 25 shkurt. Ndërkohë që afati përfundimtar për plotësimin e tij do të jetë data 31 mars. Edhe këtë vit formulari do të plotësohet online, në shkollat, ku maturantët kanë kryer studimet, sipas udhëzuesve të cilët do të bëhen publikë njëherësh me formularët. Të gjitha këto detaje janë bërë publike në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014 në faqen zyrtare të MAS dhe një pjesë e saj vjen e zbardhur për lexuesit e “Telegraf”:

 PROCEDURAT E PROVIMIT TË MATURËS

Neni 11

1. Të gjitha provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim. Struktura, datat dhe kohëzgjatja e provimeve të Maturës caktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

2. Datat dhe kohëzgjatja e provimeve të Maturës caktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Struktura e testit dhe kohëzgjatja e të gjitha provimeve të maturës është e njëjtë;

3. Maturanti/kandidati nuk quhet kalues nëse ka marrë më pak se sa 20% të pikëve të testit.

Neni 12

1. Provimet e Maturës i jep maturanti/kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme/ka marrë Dëftesë Pjekurie dhe ka plotësuar formularin A1/A1Z;

2. Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje, pajiset me Diplomë;

3. Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie/Diplomë:

a. Nuk japin gjuhën e huaj si provim të detyruar;

b. Pasi kanë fituar provimet e Maturës, marrin Diplomë dhe Certifikatë të Maturës Shtetërore, modeli i vitit 2011;

4. Diploma për të gjithë maturantët/kandidatët lëshohet vetëm një herë;

5. Kandidati, i cili është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, shtetas shqiptar ose i huaj që vjen nga jashtë shtetit dhe jep provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nuk merr Diplomë, por pajiset me vërtetim për provimet e Maturës;

6. Maturanti/kandidati, nëse nuk rezulton kalues në sesionin e parë të Maturës Shtetërore, në sesionet e ardhshme jep vetëm provimin/et mbetës/e të detyruara dhe me zgjedhje, në të cilat ka mbetur.

PËRGATITJA E TESTEVE TË MATURËS

Neni 13

1. AKP-ja, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar, miraton ngritjen e grupeve lëndore për hartimin e fondit të pyetjeve të testeve. Anëtarët e grupeve lëndore, me kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit, trajnohen dhe angazhohen për hartimin e këtij fondi, i cili është jo më vogël se sa 20-fishi i kërkesave që do të përmbajë testi përkatës;

2. Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës Shtetërore do të bëhet përmes teknologjisë digjitale.

APLIKIMI PËR PROVIMET E MATURËS

Neni 14

MAS, deri më datë 20 shkurt, miraton:

1. Formularin A1 dhe A1Z dhe udhëzuesit përkatës;

2. Tabelën e indeksit të profilit /degëve dhe drejtimet për çdo shkollë të mesme;

3. Koeficientet e shkollave dhe të lëndëve me zgjedhje, të propozuara nga IALP- të.

Neni 15

1. Deri më 25 shkurt 2014, shpallen në portalin e MAS-it dhe në faqen elektronike të AKP-së:

a. Formularët A1 dhe A1Z;

b. Udhëzuesi i plotësimit të A1/A1Z nga maturanti/kandidati;

c. Udhëzuesi i plotësimit të bazës së të dhënave nga KShMSh-ja (Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore).

8. Maturanti/kandidati plotëson online formularin Al/A1Z brenda datës 31 mars;

9. Në periudhën 1-15 prill, KShMSh-ja plotëson online bazën e të dhënave me fushat përkatëse, sipas udhëzimit të dërguar nga AKP-ja;

10. KShMSh deri më 15 prill, afishon në shkollë një kopje të bazës së të dhënave të shkarkuara nga portali i Maturës Shtetërore, dhe pret vërejtjet e maturantëve/kandidatëve. Brenda datës 30 prill bën verifikimet dhe korrigjimet përkatëse në sistem.

Neni 16

Plotësimi i formularit Al/A1Z për provimet e Maturës bëhet:

1. Në shkollat ekzistuese ku kryejnë, ose kanë kryer arsimin e mesëm të lartë;

2. Në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur, duke paraqitur aty dokumentet e mëposhtme:

a. Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve të Maturës;

b. Kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë, Vërtetimin me notat të të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, Certifikatën e Maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentit të lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i DAR/ZA-së;

Në bazë të dokumenteve të paraqitura, KMSH-ja përcakton notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2, të cilat ia përcjell zyrtarisht shkollës ku kandidatët do të regjistrohen për në Maturën Shtetërore. KShMSh-ja hedh në sistem të dhënat e mësipërme.

Maturanti i para vitit shkollor 2005-2006 jep provime të Maturës, sipas kritereve të përcaktuara në Udhëzimin nr 60, datë 26.12.2013 “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014” i ndryshuar.

Për shkollat profesionale dhe shkollat e orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, si provime të detyruara njihen: a) Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë e fituar; b) Në mungesë të letërsisë dhe matematikës, rijë ose dy nga provimet, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2010-2011 dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose kanë rezultuar jokalues, por dëshirojnë të aplikojnë për studime në IAL, do t’i japin ato.

Neni 17

1. Kandidatët e Maturës Shtetërore 2006 – 2013, aplikojnë për në IALP, bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore, nëse pas verifikimit nga AKP rezulton se:

a. Nuk janë shpallur fitues;

b. Janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar;

c. Janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar gjatë vitit të parë akademik, vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP. Fleta origjinale e çregjistrimit, dorëzohet në AKP para aplikimit me formularin A1Z, në mënyrë që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe ndryshimi i numrit të matrikullimit. Kur studenti vazhdon studimet në vitin e dytë e më tej, ai duhet të marrë paraprakisht miratimin nga MAS për të vijuar procedurat e kësaj pike.

2. Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme, rezultatet janë jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë/lëndët në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë të merren koeficientët e Maturës Shtetërore 2014;

3. Në rastet kur lënda, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet, nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të këtij viti, për llogaritjen e pikëve të tyre nga AKP-ja do të merret koeficienti i lëndës së përafërt me të.

Neni 18

1. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe duke e vërtetuar nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar në Shqipëri ose arsimin e mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe;

2. Shtetasit e përmendur në pikën 1 të këtij neni, për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm, paraqesin pranë Komisionit të Posaçëm deri më 10 prill 2014, këto dokumente:

a. Kërkesën për aplikim për njëvlershmëri diplome të shkollës së mesme, për të vazhduar një program studimi në IAL;

b. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit.

c. Diplomën e shkollës së mesme (të përkthyer dhe të noterizuar).

d. Dëftesat origjinale të të gjitha viteve të shkollës së mesme (të përkthyera dhe të noterizuara).

e. Dokumentin që vërteton dhënien e provimeve të barasvlershme me Maturën Shtetërore në Shqipëri (vërtetim për panelines, certifikatë etj.). Në këtë dokument të jenë pasqyruar rezultatet për çdo lëndë të dhënë si provim kombëtar.

f. Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, lëshuar nga Universiteti i Tiranës.

g. Kopje të noterizuar të lejes së qëndrimit (për të huajt).

Vendimi i komisionit të posacëm dërgohet në DAR/ZA dhe në AKP.

3. Shtetasit, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, por që nuk kanë dhënë provimet e Maturës (provimet e detyruara dhe me zgjedhje), për t’u pranuar në IAL, duhet të japin provim Matematikën si dhe Gjuhën Shqipe e Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, të Maturës Shtetërore. Për shtetasit shqiptarë, që përfshihen në këtë pikë, për provimet me zgjedhje, të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar;

4. Komisioni i Posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e Dëftesës/Diplomës shkollore, përcakton indeksin e shkollës, në reference me tabelën e profileve institucioneve të arsimit të mesëm të lartë në Republikën e Shqipërisë. Ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe përcakton, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur, nëse provimet e dhëna janë të barasvlershme me provimet e Maturës Shtetërore në Shqipëri;

5. Komisioni ia përcjell rezultatet e barasvlershmërisë zyrtarisht KMSH-së, ku kandidati ka vendbanimin/lejen e qëndrimit,dhe nje kopje AKP për dijeni, deri në datën 5 maj 2014. KMSH-ja, ia përcjell rezultatet e barasvlershmërisë një shkolle në të cilën kandidati do të kryejë provimet e Maturës (nëse ka të tilla), informon kandidatin ku dhe si do të veprojë për të shlyer provimet (nëse ka të tilla), dhe të plotësojë formularët përkatës, brenda datës 10 maj.

6. Shtetasit që kanë kryer arsimin e mesëm dhe nga komisioni rezulton se nuk kanë asnjë detyrim për Maturën Shtetërore, plotësojnë formularin A1Z në AKP deri më datë 10 maj 2014 në shkollën e caktuar nga DAR/ZA.