Ja notat e 50 mijë maturantëve

553
Sigal

MASH/ Publikohen rezultatet e arritura, në provimin e dytë të detyruar, për çdo maturant

Përfundon korrigjimi i testeve të Matematikës. Ministria e Arsimit ka publikuar gjatë ditës së djeshme rezultatet për rreth 50 mijë maturantët e përfshirë në provimin e dytë të detyruar të Maturës Shtetërore 2013. Rezultatet e plota të arritura nga secili maturant do ti gjeni të detajuara në faqet e gazetës “Telegraf”. Maturantët mund t’i gjejnë notat që kanë marrë, duke gjetur në listë ID-në e tyre, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilin kandidati është vlerësuar në këtë provim. Sipas MASH, çdo test ka kaluar minimalisht në duart e dy korrigjuesve, dhe në rastet kur mes tyre ka pasur diferenca në vendosjen e pikëve, testi është korrigjuar nga një vlerësues i tretë. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë. Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do ti njihet rezultati ose jo.

Përfundon Matura

Matura i rikthehet formulës së vjetër të llogaritjes së pikëve. Këto të dhëna nxënësit do t’i përdorin vetëm pasi të kenë marrë të gjitha notat e provimeve, përfshi edhe ato me zgjedhje. Sipas MASH, me të mësuar numrin e pikëve që kanë grumbulluar nxënësit, duhet të konsultojnë pikët e fituesit të fundit të shpallura një vit më parë. Ato i gjejnë online në faqen zyrtare të MASH. Duke u bazuar mbi to, maturantët do të krijojnë një ide të përafërt se ku kanë më shumë shanse për të fituar. Të gjithë komponentët e maturës kanë të njëjtën peshë, e cila arrin në 20%. “Formulari A2 do të publikohet pas mesit të korrikut dhe nxënësit do të kenë afat deri më 30 korrik për ta plotësuar. Por, nxënësit duhet të bëjnë kujdes. Sapo të dalin rezultatet, ata duhet të nisin të bëjnë vetë llogaritjen e pikëve”, sqarojnë specialistët e MASH.

FORMULA E PIKËVE
Formula e llogaritjes së pikëve, të cilën duhet ta përdorë çdo maturant, është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja e katër viteve të gjimnazit, D1 = provim i detyruar i Letërsisë, D2 = provim i detyruar i Matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje. Me këtë formulë nxënësit mësojnë sa pikë kanë përpara se të plotësojnë formularin A2 me anë të të cilit do të zgjedhin preferencat.

listën e plotë të notave e gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Telegraf