Ja ndryshimet e propozuara në drejtshkrim dhe morfologji

736
Sigal

Mbledhja e këshillit ndërakademik për gjuhën shqipe

Në mjediset e Qendrës Leksikografike-Enciklopedike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më 14 mars 2014, u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Mbledhja u mbajt nën drejtimin e akad. Rexhep Ismajlit dhe akad. Jani Thomait (bashkëkryetarë), me pjesëmarrjen e akad. Besim Bokshit, akad. Et’hem Likajt, akad. Kolec Topallit, akad. Gjovalin Shkurtajt, prof. dr. Shezai Rrokajt, prof. dr. Mehmet Çelikut, prof. dr. Seit Mansakut, prof. dr. Enver Hysës, prof. dr. Tomor Osmanit, prof. dr. Imri Badallajt, prof. dr. Shefkije Islamajt, ligjërues Isa Bajçincës, prof. dr. Bardh Rugovës, prof. dr. Rrahman Paçarrizit dhe prof. dr. Abdullah Zymberit. Diskutimet u zhvilluan në tri seanca sipas materialeve të parapërgatitura nga grupet e punës për çështje të drejtshkrimit dhe të morfologjisë nga Tirana, si dhe nga anëtari i Këshillit e i kryesisë së tij akad. Kolec Topalli, të diskutuara me shënime të veçanta edhe nga grupet përkatëse nga Prishtina. Në fillim u shqyrtuan disa çështje të drejtshkrimit që kishin mbetur pa u diskutuar në mbledhjet e mëparshme, pastaj çështje të tjera të morfologjisë, që po ashtu nuk ishin shqyrtuar. Si zakonisht, të gjitha çështjet e propozuara për diskutim u shqyrtuan një nga një dhe, pas konsultimit të mendimit të secilit anëtar të pranishëm, u vendos të propozohen përfundimet.

 Drejtshkrim

Lidhur me përdorimin e shkronjës së madhe dhe drejtshkrimin e emrave të vendeve u propozuan këto përfundime:

Emërtimet e institucioneve e të titullarëve të institucioneve, kur paraqesin nomenklaturë zyrtare, të shkruhen me shkronjë të madhe.

Në shkrimin e toponimeve vendëse të respektohet forma e emërtimit vendas, si dhe të shmangen variacionet fonetike nëndialektore (p.sh. Lushnje); emrat e vendeve në harta dhe në shenja rrugore të shënohen në trajtën e shquar.

Tek emrat gjeografikë me dy a më shumë gjymtyrë (Liqeni i Shkodrës) të shkruhet me të madhe secila nga fjalët.

 Në fushën e drejtshkrimit u propozua po ashtu të saktësohen përfundimet vijuese:

Tek emrat me fundjen -një e -nje të mbeten në përdorim të lirë të dy variantet (foshnje / foshnjë, vishnje / vishnjë etj.).

Etnikët me prejardhje nga gjuha shqipe të shkruhen me prapashtesën -j- (-jan-): (matjan, lezhjan), ndërsa etnikët me prejardhje të huaj, që në temë kanë -i-, të vijojnë të shkruhen me -ian (bolivian).

Fjalët me prejardhje të huaj, që i takojnë terminologjisë tekniko-shkencore, të ruajnë shkrimin me -ie (materie).

Fjalët e tipit tramvaj, hokej, koktej etj., të shkruhen me -j.

Fjalët angjin dhe gjips të shkruhen me g: anginë dhe gips.

Morfologji

Në fushën e morfologjisë pati kryesisht propozime për disa fjalë e raste të veçanta. U propozuan këto përfundime:

Shumësi i emrave të tipit teatër, kabllo, kuadër, të bëhet teatra, kablla, kuadra, rrjedhimisht njëjësi: teatër, kabëll, kuadër; shumësi i emrit xham të mbetet xhama; të ngrihen në normë ngjashëm me pus – pusa (si variant i lirë me trajtën pus – puse), stof – stofra, grusht – grushta / grushte, çengel – çengelë / çengela, gisht – gishta / gishtërinj; shumësi antigaz të jetë antigaze / antigazra, fishekzjarrë – fishekzjarre; të ruhen të dy trajtat për autobus – autobusë / autobusa, ftiziatër – ftiziatër / ftiziatra, drapër – drapra / draprinj, barbun – barbunj / barbunë.

Trajtat e mbiemrit i shkurtër dhe i shkurtë të mbeten variante të lira në të dy format.

Te foljet e tipit ik, ec, hip, në vetën e dytë e të tretë të njëjësit të hiqet mbaresa -ën.

Ndajfoljet me prapashtesa -as/-azi të tipit barkas / barkazi, haptas / haptazi etj., të jenë në përdorim të lirë.

U propozua që për mbledhjen e radhës të merren në shqyrtim materialet e përgatitura nga grupet për çështje të sintaksës dhe njëherësh u kërkua nga grupet për çështje të gjuhës në shkollë të bëjnë gati për diskutim propozimet e tyre.

 Kryesia e KNGJSH-së