Ja ndarja e 9402 kuotave part-time sipas kategorive

476
Sigal

Projektvendimi/ Kuotat e pranimeve në universitetet publike për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme për vitin akademik 2013-2014

Miratohen 9402 kuota për studimet “Bachelor” me kohë të pjesshme në universitetet publike. Këshilli i Ministrave në lidhje me projektvendimin e propozuar nga Ministria e Arsimit “Për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2013-2014” vendosi që kuotat e përgjithshme të jenë 9402. Nga këto kuota:  8522 janë të ciklit të parë, më kohë të pjesshme; 40 janë të ciklit të parë, të edukimit në distancë; 200 janë për transferim studimesh; 400  janë për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit; 20 kuota janë për personat që nuk shikojnë;  20 kuota janë për romët/ ballkano-egjiptianë; 150 kuota janë për të përndjekurit politikë dhe 50 kuota janë për shtetasit e  huaj. Gjithashtu  “Telegraf” do të bëjë publike dhe tabelën e kuotave sipas IAL.

Projektvendimi i plotë

Me propozim të ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Kuotat e përgjithshme të pranimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2013-2014,  të jenë 9402, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:

a) Kuotat  e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, më kohë të pjesshme 8522

b) Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë   40

c) Kuotat për transferim studimesh 200

ç) Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 400

d) Kuota për personat që nuk shikojnë 20

e) Kuota për romët/ ballkano-egjiptianë       20

ë) Kuota për të përndjekurit politikë 150

f) Kuota për shtetasit e  huaj 50

2. Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 7:3, përkatësisht 70% të tyre, për pranimet e reja, për programe të para studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme dhe 30% për pranimet e reja për programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme.

3. Kuotat për transferim studimesh, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve publike të arsimit të lartë.

4. Kuotat e përcaktuara në shkronjën  “ç” të pikës 1, të këtij vendimi, për kandidatët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mal i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pasqyrohen në tabelën nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi.

Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë.

5. Kuotat e pranimeve për personat që nuk shikojnë ndahen, për kandidatët me statusin për personat që nuk shikojnë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mbi bazën e listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve.

6. Kuotat e pranimeve për romët dhe ballkano-egjiptianët ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mbi bazën e listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e Romëve dhe Shoqata Kombëtare e Ballkano-Egjiptianëve dhe të vërtetuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

7. Kuotat e pranimeve për të përndjekurit politikë ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mbi bazën e listës së hartuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe plotësimit të kritereve të vendosura nga institucionet publike të arsimit të lartë.

8. Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në germën “f” të pikës 1, të këtij vendimi, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe  Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe  Shkencës nga persona të interesuar.

9. Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të maturës shtetërore, dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme  me të, ka të drejtë të aplikojë për në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme dhe edukimit në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë.

Kandidatët që zotërojnë dëftesë pjekurie apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme  me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim, certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

10. Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës, të përcaktuar shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, bëhen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, në përputhje me kriteret e përcaktuara e të bëra publike paraprakisht.

11. Kandidatët, që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, brenda kuotës të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, e fitojnë këtë të drejtë, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë e të bëra publike paraprakisht.

12. Tarifat e shkollimit për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2013-2014, të përcaktohen me udhëzim të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

13. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.