Ja emrat e rinj që u janë konvertuar diplomat nga MASH dhe procedurat për aplikim

548
Sigal

ZYRTARE/Procedurat që duhen ndjekur për konvertimin e diplomave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike listën me emrat e rinj të personave të cilëve u është konvertuar diploma pas kërkesës që ato kanë bërë. Gazeta “Telegraf” po publikon 235 emrat e personave që i ka dalë emri dhe u është njehsuar diploma. Sipas informacioneve të MASH, këtë vit ka pasur një rritje të numrit të personave që kërkojnë që të bëjnë konvertimin e diplomave. Burime nga MASH, kanë bërë të ditur për “Telegraf” se, ka një dyndje kryesisht të të rinjve që janë kthyer nga Italia apo Greqia. “Deri tani është bërë konvertimi i 235 diplomave, ndërsa një vit më parë numri ka qenë më i ulët”, bëhet e ditur nga MASH. Sipas rregullores së MASH, çdo student që kërkon t’i konvertohet diploma, duhet të ketë diplomën, listën e notave, fotokopje të pasaportës dhe mandat pagesën prej 2500 lekësh. Ndërkohë që, burimet pranë Ministrisë së Arsimit kanë theksuar se një ndër shkaqet për rritjen e numrit të kërkesave për konvertim diplomash është dhe kriza ekonomike, referuar dy shteteve që kanë numrin më të madh të studentëve ku kanë përfunduar studimet. Sipas informacioneve të marra nga MASH, bëhet e ditur se, për periudha të caktuara  ka pasur dyndje për konvertimin e diplomave të huaja dhe, kryesisht, janë studentë të kthyer nga shtetet fqinje si Italia apo Greqia. Ndër të tjera, specialistët thonë se për t’u ardhur në ndihmë të rinjve të sapo kthyer që duan të punësohen në vend apo të vazhdojnë studimet, procedurat për njohjen e diplomave kryhen në një kohë më të shkurtër se 45-ditshi, ndërsa për rastet që dyshohen se kanë dokumente të falsifikuara, procedurat zgjasin.

Listën emërore do ta gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Telegraf

Procedurat që ndiqen për konvertimin

Sipas udhëzimit më të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dosja e aplikimit duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

a) Formatin e aplikimit të plotësuar;

b) Diplomën ose certifikatën/vërtetimin e diplomimit;

c) Listën e notave ose suplementin e diplomës;

d) Dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj;

e) Mandat-pagesën.

Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara. Ndërsa për shtetasit e huaj, dokumentet duhet të jenë me përkthim të vërtetuar.

 

Rregullat e reja të Maturës Shtetërore për maturantët që kanë mbaruar para vitit 2011

Matura Shtetërore e vitit 2013 do të ketë disa ndryshime thelbësore. Në maturën shtetërore këtë vit nuk do të jepen më shumë se dy provime, nga 3 që ishin vitin që shkoi. Sipas Udhëzimit 35, i datës 27 nëntor 2012, ndryshimi konsiston në këto gjëra: Së pari është minimizuar menyja e lëndëve me zgjedhje. Në kuptimin që, asnjë lëndë nuk është lënë pa u marrë në konsideratë, sepse nxënësit kanë bërë përgatitje për 1,2 ose 3 vite.

Ata kandidatë që kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2011-2012, por nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje për të vazhduar studimet e larta publike do t’i japin ato. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet:

1. Në shkollat ku kandidatët kanë kryer shkollën e mesme, si dhe pranë komisioneve të maturës në drejtoritë arsimore të rrethit përkatës kur shkolla e tyre nuk ekziston më. Në këtë rast duhen paraqitur dokumentet përkatëse:

a)kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje të detyruar

b)dëftesën e pjekurisë/kopje të noterizuar me fotografi të dëftesës së pjekurisë/vërtetimin me fotografi që ka përfunduar shkollën e mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse bazuar në amzën e shkollës apo dokumentin e lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i Drejtorisë Arsimore si dhe kopje të noterizuar të pasaportës ose kartës së identitetit. Për këto kandidatë caktohet edhe vendi se ku do të japin provimet. Kandidatët që i janë nënshtruar maturës shtetërore 2006 e në vijim nuk japin provimet e detyruara kur janë pajisur me dëftesë pjekurie.