Ja dokumentacioni për të verbrit, para/tetraplegjikët, romët dhe jetimët

589
Sigal

Universitetet publike/ Kriteret dhe procedurat për regjistrimin e personave me status të veçantë

Kandidatët me statusin e të verbrit, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit si dhe Romët dhe Ballkano-Egjiptianët, të aplikojnë për programet e studimit në universitetet publike, ku dëshirojnë të studiojnë direkt në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), nga data 1 Tetor deri më 6 Tetor 2014. Për programet e studimit që parashikojnë konkurs, përveç aplikimit në MAS, kandidatët kryejnë regjistrimin për pranimin e tyre në konkurs pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) përkatës nga data 1 tetor deri në orën 12.00 të datës 3 Tetor 2014, duke paraqitur

mandat pagesën e tarifës për konkurrim në favor të IAL-së përkatëse prej 5,000 lekësh. Të gjitha tarifat e regjistrimit për konkurrim në programet e ndryshme të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë do të arkëtohen nëpërmjet sistemit bankar ose zyrave të postës shqiptare, për llogari të IAL-së publike përkatëse. Aplikimi në MAS bëhet duke dorëzuar në MAS, personalisht, dokumentacionin e mëposhtëm në dy kopje:

A) Për të gjithë kandidatët:

1. Formulari i aplikimit, ku duhen radhitur pesë programe studimi ku kandidati kërkon të aplikojë, si dhe Institucioni i Arsimit të Lartë (IAL) përkatës, në renditje prioritare, ku i pari renditet programi më i preferuar dhe i fundit ai më pak i preferuar nga të pesta programet. Për emërtimin dhe ID e programit përkatës i duhet referuar Tabelës nr. 1 të Vendimit nr. 517, datë 01.08.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të 1artë, në ciklin e parë të studimeve, në programet e studimeve jo universitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, si dhe tarifat e shkollimit për vitin akademik 2014 – 2015”;

2. Letër motivimi ku të shpjegojë arsyet e aplikimit si dhe të zgjedhjes së programeve të studimit të përcaktuara në formular prej tij;

3. Fotokopje e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar, të barasvlershme me të në Shqipëri dhe të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS). Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) për shlyerjen e provimeve me zgjedhje nëse kanë dhënë provime të tilla. Ne mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë, respektivisht, vërtetim notash të Maturës Shtetërore dhe provimesh me zgjedhje (nëse kanë dhënë provime të tilla) të lëshuar nga AKP, ose dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në njësinë arsimore vendore (Drejtorinë Arsimore Rajonale), Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit;

4. Fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);

5. Dy fotografi personale.

B) Të verbrit duhet të dorëzojnë edhe:

Fotokopje e noterizuar e librezës së të verbrit, të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror, ose kopje e noterizuar e vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).

C) Para/tetraplegikët, duhet të dorëzojnë edhe:

Fotokopje e noterizuar e librezës së invalidit paraplegjik e tetraplegiik të lëshuar nga

Shërbimi Social Shtetëror ose kopje e noterizuar e vendimit të KMCAP.

 

D) Jetimët duhet të dorëzojnë edhe:

Fotokopje e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga

Shërbimi Social Shtetëror.

E) Romët dhe Ballkano-Egjiptianët, duhet të dorëzojnë edhe:

Vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është Rom apo Ballkano-Egjiptian.

-Konkurset e pranimit zhvillohen pranë IAL-ve përkatëse në datën 4 Tetor 2014, bazuar në aplikimet e paraqitura nga kandidatët sipas afateve të parashikuara në këtë Udhëzim. MAS monitoron konkurset e pranimit dhe procedurat e ndjekura për vlerësimin e studentëve. IAL-të dërgojnë në MAS vlerësimin e kandidatit brenda datës 6 Tetor 2014.

-Komisioni i posaçëm, i përbërë nga zv/ministri i Arsimit, në cilësinë e

kryetarit dhe 4 anëtarë, 2 nga MAS dhe 2 nga Ministria e Mirëqenies Sociale, që vlerëson mbi kriterin e meritës, aplikimet e kandidatëve me statusin përkatës brenda datës 9 tetor 2014. Lista e fituesve të çdo kategorie shpallet dhe i përcillet universiteteve brenda orës 11.00 më 10 Tetor 2014. Kandidatët fitues regjistrohen pranë sekretarisë mësimore brenda orës 12.00 më 15 Tetor 2014, duke paraqitur mandatin e pagesës

së tarifës së regjistrimit prej 100 lekësh.

Transferimi i studimeve dhe regjistrimi në një program të dytë studimi, afatet

Të gjithë ata studentë që duan të transferojnë studimet nga një universitet në një tjetër, apo që duan të ndjekin një program të dytë studimi, kanë afat të aplikojnë deri më 6 tetor. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar procedurat dhe afatet mbi të cilat do të bëhen transferimi dhe regjistrimi në një program të dytë studimi. Për programet e studimit që parashikojnë konkurs për pranimin e tyre, aplikimet kryhen nga data 1 tetor deri në datën 3 tetor 2014. Nga këto kuota, nuk përfitojnë studentët që transferojnë studimet nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilëve u është hequr licenca. Këta të fundit do të aplikojnë sipas Udhëzimit përkatës për ta, Nr. 33 datë 19.09.2014, direkt pranë IAL-ve përkatëse. Transferimi i studimeve mund të bëhet në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm të të njëjtit cikël e tipologji. Ndërkohë, IAL-të nuk mund të pranojnë aplikime për transferime gjatë vitit akademik, por vetëm sipas afateve të përcaktuara në Udhëzimin Nr.36 të datës 01.10.2014, ku të interesuarit mund kërkojnë atë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, në lidhje me dokumentacionin që duhet të paraqesin pranë IAL-ve.

Aplikimet për transferimin e studimeve dhe për program të dytë studimi do të shqyrtohen nga komisionet e ngritura për këtë qëllim nga IAL- të, të cilat më pas do të shpallen edhe fituesit. Pas shpalljes së fituesve, nëse ata nuk paraqiten për regjistrim brenda datës 15 tetor, IAL-të do të vijojë me shpërndarjen e kuotave për kandidatët e tjerë.

 Nis regjistrimi i fituesve në universitete

 Me publikimin e listave përfundimtare fituese në universitetet publike, duke nisur nga dita e djeshme, studentët mund të drejtohen në sekretaritë mësimore të fakulteteve ku janë shpallur fitues dhe të bëjnë regjistrimin përfundimtar. Afati i fundit i studentëve për të bërë regjistrimin në sekretari është data 7 tetor 2014. Për këtë vit akademik do të pranohen në vit të parë rreth 19 mijë studentë në të gjitha universitetet publike. Dokumentacioni që studentët duhet të dorëzojnë është: një mjet identifikimi, dy fotografi si dhe mandat-pagesa prej 1600 lekësh. Studentët që nuk regjistrohen deri në orën 18:00 datë 7 tetor, humbasin të drejtën e studimit. Vendi i tyre do të shpallet bosh në fazën e fundit, nëpërmjet Formularit A3.

Regjistrimet te Artet

 Sekretaritë e Fakulteteve nga data 1 Tetor deri më 7 Tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues. Kandidatet dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues të mëposhtëm:

– Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë, fotokopje);

– 2 fotografi personale;

– Mandat arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.600 Lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare për llogari të UART;

– Deklaratën e paraqitur sipas Udhëzimit Nr. 30 Dt. 12.09.2014 të MAS, e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të Sekretares së Fakultetit dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit.

Ledjana Saliu