Ismet Llapushi/ Kontributi i normalistëve të Elbasanit për arsimin në Gramsh

1992
Sigal

Në Festën e 7 Marsit, banorët dhe ish-nxënësit shprehin respekt për ata që u dhanë dije e kulturë

Për rrethin e  Gramshit, Librazhdit dhe Peqinit është fat që janë ndodhur në një shtrirje gjeografike, duke pasur si qendër të madhe administrative Elbasanin, një qytet i hershëm, i lashtë dhe me tradita te vyera në të gjitha fushat e jetës… Nën ndikimin e   atdhetarëve e të luftëtarëve të shquar mbarëkombëtare përfshirë klubet e Elbasanit, u synua mësimi i gjuhës shqipe. Atdhetari i Gramshit Asllan Shahini, me 26 maj 1909 shkruan: “Ne po ndjekim rrugën e mbrothësisë, duke u përpjekur për gjuhën e bukur shqipe. Me ndihmën e popullit po përpiqemi të ngremë një klub shqip. Për pak ditë çeljen do t’jua rrëfejmë me gëzim të madh”. Dhe kjo ditë erdhi me 29 korrik te vitin 1909, kur atdhetarët më të njohur të Gramshit me përfaqësues nga të gjithë fshatrat organizuan mbledhjen historike për formimin e klubit “Bashkimi” me një këshill prej 17 vetë. Lajmi u bë i njohur menjëherë në qarqet patriotike shqiptare aq sa gazeta “ Liria”  me 15 gusht 1909 shkruan: “Me shumë gëzim mësojmë që në Gramsh u çel një klub shqiptar. Gjithë urimet tona për këtë klub te ri dhe dhëntë Zoti përparoftë!”. Klubi “Bashkimi” i Gramshit ndihmoi në mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Elbasanit, ku dërgoi delegatë të kryesuar nga Telha Beu si dhe një forcë të armatosur për të ruajtur qetësinë.  Kongresi Elbasanit i mbajtur në 2-9  shtator 1909 dhe vendimi për hapjen e Normales së famshme ishin ngjarje madhore për arsimin shqiptar. Në zbatim të vendimeve të këtij Kongresi, shkolla turke e Gramshit më 12 Shtator nga Meitep u kthye edhe në shkollë shqipe me mësues Alo Haca nga Elbasani, duke qenë kështu e para shkollë shqipe në këtë trevë.  Më vonë mësim në këtë shkollë ka dhënë Ali Hoxholli po nga Elbasani. Këta mësues ishin pionierët e parë të Elbasanit që shkelën dhe dhanë dituri në Gramsh. Në vitet e Pavarësisë në këtë trevë funksiononin 4 shkolla shqipe… Pas Kongresit të Lushnjës 1920, u mundësua zhvillimi dhe zgjerimi i arsimit fillor në Gramsh. Duke përfshirë edhe Mollasin në vitin 1920 dhe më pas funksionojmë 15 shkolla fillore në fshatrat Cekin, Gravobë S, Grabovë P, Shënepremte, Vinë, Porocan, Bulcarë, Kishtë, Ermenj, Snosen, Soinik, Berisnik etj.. Mësimi zhvillohej në shtëpi private  dhe në godina te adaptuara. Disa nga mësuesit e këtyre shkollave ishin vendasit File Musai, Zenel Jupa, Demir Koci, Hasan  Dermyshi, Hajdin Bajrami, Demir Llapushi, Baze Cela, Elmaz Hasa, Ismail Zaimi, Xhemal Balliu, Sabri Cekini, Tare Bici, Kozma Prifti, Tare Mema, Vasil Mishku etj., të përgatitur me kurse 1-4 mujore, por rrethanat kërkonin mësues me shkollë dhe ato do të ishin normalistët elbasanas. Elbasani, i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe në Diasporë, si qytet i dijes dhe kulturës, është unikal  në sasinë dhe cilësinë e figurave të përkushtuara në fushën e arsimit. Me dhjetëra mësues normalistë të Elbasanit i gjejnë të kenë punuar në rrethin e Gramshit para Clirimit, si: Abdyl Bajraktari, Ali Beqiri, Ali Duhanxhiu, Ali Demeti, Ali Narazani, Faik Haxhiymeri, Fani Kamami, Hysen Ekmetciu, Jonuz Balla, Krisavgji Llulla, Marie Gashi, Mustafa Balza, Mustafa Demiri, Mustafa Shqerra, Naftali Ndrija, Osman Lufta, Zydi Saraci, Mehmet Urupi etj..  Keta mësimdhënës të përgatitur nga Akademia e Normales, hodhën bazat e një arsimi gjithëpërfshirës në fshatrat e Gramshit. Jo vetëm kaq, por ata përhapen në këtë trevë qytetarinë, civilizimin, emancipimin dhe bashkëjetesën fetare. Për këtë është shumë domethënës martesa e mësuesit Abdyl Bjaraktari, djali i Hoxhës, me vajzën e Priftit mësuesen  Kristafgji Llulla shembull ky që ka ndikuar në bashkëjetesën e dy feve në këtë trevë…  Fjalët e inspektorit Sinella zunë vend midis atyre burrave.  Sipas statistikave nga puna e Normalistëve elbasanas në vitin mësimor 1939-‘40 numërohen rreth 450 nxënës, ku mbi 70 prej tyre ishin vajza. Vlen të theksohet se, në shkollat Grabove A dhe Shenepremte kanë punuar të parat femra mësuese normaliste të ardhura nga Elbasani si: Krisafgji Bajraktari dhe Fani Kamami. Ato u bënë pishtarë të emancipimit të femrave në gjithë trevën e Gramshit, pasi puna e tyre ishte e gjithanshme edhe jashtë mureve të shkollës…Pushtimi fashist tronditi gjithë vendin tonë… Rënia e dëshmorit të parë gramshiot Hamit Dollani krah për krah me Mujo Ulqinakun me 7 prill 1939 ngriti në një shkallë të lartë qëndresën kundër pushtuesve. U mbyllën shkollat ndërsa një pjesë e mësuesve elbasanas rrëmbyen armët për liri… Periudha Qershor- Dhjetor 1944 karakterizohet nga një punë intensive për ngritjen e kurseve kundër analfabetizmit dhe çeljen e shkollave të mbyllura e të reja… Me vendim nr. 12 datë 17.12.1944  Këshilli Nacional Çlirimtar i Qarkut të Elbasanit dërgon mësuesit e parë pas çlirimit në rrethin e Gramshit si: Ali Demeti, Shefki Bishqemi, Mehmet Turhani, Adelina Mullisi, Leon Duda, Agim Shqerra, Demir Sula, të pasuar nga: Nyshtret Muka, Faik Qatipi, Tajar Dylgjeri, Agim Daiu, Petrit Caridha, të cilët ne vitet e para të jetës në çlirim, nisen luftën kundër padijes në këtë trevë duke përhapur dritën e diturisë… Puna e këtyre mësuesve bëri të mundur që në vitin ’45- ‘46 të hapen 17 shkolla fillore me 893 nxënës e 19 mësues. Në shtator të vitit 1949 numri i shkollave fillore arrin në 39 me 2419 nxënës e 57 mësues… Në Shtator të ’49-s çelet në qendër të Gramshit e para shkollë 7-vjeçare, klasa e pestë, me 23 nxënës, mësues i së cilës ishte Demir Beluli nga Mollasi i Elbasanit. Në vitin 1955 në rrethin e Gramshit funksionojnë rreth 51 shkolla fillore, ku punonin kryesisht mësues nga Elbasani. Përmendim, këtu, mësuesit që punuan me vite e në periudha të ndryshme duke e ngritur arsimin në këtë trevë në nivele të përparuara si: Mustafa Demiri, Ali Narazani, Sali Cala, Kadri Kashari, Engjëll Xhoda, Shefki Dardha, Dituri Dardha, Tajar Dylgjeri, Pellumb Isai, Ruzhdi Ballici, Ymer Shypheja, Mahir Ceka, Sadik Cengeli, Islam Lamce, Ymer Tola, Agim, Lavdie e Sefedim Trungu, Ikbal Fagu, Shefikat Shehetila, Xhevdek Ekmekciu, Mahmut Peni, Ehtem e Avni Mujallonuzi, Ali Miraku, Zydi Rama, Ehtem e Jalldyz Dakli, Hasip Delimeta, Fatos e Burbuqe Burburia, Dylaver Shkodra, Rushan Krypa, Shpëtim Haxhihyseni, Atlije Blliku, Shyqyri e Skënder Grada,Xhevit Beluli, Ndricim Sheguni, Albert Delimeta, Skender Isai, Shpetim Kurmaku,Genc Nosi,Mahmut Peni, Adem Paralloi, Tajar e Pellumb Beluli, Naim e Nashifer Cerraga, Eta Bicaku, Eduart Nosi, Dhimitra Shuteriqi, Gugushe Sejdini, Dhurata Domni, Arqile Ferracaku, Avni e Liri Isai, Eqerem Isai, Shazivar Strugani, Reshit dhe Liri Koburja, Kristaq Binjaku, Flamur Harri, Jalldyz Baxhaku, Adelinda Tabaku, Riza Eminai, Idaete e Shpresa Bulcari, Tomorr Kazazi, Myzafere Eminai, Luan Eminai, Shpetim Bulcari, Fuat Xhumaqi, Nexhmedim Kuqi, Ibrahim Sejdini, Zejnepe Tabaku, Kristo Poçi, Jani Berdufi, Elda Berdufi, Zana Berdufi, Agim Harja, e qindra te tjerë, pasi numri i tyre është i madh, ai i kalon të gjashtëqind. Nga duart e këtyre mësuesve dolën edhe mësuesit e parë vendas me arsim të mesëm pedagogjik si: Tomorr Zani, Nefail Dyrmyshi, Nevruz Zani, Hekuran Zaimi, Xhaferr Lila, Ismet Llapushi, Myfil Balliu, Avni Mato, Jonuz Xhangolli, Zyhri Bajrami, Abedin Bici, Guri Shtylla, Shefqet Elezi, Avni Xhelili, Hysen Godole, Petrit Basha,Enver Qosja, e dhjetëra të tjerë të cilët kanë punuar me te njëjtin përkushtim si mësuesit elbasanas. Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë dhe: Dr. Reshit Koburja, nga Elbasani, mbaruar Universitetin e Tiranës, dega gjuhë letërsi Ruse, i cili shërbeu si mësues deri drejtor shkolle, Thoma Qerjazi nga Korca, Xhevdet Hajazi nga Gramshi, Mbaruar Universitetin ne Leningrad, Aleko Ballauri nga Korca, Bashkim Tabaku nga Elbasani, Hamit Zajmi nga Tirana, mbaruar në Hungari, Kasëm Trebeshina nga Tirana, shkrimtar disident, Kolec Topalli nga Shkodra, Albert Delimeta nga Elbasani, Bujar Shqerra nga Elbasani, Luan Qorri nga Durrësi, Avni Isai nga Elbasani, Meleq Shahu nga Korça, Vangjush Saro  nga Korca… Vlen të përmendim edhe disa personalitete apo figura gramshiotë, të cilët janë frut i punës së mësuesve të Elbasanit, si: Prof. Dr. Zyhri Bajrami, punonjësi shkencor Demir Dërmyshi, Dr. Mahmut Xhelili, Dr. Estref Bega, Dr. Nevruz Koci, Dr. Kastriot Hasa,  si dhe i drejtuesve dhe inspektorëve vendas:  Hekuran Zaimi, Nefail Dyrmyshi, Dervish Zaimi, Ismet Llapushi, Ibrahim Ibrushi, Hysen Godole, Luan Llaha, Xhevit Dyrmyshi, Koci Zhupani, Abedin Bici, Ladi Muka, Hysen Godole, Avni Xhelili, Petrit Basha, Ramazan Llaha etj.. Edhe sot, pas mbi gjysmë shekulli, në familjet gramshiote dhe në individë të veçantë, kur flitet për arsimin tek banorët e këtij rrethi, nuk mungon vlerësimi për punën e palodhur të vajzave dhe të djemve, mësues nga  Elbasani, të cilët lanë rininë e tyre në këtë trevë…