Islam Alikaj/ Tekstet e matematikës për gjimnazin dhe provimet e maturës shtetërore

1347
Sigal

*Matematikan

Deri në vitin 2008 në gjimnazet tona ishin në përdorim tekstet mësimore të matematikës për dy nivele: profili natyror dhe profili shoqëror. Në vitet 2009 – 2011, edhe për gjimnazet hyri në veprim Alterteksti. Konkurrenca solli një ndryshim të madh cilësor në hartimin e teksteve mësimore sipas dy programeve bashkëkohore:

–          Programi i matematikës bërthamë

–          Programi i matematikës së avancuar.

Sot janë në përdorim tekstet më të mirë alternative të dy ose tre shtëpive botuese.

Matematikanët e MASH ndërtuan programe të ngjashme me ato Europiane. Shumëkush mund të mos e besojë, por kjo është e vërtetë. Për t’u bindur, mjafton të krahasojmë tekstet mësimore të Matematikës për maturën tek ne, me ato në Gjermani, Spanjë, Itali, Francë, Greqi etj.

Matematika në Shqipëri versus Gjermani

Konkretisht le të shqyrtojmë Matematikën e maturës në Gjermani. Mësimi zhvillohet me dy tekste; një për teorinë dhe tjetri për ushtrimet. Tek ne janë së bashku teoria dhe ushtrimet në dy tekste me emërtimet: Matematika bërthamë dhe Matematika e avancuar. Përmbajtja e lëndës në tekstin e maturës në Gjermani është e njëjtë me shumën e përmbajtjeve në dy tekstet tona të Matematikës bërthamë dhe Matematikës së avancuar.

Shumë kapituj i kemi gati me numër të njëjtë paragrafësh.

Psh: njehsimi diferencial, njehsimi integral, numrat kompleksë, matricat, vektori në hapësirë, drejtëza dhe plani në hapësirë, janë kapituj të njëjtë për nga përmbajtja, niveli, gjuha matematike etj.

Ka kapituj me nivele të ndryshme dhe me numër jo të njëjtë paragrafësh.

Kapitulli “Vijat e fuqisë së dytë”, zhvillohet tek ne për 30 orë në nivel të ngritur, ndërsa tek ata zhvillohet për 8 orë pa u thelluar, bie fjala, ekuacionin e tangentes ndaj këtyre vijave nuk e trajtojnë. Kapitulli  “Njehsimi kombinator, probabiliteti, statistika”, zhvillohet tek ne për 18 orë, ndërsa më i thelluar me 32 orë tek gjermanët. Kapitulli “Ekuacionet diferencialë”  zhvillohet në 7 orë tek ata, kurse tek ne nuk zhvillohet (dhe mirë është bërë). Kapitulli “Zbatime të matematikës në shkencë”, 11 orë tek ne, ndërsa në maturën gjermane nuk zhvillohet në teori, por i jepet vend të bollshëm në tekstin e ushtrimeve.

 

Provimet e Maturës tek ne dhe më gjerë

Krejt ndryshe është niveli i provimeve të Matematikës për maturën. Gjatë 20 vjetëve ne kemi ndërruar tri herë modelet e tezave të provimit, gjë që nuk ka ndodhur në Gjermani apo Itali. Në Gjermani për çdo vit tezat e provimit janë të njëjta nga forma, por gjithmonë me problema, përmbajtje dhe kërkesa cilësore të ndryshme.

Teza ka vetëm një problem me një ose dy funksione me një ndryshore, të cilët pasqyrojnë gjithmonë dukuri teknike, mjekësore, bujqësore, sociale etj. Ky problem ka 5-6  kërkesa aspak të lehta për ata që i shohin për herë të parë. Për zgjidhjen e këtyre kërkesave gjithmonë jepen rreth 30 udhëzime udhërrëfyese për maturantin.

Ja një problem i dhënë për provimin e maturës, në Gjermani:

“Në një hartë jepen për studim dy linja hekurudhore të cilat kalojnë sipas grafikëve të dy funksioneve:

f(x)                      dhe      g(x) =

a)      Zbuloni tri cilësi thelbësore të dy grafikëve

b)      Në një pikë P me koordinatat e dhëna do të ndërtohet një degëzim hekurudhor sipas funksionit h(x)=…………

c)      Ndërmjet degëzimit dhe njërës linjë hekurudhore është një sipërfaqe toke. Të gjendet madhësia e kësaj sipërfaqeje.

d)     Të gjendet kostoja për ndërtimin e kësaj linje nëse …..

e)      Gjeni në linjën e re, intervalin e kthesës më të fortë.

Në Gjermani, maturanti aftësohet të zgjidhë probleme të tilla, vetëm duke studiuar literaturën e përvitshme që botohet çdo janar, nën titullin “Finale prüfungstraining” – Përgatitja përfundimtare për provim.

Në këtë libër maturanti pasi zgjidh 15 detyra me punë të pavarur ose me ndihmën e mësuesit, i nënshtrohet 12 provimeve: 4 provime për analizën matematike, 4 për algjebrën lineare dhe gjeometrinë analitike, 4 për probabilitet – statistikë.

Përveç kësaj, në Gjermani dhe Itali, çdo vit botohen të zgjidhura tezat e provimit të maturës në Matematikë, që nga viti 2006. Kështu që maturanti për t’u ulur i përgatitur në provim ka 4 libra: teksti i teorisë, teksti i ushtrimeve, dhe dy librat e mësipërm.

Teza e provimit në Itali përmban dy problema me nga 4 kërkesa dhe 10 ushtrime. Çdo maturant ka të drejtë të zgjidhë njërin nga dy problemat dhe 5 nga 10 ushtrimet. Teza e plotë e dhënë në Itali, në vitin 2008, ndodhet në librin “Matematika Bërthamë” e autorit I.Alikaj.

Në Spanjë, për t’u pranuar në universitet jepen konkurse të matematikës të ngjashme me testet tona të matematikës.

Pse ngelën maturantët në Matematikë?

Përse këtë vit nuk e kaluan provimin një numër i madh maturantësh të gjimnazeve tona? Mësuesit dhe tekstet ishin po ato të viteve të shkuara. Testi këtë vit ishte i mirëpërgatitur për nxënësit cilësorë, por kishte 5 ushtrime që nuk kishin të ngjashmit e tyre në testet e viteve 2012-2013, gjë që i befasoi nxënësit e nivelit të notave 5-6. Veç kësaj, shumë mësues punojnë me teste të kohës së kaluar. Nëse ti, o mësues, përdor teste të profilit shoqëror për nxënësit e një mature dhe teste të profilit natyror për një maturë tjetër, po të them se nuk i njeh udhëzimet e MAS për Maturën Shtetërore të përgatitura nga IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit).

Ashtu si në Gjermani, Itali etj, edhe tek ne, nxënësi ka tekstet mësimore dhe librat “Për përgatitjen e provimit të maturës” në Matematikën bërthamë dhe Matematikën e thelluar. Këto libra ndodhen në libraritë kryesore të qyteteve, por merren me vështirësi nga nxënësit, sepse mësuesit nuk ua bëjnë të njohura, pasi nuk lejohen nga drejtorët e tyre. Arrihet deri aty sa mësuesi apo mësuesja kanë frikë të marrin falas këto libra.

 A duhet të ndryshojmë modelin e testit të provimit për t’u afruar me modelet gjermane apo italiane?

Në asnjë mënyrë nuk duhet bërë ndryshim. Modeli ynë është perfeksionuar gjatë 15 vjetëve dhe ai gjerman apo Italian gjatë 20 vjetëve. Këto modele janë krejtësisht të ndryshëm. Në Gjermani si çdo vit tjetër, shumë nxënës, për vitin shkollor 2014-2015, do të vazhdojnë shkolla profesionale një deri dy vjeçare. Vetëm në Hannover në këto shkolla mësohen mbi 350 profesione. Është kjo një ndër arsyet që në gjimnazet gjermane nuk shkon çdo lloj nxënësi. Tekstet mësimore teorike i kemi shumë të ngjashme dhe të një niveli shkencor që e përgatisin maturantin për të përballuar me sukses programet universitare.