Institucionet arsimore “në vend numëro”, sa i përket emërimit të psikologëve në shkolla

715
Edhe pse adoleshentët ne vendin tonë janë duket kaluar një periudhë jo fort të mirë, sa i përket marrëdhënieve me bashkëmoshatarët, familjen, prindërit dhe komunitetin që i rrethon, përsëri nuk është marrë asnjë masë në lidhje me shtimin e numrit të psikologëve në shkollat e vendit edhe pse problematikat nuk kanë qenë të pakta, në disa raste dhe deri në tragjedi. Kur dihet fare mirë roli i psikologut në një institucion arsimor dhe problematikat që kanë pasur këto institucione në lidhje me mungesën e një psikologu, edhe këtë vit nuk është bërë asnjë lëvizje për shtimin e numrit të psikologëve në shkolla. Nuk dihet pse ndodh kjo problematikë, por ajo që dihet mjaft mirë, dhe që pohet si problem edhe nga mësuesit e shkollave, ka të bëjë me kërkesën e madhe nga ana e adoleshentëve për konsulta me psikologët, të cilët nuk janë në dispozicion kur duhen, kjo sepse janë të punësuar “part-time” dhe që këta të fundit duhet të mbulojnë 4 deri në 5 shkolla.
Drejtoritë e shkollave pranojnë problemin e mungesës së psikologut
Problematika e mungesës së psikologut në shkolla është një problem i vjetër, me të cilin janë të detyruar të përballen të gjitha drejtoritë e shkollave dhe mësuesit, problem për të cilin kërkohet një zgjidhje nga ana e Ministrisë së Arsimit, edhe pse kërkesat ndaj këtij institucioni nuk kanë munguar. Vetë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, kryesisht të gjimnazeve pranojnë, se roli i psikologut në shkollë është mjaft i rëndësishëm, pasi shumë situata të papëlqyeshme të ndodhura në këto shkolla, mund të ishin parandaluar në rast se prezent do të kishte qenë një psikolog, për të zhvilluar konsulta me nxënësit. Mësuesit janë të detyruar të pranojnë ndryshimet që ndodhin në këtë periudhë me adoleshentët, ndryshimet të cilat në shumë raste kthehen në probleme dhe që shqetësojnë këta arsimtarë. Kjo duke filluar që nga marrëdhënia që krijojnë adoleshentët me njëri-tjetrin, me familjen, prindërit dhe komunitetin që i rrethon, duke shtuar dhe vështirësitë ekonomike që sot kanë shumica e familjeve shqiptare. Mungesa e komunikimit, sipas mësuesve, nxit akoma më shumë rëndësinë e psikologut në gjimnaze, shkolla 9-vjeçare, si dhe në universitete. Mësuesit pranojnë rregullsinë sa i përket sigurisë fizike në shkolla, por bëjnë thirrje për vendosjen e psikologëve me kohë të plotë në shkolla, pasi është mjaft e nevojshme, kjo duke parë problemet e përditshme që kanë adoleshentët, probleme me të cilat mësuesit duhet të përballen çdo ditë në mungesë të një psikologu.
Ministria e Arsimit asnjë masë në lidhje me këtë problem 
Edhe pse janë në dijeni të situatës, se në shkollat e vendit, një psikolog “i jashtëm” është i detyruar të mbuloja 4 deri në 5 shkolla, përsëri ky institucion për këtë vit të ri shkollor, nuk ka marrë asnjë masë për rregullimin e kësaj situate. Premtimet e shumta për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, sigurisë, mbështetjes ekonomike, ka lënë në harresë rolin e psikologut në arsim, edhe pse roli i këtij të fundit është mjaft i nevojshëm, më së shumti në arsimin e mesëm, ku problematikat e shkaktuara nga adoleshentët janë më të mëdha. Ndryshimet për vendosjen e psikologëve në shkolla nuk janë bërë as këtë vit të ri shkollor, duke lënë të kuptohet se problemet në gjimnazet e vendit, por jo vetëm nuk do të mungojnë dhe kjo në disa raste, si pasojë mungesës së psikologëve dhe neglizhencës nga ana e Ministrisë së Arsimit për emërimin e një psikologu në çdo shkollë. 
Sigal