Idrizi: Universiteti i Elbasanit, nevojë urgjente për rektor dhe ekip të ri

728
Prof. Asoc. Dr. Altin Idrizi ka përfunduar studimet e larta Bachelor dhe Master i Shkencave në Financë në Universitetin për Ekonominë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Sofie të Bullgarisë. Atje përfundon edhe studimet e doktoraturës dhe në vitin 2011, fiton gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në fushën e Financës. Ai ka ndjekur dhe një mori kualifikimesh pasuniversitare, ku ndër të tjera mund të përmendim një kualifikim 6 mujor për tregtinë ndërkombëtare organizuar nga Instituti për Formimin Profesional pranë Dhomës së Tregtisë së Madridit, Spanjë. Në prill të vitit 2015 merr titullin “Profesor i Asociuar”. Në vitin 2004 fillon karrierën e tij si pedagog pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe një vit më vonë emërohet shef i katedrës Financë – Kontabilitet, post të cilin ai e mban deri në fund të vitit 2013. Pas zhvillimit të zgjedhjeve për postin e dekanit në dhjetor të vitit 2013, ai zgjidhet dekan i Fakultetit Ekonomik.Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai ishte në listën e kandidatëve për deputet në radhët e LSI- Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe dha një kontribut të shquar në rezultatin e lartë që arriti kjo forcë politike në Qarkun e Elbasanit. Prof. Idrizi ka publikuar një mori tekstesh universitare, të cilat përdoren nga studentët si materiale bazë për lëndë të tilla si “Paraja dhe Bankat”, “Bazat e Financës”, “Tregjet dhe Institucionet Financiare” si dhe një mori botimesh dhe kumtesash në konferenca dhe buletine shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Zoti Idrizi, prej disa vitesh jeni Dekani Fakultetit Ekonomik të UE, cili është raporti mes profesionit tuaj dhe postit dhe sa i realizuar ndjeheni?
Unë e adhuroj profesionin tim. Shpesh herë u them miqve të mi se çfarëdo posti që mund të marr në jetë, asnjëherë nuk do të heq dorë nga mësimdhënia. E kam pasur ëndërr fëmijërie që kur të rritesha të bëhesha mësues matematike, pasi matematikën e kam pas lëndën time të preferuar. Transmetimin e dijeve nga brezat më të vjetër tek brezat e rinj e shikoj jo vetëm si një detyrim moral, shoqëror, patriotik por edhe si një mision fisnik dhe kënaqësi profesionale. Unë jam shumë kërkues ndaj vetes, kështu që asnjëherë nuk mendoj që jam realizuar plotësisht. Tashmë kam një eksperiencë 12-vjeçare nëpër auditore dhe në pozicione drejtuese në Fakultet dhe kjo më ndihmon shumë në punën time të përditshme, por profesionet, sidomos ai i pedagogut, janë gjithmonë dinamikë dhe ti duhet të jesh gjithmonë i përditësuar dhe në një hap me ndryshimet dhe të rejat e fundit. 
Çfarë mund të na thoni për eksperiencën tuaj në postin e dekanit të Fakultetit Ekonomik?
Tashmë u bënë mbi 2 vjet në këtë post dhe duhet ta pranoj që këto kanë qenë muajt më të ngarkuar të karrierës time profesionale dhe kjo për disa arsye: Së pari, që me marrjen e detyrës si dekan i këtij fakulteti, doja t’i jepja atij një dimension të ri, një reputacion të ri dhe ta ktheja atë në një ambient ku të gjithë pedagogët dhe studentët të vinin me dëshirë për të punuar dhe për të studiuar. Së dyti, doja që fakulteti të krijonte lidhje të ngushta bashkëpunimi me të gjitha fakultetet e tjera ekonomike, por jo vetëm, në vend dhe jashtë tij, duke e ngritur atë në një stad më të lartë. Së treti, doja që fakulteti, por edhe Universiteti i Elbasanit, të aplikonte dhe të merrte pjesë në sa më shumë projekte ndërkombëtare. Së fundmi, por jo për nga rëndësia, doja që studentët të merrnin pozicionin që u takonte dhe të luanin rolin e tyre në vendimmarrjen e fakultetit. 
Sa mendoni se i keni realizuar këto objektiva, edhe pse koha ka qenë shumë e shkurtër?
Gjatë kësaj periudhe nën drejtimin tim dhe të stafit akademik të fakultetit janë organizuar shumë takime dhe aktivitete që kanë pasur si qëllim kryesor arritjen e këtyre objektivave. Kështu mund të përmend botimin në mënyrë periodike të Buletinit Informativ, gazetë studentore e përmuajshme, që në radhë të parë do të informonte studentët mbi çdo gjë që ndodhte në fakultet përgjatë një muaji, së dyti do të angazhonte vetë studentët në drejtimin e gazetës në mënyrë që botimi të bëhej nga vetë studentët për vetë studentët. Po ashtu janë organizuar aktivitete të ndryshme si një kampionat shahu me pjesëmarrje të gjerë të studentëve dhe pedagogëve, në fund fituesi mori dhe një shpërblim financiar të siguruar nga sponsorizimi i një biznesi lokal. E njëjta gjë ndodhi dhe me konkursin për videoklipin më të mirë promovues të fakultetit, ku studentët me fantazitë dhe aftësitë e tyre realizuan disa videoklipe promocionale për fakultetin ekonomik dhe fituesit në fund u shpërblyen me mjete monetare të siguruara nga sponsorizimi i një televizioni lokal. Këto aktivitete kishin si qëllim kryesor angazhimin e studentëve në aktivitete të tilla jashtë auditorëve, për ta kthyer fakultetin në një vend ku nuk shkohet vetëm për të ndjekur leksione dhe dhënë provime. Po ashtu të shumta kanë qenë dhe takimet e hapura me figura të njohura të fushës së ekonomisë, por jo vetëm, për studentët e fakultetit si dhe marrëveshjet e shumta të nënshkruara me institucione të tjera të AL, publike dhe private, që kanë pasur si qëllim forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit të fakultetit me institucionet e tjera me qëllim rritjen e cilësisë nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave. Një pikë e fortë e Fakultetit Ekonomik ka qenë dhe mbetet pjesëmarrja në projekte të ndryshme të financuara nga Komuniteti Evropian si Tempus dhe Erasmus Mundus. Për një pjesë të mire të këtyre projekteve unë kam qenë aplikuesi kryesor dhe njëkohësisht dhe koordinator lokal për të gjithë Shqipërinë. Kështu mund të përmendin projektin Euroweb – një projekt Erasmus Mundus, nëpërmjet të cilit bëra të mundur që mbi 40 studentë të fakultetit dhe të UE të përfitonin bursa të plota për një vit akademik në universitete të ndryshme partnere nga vendet e BE-së. Aktualisht jam koordinator dhe person kontakti edhe për dy projekte të reja Erasmus Mundus, të cilat u shpallën fituese në Qershor të vitit 2014, nga të cilët mund të përfitojnë bursa një-vjeçare apo të kryejnë studime të plota Master mbi 100 studentë të UE, por edhe nga e gjithë Shqipëria. Por ajo që është më e rëndësishme për mua ka qenë puna që kemi bërë deri tani për t’i kthyer studentët dhe zërin e tyre në vendin që u takon. Kështu për shembull që në fillim të mandatit tim u krijua institucioni i avokatit të studentëve që kishte dy qëllime kryesore: të merrej me dhe të mundohej të zgjidhte të gjitha ankesat e studentëve dhe nga ana tjetër të bënte të mundur organizimin e tyre në organizata studentore, në mënyrë që ata vetë pastaj të merreshin me ankesat e ndryshme dhe të mundoheshin t’i zgjidhnin ato vetë apo në bashkëpunim me dekanatin apo rektoratin. Po ashtu ne vetë si dekanat filluan të bëheshim më të ndjeshëm ndaj zërit të studentëve, u krijuam atyre mundësi të flisnin hapur por edhe nëpërmjet ankesave anonime (duke u vënë në dispozicion një kuti ankesash) në mënyrë që të ishin studentët në qendër të jetës akademike, studentore dhe sociale në Fakultet. Padyshim që mbetet akoma shumë punë për të bërë, por mendoj që jemi në rrugë të drejtë.
Cili është qëndrimi juaj ndaj reformës në arsimin e lartë që ka ndërmarrë qeveria?
Padyshim që kishim arritur në një fazë, ku një reformë e tillë rrënjësore në arsimin e lartë ishte bërë e domosdoshme. Rritja pa kriter e numrit të kuotave të studentëve që pranoheshin në universitete pashmangshmërisht u shoqërua me një rënie drastike të cilësisë së studentëve nga njëra anë dhe të mësimdhënies, për shkak edhe të ngarkesës së madhe apo punësimeve në disa IAL të pedagogëve, nga ana tjetër. Por ajo që më shqetëson mua është fakti që komisioni, i cili u mor me hartimin e reformës, nuk pati kohën e duhur në dispozicion për të bërë një analizë më të hollësishme të pasojave dhe efekteve financiare që do të kenë masat që komisioni propozoi të ndërmerren në kuadër të kësaj reforme. Vitin e ardhshëm akademik ne presim një rënie të numrit të studentëve për shkak të vendosjes së notës mesatare si kriter pranimi në universitet, por edhe për shkak se një pjesë e mirë e maturantëve këtë vit nuk arritën të kalonin provimet e maturës, duke humbur kështu automatikisht të drejtën për të vazhduar studimet e larta. Padyshim që kjo rënie e numrit të studentëve do të jetë më e madhe për universitetet e rretheve, sesa për universiteteve e kryeqytetit dhe këtu lind dhe shqetësimi im kryesor në lidhje me këtë reformë – çfarë pasojash do të ketë kjo për universitetet e rretheve? Unë pres që një numër i madh programesh studimi nuk do të sigurojnë dot numrin minimal të studentëve për t’u hapur dhe do të detyrohen të mbyllen. Drejt mbylljes do të shkojnë dhe një numër departamentesh apo dhe fakultetesh duke vënë kështu në rrezik ekzistencën e vetë universiteteve. Për sa i përket anës financiare të reformës, ulja e numrit të studentëve do të çojnë në uljen e të ardhurave për universitetet. Edhe pse sipas Komisionit për Reformën në AL, kjo ulje e të ardhurave për universitetet do të kompensohet nga njëra anë nga rritja e fondeve nga ministria, por në pjesën më të madhe nga rritja e tarifës së studimit në universitet, mirëpo kjo rritje e tarifës së studimit do të çojë me tej në uljen e numrit të studentëve, të cilët mund t’ia lejojnë vetes të ndjekin shkollën e lartë. Se ku do të jetë pika e ekuilibrit, këtë vetëm koha mund ta tregojë. Ajo që unë mbështes fuqimisht nga kjo reformë është angazhimi që do të ketë Ministria Arsimit në mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer – dhe unë këtë e shoh jo vetëm si një detyrim moral tonin për të mbështetur sa më shumë, në të gjitha drejtimet, studentët e shkëlqyer por ajo që është më e rëndësishmja, kjo do të çonte në një rritje të dëshirës për të studiuar më shumë dhe për të arritur rezultate më të larta në mësime nga ana e studentëve, ç’ka do të çonte në një rritje të nivelit të studentëve dhe më tej në një rritje të nivelit të përgjithshëm dhe të cilësisë së mësimdhënies. Padyshim që shtresat në nevojë do të kenë mbështetjen e tyre financiare nga ana e qeverisë, por kjo duhet të bëhet kryesisht në vitet e para. Pastaj vetë studentët mund të shfrytëzojnë lehtësitë apo mbështetjen financiare për rezultate të larta të arritura në mësime. Pra sipas meje duhet të ketë një ndryshim për sa i përket kuotave të atyre që përfitojnë mbështetje financiare nga qeveria dhe të vetë kuotës së përfitimit për kategori të ndryshme. Rëndësi më të madhe për të ardhmen e kombit ka mbështetja financiare për studentët që arrijnë rezultate të larta në mësime.
Jemi në prag zgjedhjesh për drejtuesit e rinj të universiteteve publike. Cili është mendimi juaj për këto zgjedhje dhe si e shikoni ju rektorin e ri?
Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar akoma, ne presim që të zhvillohen zgjedhje për postet drejtuese në universitetet publike brenda një kohe të shkurtër. Për mendimin tim, këto zgjedhje duhet të bëhen sa më shpejt, në mënyrë që ekipi i ri të fillojë menjëherë nga puna. Përshtatja e kurrikulave dhe e programeve të studimit me kërkesat e tregut të punës, përshtatja e strategjisë së zhvillimit të strukturave kryesore në përputhje me ndryshimet në ligjin e ri për Arsimin e Lartë, hapja e universiteteve publike dhe ndërkombëtarizimi i tyre, ofrimi i programeve të ndryshme të studimit plotësisht në gjuhë të huaja janë disa kërkesa të kohës, që janë bërë të domosdoshme dhe jetike për ekzistencën e vetë universiteteve publike. Pikërisht këto janë disa nga pikat kryesore që duhet të përfshijë në strategjinë e zhvillimit të universitetit, rektori i ri.
Sigal