Sigal

Agron MEMA

Himarë/Akti i dhurimit të rreth 200 titujve të librave artistikë në Bashkinë e Himarës nga i riu sarandjot Eri Sulo paraditen e së enjtes është kthyer në një festë të vërtetë kulturore me recitime, fjalime, valle e trokitje gotash. I riu sarandjot Eri Sulo është diplomuar në SHBA në Domenikan Universyti për Corporate Communikation, por nuk ka preferuar të qëndrojë në SHBA, por të kthehet dhe të gjejë veten në Shqipëri duke u punësuar si administrator i Hotel “Lindi” në Sarandë, nga hotelet më prestigjiozë të këtij qyteti, në Albanian Ebassy to the US, në Ministry for Europe and Foreing Affaris, në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit Tiranë etj. Bashkia e Himarës, në bashkëpunim me shkollën e mesme “Spiro Gjiknuri”të qytetit kanë organizuar një ceremoni festive duke e cilësuar këtë rast si një event të rëndësishëm kulturor.

Drejtoresha e shkollës Albana Todhri në fjalën e saj të hapjes së ceremonisë ka vlerësuar dhurimin e librave që i shtohen bibliotekës së shkollës së qytetit të Himarës duke nënvizuar edhe rëndësinë qa ka libri kur shkon në duart e lexuesit e, sidomos në ato të rinisë. Fjala e kryetarit të Bashkisë së Himarës, krahas superlativave dhe vlerësimeve për Eri Sulon, ka folur për rëndësinë që ka studimi dhe zhvillimi kulturor i brezit të ri në situatat e sotme dhe se libri është ai që do të jetë bashkudhëtari në sfidat e sotme të shoqërisë shqiptare, ndaj ai nuk duhet të ndahet nga duart e gjithsecilit. Zoti Goro ka premtuar se së shpejti qyteti do të ketë një qendër komunitare model siç i takon këtij komuniteti të qytetit bregdetar dhe kjo qendër do të ketë edhe një bibliotekë të pasur.

Vetë Eri Sulo, para dhjetëra të pranishmëve në ceremoni, intelektualë, shkrimtarë dhe nxënës, është shprehur se ka qenë një dëshirë e hershme e familjes së tij për të dhuruar diçka qytetit të Himarës dhe ja ku u realizua sot, por ky nuk është fundi, se dhuratat për këtë qytet do të vijojnë dhe sidomos për shkollën, Ai ka theksuar se fare mirë mund të rinte në SHBA, por mendoi të japë kontributin e tij në atdheun e vet dhe i bëri thirrje rinisë shkollore që të shkollohen brenda e jashtë vendit, por të kthehen në vendin e tyre për të dhënë kontributet intelektuale dhe profesionale.

“Ndokush mund të më pyesë se pse nuk i dhurova këto libra në qytetin tim të lindjes, Sarandë, por përgjigja ime, përtej asaj që thashë më lart, është se në vendin ku u arsimova, në tempullin e demokracisë botërore, nuk ka komplekse sentimentale të varura nga etnitetet, racat dhe dasitë gjeografike, ndaj në Amerikë jam Eri nga Shqipëria dhe në Shqipëri Eri nga Saranda, Himara e gjithë qytetet. Recitimet, këngët dhe vallet me okelion e dashurisë për librin kanë vijuar me koktejl dhe dhënien e “Certifikatës së Mirënjohjes” nga ana e bashkisë së Himarës zotit Eri Sulo.