Hetim për dy ish-drejtorë gjimnazesh në Elbasan

458
Sigal

Diploma dhe dëftesa false

Zbulimi i disa rasteve të dëftesave dhe diplomave të shkollës së mesme të falsifikuara, ka detyruar Krimin Ekonomik në Elbasan të nisë hetimin për dy ish-drejtorë gjimnazesh dhe disa persona të tjerë në funksionin e vartësit. Burimet nga policia dhe grupi hetimit thanë për “Telegraf” se “rastet janë zbuluar pas verifikimit të disa diplomave apo edhe më keq akoma të dëftesave nga shkollat 9-vjeçare, për personat që kanë paraqitur CV e tyre për vende pune, bëhet fjalë për firmat e dy ish-drejtorëve në gjimnaze, po hetojmë vërtetësinë e tyre, më pas do të nisin procedimet penale”. Elbasani njihet si qyteti që ka qenë dhe mbetet furnizues me dëftesa dhe diploma false edhe për mjaft personazhe të njohura të jetës politiko-shoqërore të vendit. Duke nisur nga kryetarë komunash e bashkish, njerëz të punësuar edhe në administrate e duke përfunduar edhe tek ndonjë politikan, Elbasanin e kanë pasur si burimin e tyre për tu pajisur me dëftesa dhe diploma. Organet e specializuara kanë nisur hetimet e saj për të zbuluar ndoshta personazhe të rrjetit të falsifikatorëve të këtyre diplomave, që pasi janë blerë nga 500 deri 600 euro, janë futur në dokumentacionin personal (CV) të personave që kërkojnë vende pune. Në disa raste Elbasani ka qenë edhe më parë objekti i prokurorisë dhe Krimit Ekonomik, pasi në shkollat e tij mbusheshin, firmoseshin dhe vuloseshin dëftesa dhe diploma false dhe më pas shiteshin kundrejt vlerave të kënaqshme financiare. Gjashtë  vjet më parë, u zbulua dhe godit një rrjet i ngjashëm falsifikatorësh dëftesash dhe diplomash, ku protagonistë ishin drejtorë dhe nëndrejtorë shkollash, si dhe mësues e sekretare. Dëftesat dhe diplomat e falsifikuara në Elbasan, do ti gjesh në shumicën e qyteteve dhe komunave të vendit. Rastet e fundit kanë detyruar Krimin Ekonomik të ndalet seriozisht dhe të nisë hetimin duke vënë nën përgjim personat e dyshuar. Bëhet fjalë ndoshta për një rrjet të sofistikuar që prej vitesh ka pasur si aktivitet  ilegal, mbushjen, firmosjen, vulosjen dhe shitjen e dëftesave dhe diplomave false të shkollave të mesme edhe në Gramsh, Librazhd e Peqin. Ky fenomen sipas hetimeve paraprake ka pasur shtrirje edhe në shkollat e disa qyteteve të tjera të Prefekturës së Elbasanit, ndaj rrethi i hetimit sa vjen e zgjerohet.

Ben Delimeta