Harizaj: Procedura e plotësimit e njëjtë, edhe për datat 6 dhe 7 gusht

469
Sigal

Zyrtare/ Shtyhet afati i plotësimit të formularit A2, për nxënësit që nuk e plotësuan dot brenda afateve

Shtyhet afati i plotësimit të formularit A2 për nxënësit, të cilët e kanë bërë plotësimin gabim ose për arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta plotësojnë brenda afateve të përcaktuara. Sipas vendimit të fundit të Ministrisë së Arsimit, maturantët, që për arsye të caktuara nuk mundën ta plotësojnë formularin A2, u lejohet ta plotësojnë atë në datat 6 dhe 7 gusht. “Të gjithë maturantët që nuk mundën të plotësojnë formularin A2 në datën e caktuar për rrethin e tyre, do të lejohen ta plotësojnë atë në datat 6 dhe 7 gusht 2013. Ata që  kanë bërë pagesën jashtë afateve zyrtare, të paraqiten në Drejtorinë ose Zyrën arsimore me mandat pagesën, certifikatën e notave dhe letërnjoftimin (kartën e identitetit) për të plotësuar formularin”, thuhet në njoftimin e MASH-it. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj shprehet për  “Telegraf” se edhe për maturantët që do të aplikojnë në këtë mundësi të dytë, pra në datat 6 dhe 7 gusht, do të jetë e njëjta procedurë si më parë. Sipas Harizaj, numri i maturantëve që kanë aplikuar me sukses formularin A2 është mbi 30 mijë. Ndërsa është e vështirë për të përcaktuar numrin e maturantëve që kanë ngelur jashtë aplikimit, pasi  “ është e vështirë të thuhet sa s’kanë mundur, pasi kemi të bëjmë me një kufi gri, se nuk dihet se sa është numri i personave që nuk duan të aplikojnë pasi nuk shpresojnë se mund të fitojnë statusin e studentit diku”.

Procedura e aplikimit

Aplikimi i formularit A2, sipas grafikut u mbyll dje, pra në datën 5gusht. Ndërkohë që shtyrja që u bë, pra datat 6 dhe 7 gusht janë menduar që të jenë shtyrje të hapura për aplikim nga të gjithë maturantët që nuk kanë mundur të plotësojmë formularin A2. Duket se çdo gjë ka funksionuar më së miri. Maturantët kanë qenë shumë komodë me faqen e aplikimit. Ashtu siç u veprua nga maturantët që e plotësuan me sukses A2, edhe për ata që do aplikojnë në datat shtesë, janë 6 fusha të cilat duhet t’i plotësojë çdo maturant që sistemi ta lejojë për të vazhduar aplikimin. Maturanti së pari fut ID-në e Maturës Shtetërore, emër, atësi, mbiemër. Vijon me numrin e kartës së identitetit, numër personal në kartën e identitetit dhe në fund adresën e e-mail-it. Sistemi, kur i gjen të dhënat të plotësuara saktë, i hap në këtë rast faqen e vet me të pesë rezultatet që janë; 4 provimet e maturës dhe pikët mesatare, ose nota mesatare për ata maturantë që kanë mbaruar para 2011-ës. Po ashtu ai gjen dhe bllokun e të dhënave të veta personale të lidhura me emrin dhe me shkollën dhe ato i verifikon nëse janë të sakta, apo jo, për t’i replikuar më pas, kur të dalë libri i transparencës që të rregullojë se çfarë është e pasaktë. Pastaj maturanti fillon me përzgjedhjen e programeve të studimit, me përzgjedhjen deri në 10 preferenca. Është një listë e ngarkuar në sistem me të gjitha programet e studimit. Ai do të zgjedhë deri në 10 programe studimi, mund të zgjedhë dhe më pak, por jo më shumë se 10. Për çdonjërën, që zgjedh, i llogariten pikët dhe i dalin në ekran. Me këtë rast ai dhe këshillohet sesa pikë ka pasur dhe sa mundësi ka për ta vendosur këtë përzgjedhje në listën e preferuar apo jo, duke e krahasuar me pikët e fituesit të fundit të viteve të kaluara. Kur e gjen me vend, ai e vendos. Dhe mandej kur ka vendosur për të gjitha, duhet të vendosë dhe në ç’mënyrë duhet t’i rendisë, se sistemi është sistem meritë-preferencë, ka rëndësi renditja. Në rastin kur maturanti mund t’i fitojë të gjitha programet e studimit që ka zgjedhur, pra i ka pikët për t’i fituar, sistemi do i përzgjedhë vetëm një dhe do i përzgjedhë atë që gjen të parën në listën e renditur. Këtë duhet ta ketë shumë mirë parasysh maturanti. Maturantit, në vijim të plotësimit të formularit, u ka vajtur mesazhi në adresën e e-mail-it: Ju plotësuat me sukses formularin A2 dhe  preferencat që zgjodhët janë këto (në listën që ka preferencat). Kandidati mund të ruajë formatin e dokumentit në pdf, në word, ose në excel, të plotë siç është formulari me preferencat e zgjedhura në adresën  e vet elektronike, ose mund ta printojë atë nëse dëshiron dhe ka eksesin e një printeri aty afër ku aplikon. Sistemi sivjet ka qenë tërësisht on-line, në kuptimin që maturanti mund ta bëjë aplikimin e vet nga çdo pajisje që ka shërbim interneti, jo detyrimisht në shkollë, ai mund të plotësojë formularin nga shtëpia, nga internet kafeja nga telefoni i tij, etj.

Maturantët që kanë zgjedhur degët me konkurs

Kjo vlen edhe për ata që kanë zgjedhur degët me konkurs, dhe ata e dinë mirë shpërndarjen e pikëve, sa i kanë nga konkursi, sa i kanë nga Matura, plus mesataren. Dhe për ta funksionon në këtë mënyrë, të zgjedhin preferencën e caktuar dhe zakonisht ata zgjedhin preferencat e para ato programe studimi që janë me konkurs. Konkurset janë diku nga java e parë e shtatorit.  Rezultatet për të gjithë maturantët priten të jenë në mes të shtatorit, siç janë shkruar në udhëzimet përkatëse dhe siç ka qenë në vitet e shkuara.

Libri i transparencës, pas A2-it

Pas shtyrjes së afatit për plotësimin e A2, del libri i transparencës. Çdo shkolle i shkon libri i transparencës dhe maturanti duhet të shohë të dhënat e veta, atë që ka plotësuar në sistem, pikët e llogaritura për çdo preferencë, bllokun me të dhënat personale. Ai duhet të shohë me kujdes të dhënat që i kanë dalë, se i krahason shumë lehtë, di vetë t’i llogarisë, di vetë kush janë të dhënat e tij personale dhe i intereson në fund të fundit të kërkojë, që në rastin kur ato janë të paplota dhe të pasakta t’i plotësohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Mund të ketë një të dhënë të pasaktë për emrin, në mesatare ose në bllokun e të dhënave personale. Këto ndodhin në raste të rralla, por sidoqoftë ata duhet ta kenë në vëmendje për ta shqyrtuar me kujdes dhe për të  mbajtur shënim se çfarë është e pasaktë, për ta rregulluar më pas tek ne për fazën finale të shpalljes së fituesve, e cila mendohet të jetë nga mesi i shtatorit.

Formulari A2, mbi 30 mijë maturantë në garë për në universitet

Të gjithë maturantët që nuk mundën të plotësojnë formularin A2 në datën e caktuar për rrethin e tyre, do të lejohen ta plotësojnë atë në datat 6 dhe 7 gusht 2013. Data 5 gusht në fakt ka qenë edhe dita e fundit e plotësimit të tij nga maturantët e qarkut të Kukësit. Por dje MASH bëri publike afatet e shtyrjen zyrtare të plotësimit të Formularit A2 nga maturantët që nuk kanë mundur ta plotësojnë. Të gjithë ata maturantë që pas plotësimit u ka ardhur një përgjigje në adresën e-mail-it të tyre, do të thotë se plotësimi i Formularit A2 është bërë me sukses. “Hapi i parë për plotësimin e formularit është kërkesa e adresës së e-mail-it për secilin kandidat, për këtë arsye. Pas plotësimit të formularit, maturantët marrin një përgjigje në email-in e tyre, gjë që tregon se e kanë plotësuar në rregull atë. Kandidatit i vjen në e-mail: “Ju plotësuat Formularin A2, zgjodhët këto preferenca dhe është kjo pamje që keni plotësuar”. Veç kësaj, ai mund të bëjë një print të kopjes që ka plotësuar”, sqaroi kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj. Ai gjithashtu u shpreh se shtyrja e afatit për formularin A2 që u bë, respektivisht në datat 6 dhe 7 gusht, është për të gjithë ata që kanë bërë gabime ose që për një arsye tjetër nuk e kanë plotësuar dot atë. Sipas të dhënave paraprake të AKP-së, plotësimi i Formularit A2 deri në fundjavë është plotësuar nga mbi 30 mijë maturantë, që janë bërë pjesë e garës për të fituar një të drejtë studimi në institucionet e arsimit të lartë.