Harizaj: “Në 15 prill fillon plotësimi i Formularit A1Z, kategoritë dhe rregullat”

93

Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj, për afatet e formularëve

Janë shtyrë afatet për plotësimin e Formularit A1. Këtë fakt e bën të ditur për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj. Formulari A1, ishte planifikuar që të mbyllej në fundin e javës që kaloi. Por sipas informacioneve më të fundit maturantët do të kenë edhe një javë afat për t’u bërë pjesë e procesit të provimeve të Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka shtyrë afatin për rreth 100 të rinj që nuk kanë arritur ta plotësojnë Formularin A1. Një nga arsyet kryesore ka qenë mungesa e internetit pranë shkollave të tyre. Formularin A1 e kanë plotësuar rreth 34 mijë të rinj aktualisht, çka do të thotë që tashmë zyrtarisht këta do t’i nënshtrohen provimeve të maturës dhe do të jenë kontingjent për student. “Janë afro 34 mijë që kanë arritur të plotësojnë formularin A1, të pjesëmarrjes së tyre në provimet e maturës shtetërore 2013. Mbeten ndoshta mbi 100 që nuk kanë arritur ta plotësojnë dhe këtë javë ata do të kenë të mundur plotësisht ta përfundojnë plotësimin e formularit A1”, thotë për “Telegraf”, Alfons Harizaj.

Këtë vit shtohen 5 mijë të rinj

Këtë vit në sistem priten të futen dhe rreth 5 mijë të rinj që duan të ndjekin shkollën e lartë, por që mund ta kenë përfunduar maturën ose që nuk kanë ndjekur një shkollë të lartë, pasi kanë pasur provime për të shlyer. Këta kandidatë do të plotësojnë Formularin A1Z, duke filluar që nga data 15 prill. “Plotësimi i Formularit A1Z do të nisë në datën 15 dhe numri i tyre në krahasim me aplikantët e Formularit A1 është më i ulët, gati 5-6 herë. Maturantët që plotësojnë Formularin A1Z janë maturantët që nuk janë të ulur në bankat e shkollës së vitit akademik, por që vijnë nga vitet e kaluara, ose maturantët që vijnë nga jashtë shtetit”, vijon Harizaj. Këtë vit risi janë rregullat më të rrepta për administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Në çdo ambient provimi do të ketë aparatura që do të bllokojnë sinjalet e telefonisë celulare, ndërsa mësuesit kontrollues do të duhet plotësojnë më shumë kritere.

Kategoritë për Formularin A1Z

Së shpejti do të fillojnë aplikimet për plotësimin e Formularit A1Z, për të gjitha kategoritë e tjera të maturantëve që nuk janë duke ndjekur shkollën e mesme këtë vit. Aplikimi për Formularin A1Z, është më i koklavitur dhe për këtë arsye, ai do të marrë më shumë kohë. Një kategori e rëndësishme që do e plotësojnë këtë formular janë edhe maturantët që kanë mbaruar shkollën jashtë Shqipërisë. Kjo kategori duhet të ndjekin disa procedura, për plotësimin e këtij formulari. “Formulari A1Z, është një formular më i ndërlikuar dhe për këtë specifik ai kërkon edhe një vëmendje më të madhe dhe kërkon edhe më shumë kohë për t’u përgatitur. Plotësimi i Formularit A1Z, për shkak se është më i koklavitur, kërkon edhe më shumë të dhëna dhe kërkon më shumë besim. Sepse aty duhen edhe rezultat e provimeve, duhet edhe mesatarja e shkollës së mesme etj.. Meqenëse është një procedurë më e vështirë është lënë që të fillojë pak më vonë dhe konkretisht do të fillojë në datë 15 prill”, u shpreh Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj, për “Telegraf”.

Kushtet për maturantët që nuk kanë studiuar në Shqipëri

Një kategori e rëndësishme që do të marrë pjesë në plotësimin e Formularit A1Z, janë edhe maturantët që kanë marrë diplomën jashtë Shqipërisë. Për këtë kategori ka disa procedura të veçanta. Si fillim këto maturantë duhet të bëjnë njësimin e diplomës. Nëse maturanti që vjen nga jashtë e ka të njësuar diplomën dhe sipas urdhrit të ministrit, maturanti i ka dhënë edhe provimet me zgjedhje ai nuk do të japë më provime me zgjedhje këtu. Atij do t’i llogaritet vetëm nota që ai ka marrë. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë kryer arsimi e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm, Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë se provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar ose të mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe. Me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, në MASH, ngrihet një Komision i Posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e maturantëve/kandidatëve për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm

Arsyet e shtyrjes së afatit për Formularin A1

Është shtyre edhe me një javë afati për plotësimin e Formularit A1, nga maturantët që aktualisht janë duke vazhduar vitin e fundit të shkollës së mesme. “Por mund të ju them që asnjë maturant nuk do të penalizohet për shkak të mospasjes së dokumenti të identifikimit, apo për shkaqe të tjera”, u shpreh Harizaj në lidhje me shtyrjen e afatit për Formularin A1. Shkak për shtyrjen e afatit është bërë dhe moti i keq në zona të ndryshme të vendit, i cili ka sjellë probleme me internetin. “Të gjithë të rinjtë që nuk e kanë plotësuar A1 on-line do ta plotësojnë atë  në mënyrë manuale. Kemi pasur një problem të tillë me plotësimin e formularit në komunën Shalë të Shkodrës ku nuk kishte internet për pak kohë. Rruga ishte e bllokuar dhe në këtë rast ne dhamë porosi që maturantët ta plotësonin dorazi Formularin A1. Dhe më pas të dhënat e marra për formularin u dërguan në Shkodër, dhe aplikimi u bë në një shkollë të Shkodrës, pastaj u hodhën të dhënat në sistemin on-line”, theksoi Harizaj.

Refuzojnë Gjuhën Shqipe, studentët e Mjekësisë rrezikojnë penalizimin

Asnjë student i Fakultetit të Mjekësisë nuk e ka kërkuar gjuhën shqipe si lëndë për ta studiuar gjatë semestrit të dytë. Drejtuesit e këtij fakultetit thonë se Gjuha Shqipe është futur në program, por deri tani nuk është zhvilluar si lëndë pasi  nuk është formuar grupi i nevojshëm i studentëve. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa shprehet se, pavarësisht gjuhws shqipe është një lëndë fakultative për mjekët e ardhshëm ajo është e nevojshme. “Ne ende nuk kemi mundur dot të realizojmë një sensibilizim masiv të studentëve. Mbase duhen gjetur forma më stimuluese. Kemi kërkesa të reduktuara për ta futur si lëndë me zgjedhje. Kemi menduar që ta lëmë në ditët e fundit duke grumbulluar kërkesa e duke e lënë në dorë të studentëve për ta zgjedhur si lëndë me një numër kreditesh të caktuara”,- thotë Hysa. Por nëse gjuha shqipe është një lëndë fakultative për të gjitha fakultetet e universitetit të Tiranës, ajo është e përfshirë në provimin e shtetit që studentët duhet të kalojnë për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit, çka i detyron ata në mënyrë indirekte që ta studiojnë gjuhën shqipe, pasi një mungesë informacioni do të ishte një penalizim për ta duke u konvertuar me humbje pikësh në testin e shtetit. “Imagjino 70 lëndë. T’i shtosh edhe akoma të tjera e që do futen akoma lëndë të tjera në kurrikul sepse ka mjaft lëndë të reja që kanë evoluar dhe futen për herë të parë edhe në kurrikulat e universiteteve perëndimore. Pra, ka një ngarkesë për hir të së vërtetës, por ne do bëjmë sensibilizimin e duhur sepse është i domosdoshëm”,- tha Hysa. Në fakt Gjuha Shqipe nuk është ndër lëndët e preferuara edhe në fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës. Dekanë të ndryshëm të këtij universiteti konfirmojnë se ka qenë shumë i ulët numri i studentëve që kanë kërkuar të ndjekin gjuhën shqipe dhe për këtë arsye aktualisht ajo nuk është hapur si program.