Gjuhëtarët “eksperimentues” nuk mund ta ndryshojnë standarden pas 41 vitesh

527
Sigal

Gjuha standarde ka 41 vjet që është vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit në ’72-n. 41 vjet, janë një kohë e bollshme për të parë se sa është asimiluar, zbatuar dhe se sa është shtrirë ai në gjithë trevën shqipfolëse. Të ndërhysh sot në standard, pas 41 vjetësh, krijon një problematikë të madhe përsa i përket asimilimit. Kjo është një çështje e përfunduar që në Kongresin e Drejtshkrimit, standardi është ky që është. Ah, mund të ndërhysh, por për t’u përmirësuar në përshtatje të dinamikës dhe evolucionit të gjuhës, por, absolutisht, shqiptarët nuk kanë mundësi apo luks për një standard të ri apo, siç po ka, tashmë, një tendencë apo prirje të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Gjuhëtarët “eksperimentues”, të mbledhur në Prishtinë po tregohen shumë “mendjemëdhenj” rreth asaj për të cilën po diskutojnë dhe vendosin, aq sa të jepet përshtypja se diçka “e madhe” po ndodh me gjuhën. Gjuhën nuk e bëjnë gjuhëtarët, pasi atë e flet populli dhe kujt i shkon në mendje që mund ta ndryshojë, e ka shumë gabim. Një standard ka nevojë të verifikohet se sa është zbatuar dhe sa është shtrirja e tij. Duhet verifikuar çfarë kostoje ka, nëse ne do të bëjmë shumë ndryshime. Është e nevojshme që në standard t’i lihet një periudhë më e gjatë kohe parimit fonetik (siç shqiptohet shkruhet), sepse jemi në fazën e kristalizimit të këtij standardi. Ne duhet të kemi gjithë kohën e nevojshme për të menduar ato ndryshime që janë të asimilueshme, të pranueshme dhe që i bëjnë mirë gjuhës shqipe në tërësi. Kanë kaluar 41 vjet dhe ende moria e gabimeve drejtshkrimore është gati vrastare e standardit. Po këto rregulla të reja, të vendosura nga disa gjuhëtarë eksperimentues, sa kohë do na duhet t’i bëjmë pjesë të standardit tonë?!

 Gjuha e huaj, Nikolla: Nuk jemi gati për ta përfshirë në provimet bazë të maturës

Duke e cilësuar gjuhën angleze një dritare drejt një bote informacioni, njohurish dhe arritjesh në të gjithat fushat e studimit dhe kërkimit mbarëbotëror, ministrja Nikolla deklaroi se reforma e Maturës Shtetërore dhe gjuha angleze si pjesë e provimit shtetëror duhet të shikohen më në thelb dhe në brendësi. “Në informacionet tona situata është e tillë, grupet kanë reagimin e tyre, kryesisht maturantët. Për këtë vit jemi ende të papërgatitur që maturantët tanë të përballen në maturë me provimin e gjuhës së huaj”. Kështu u shpreh dje ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në forumin e organizuar në bashkëpunim me Këshillin Britanik “Mësimdhënia e gjuhës angleze në Shqipëri: Një qasje e re”. Në fjalën e saj, ministrja tha se “arsimi dhe edukimi i gjeneratës tjetër është një e mirë për shoqërinë edhe komunitetin. Ne synojmë projektimin e shkollës shqiptare jashtë kufijve material të një godine. Ne synojmë një shkollë të hapur ndaj komunitetit, ndaj eksperiencave bashkëkohore”, tha ajo. Ndërkohë ajo theksoi se “jetojmë në një kohë kur gjuha dhe teknologjia ofrojnë mundësi të rëndësishme. Ne sot kemi nevojë që të rinjtë të jenë pjesë aktive e ndryshimeve globale, ndaj Këshilli Britanik mbetet një ndër partnerët kryesorë të vendit tonë në sfidën e edukimit të brezave”, tha Nikolla. Drejtoresha e Këshillit Britanik, Aida Bërxholi, e cilësoi se mësimi i gjuhës angleze krijon mundësi më të mira punësimi. “Shqipëria ka mundësitë dhe kapacitetin për të ecur përpara dhe për të rritur më shumë impaktin e saj ekonomik dhe global. Për këtë arsye duhen hartuar strategji dhe t`u përgjigjemi këtyre strategjive. Qeveria shqiptare duhet të inkurajojë firmat private, të cilat të mbështesin sistemin e mësimit të gjuhës angleze. Së bashku me Ministrinë e Arsimit, kemi ofruar përvojën më të mirë në shkollat profesionale, kemi ribërë kurrikulat e tyre duke përfshirë dhe mësimin e gjuhës së huaj profesionale”, tha Bërxholi.

 Reagimi, Nikolla: Zgjedhja e Kuqit në krye të DAR Tiranë u bazua në meritë

Pas bërjes publike të videos ku drejtoresha e sapozgjedhur e Arsimit për Tiranën ishte protagoniste në një spot elektoral për Partinë Socialiste, ka reaguar ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla. Sipas ministres, ministria nuk ka ndaluar asnjë konkurrent të marrë pjesë në konkursin për Drejtorin e Arsimit Rajonal për Tiranën apo rajone të tjera në vend. “Ne nuk kemi ndaluar asnjë konkurrent. S’kemi ndaluar asnjë konkurrent, si nga e majta dhe e djathta, ishin të gjithë të ftuar të merrnin pjesë”. Ministrja thekson se Kuqi nuk e ka mohuar faktin që ajo ka qenë pjesë e strukturave të PS. “Nuk mohoj që kanë qenë pjesë strukturave”, tha Nikolla, duke shtuar se procesi për zgjedhjen e kreut të ri të Arsimit për Tiranën ka qenë transparent dhe i bazuar në meritë.

Vonohen pagat e mësuesve, Mazniku: Ka pasur një problem në thesar

Mësuesit e arsimit fillor, 9-vjeçar dhe të mesëm nuk kanë marrë ende pagën për muajin nëntor. Paga e mësuesve ka një vonesë prej shtatë ditësh pasi sipas rregullave ajo duhej të ishte dhënë në datën 2 dhjetor. Zëvendës ministri i Arsimit Arbi Mazniku në një prononcim ka bërë me dije se tashmë pagat e mësuesve kanë kaluar, por ka pasur një vonesë si pasojë e një problemi në thesar. Edhe Ministria e Financave ka reaguar lidhur me vonesën e dhënies së pagës për mësuesit. Sipas kësaj ministrie, vonesa ka ardhur për shkak të administrimit që kanë bërë Drejtoritë Arsimore Rajonale. Burime nga Ministria e Financave sqarojnë se vonesa nuk ka lidhje me mungesën e fondeve.