Gjuha Shqipe, tani edhe në gjimnaz, e detyrueshme

508
Sigal

Gazeta Telegraf/


Pas 30 vjetësh rikthehet teksti i Gjuhës Shqipe në shkolla të mesme. Tashmë
njohuritë gjuhësore nuk do të jenë të shkrira me letërsinë, por secila prej
tyre do të jetë lëndë më vete. Kurrikula e re e gjuhës amëtare ka nisur nga
klasa e 10 dhe do të vazhdojë deri në maturë. Mësuesit e shkollave të
mesme tregojnë se mungesa e Gjuhës Shqipe si lëndë më vete, shkaktoi ndër breza
mangësi të mëdha në drejtshkrim dhe të shprehur. Vendimi për rikthimin e Gjuhës
Shqipe si lëndë më vete në shkollat e mesme erdhi pas kërkesave të përsëritura
të mësuesve dhe gjuhëtarëve. Vitet e fundit në provimet e Maturës kryesisht
janë konstatuar probleme të mëdha të nxënësve me gjuhën amtare. Sipas
specialistëve të fushës është vënë re se gjatë ndërtimit të esesë, nxënësit nuk
respektonin rregullat e drejtshkrimit, nuk njihnin shenjat e pikësimit dhe
shfaqnin probleme në të shprehur. Me këto mangësi ata vijonin shkollën e lartë
dhe më pas në punë. Besnik Rama specialist në Ministrinë e Arsimit tregon se
tashmë shqipja, ashtu si letërsia janë lëndë më vete dhe me njohuri të
thelluara. Gjuha shqipe është hequr nga shkolla e mesme ne vitin1984. Pas kësaj
periudhe, ajo mësohej si lëndë më vete deri në klasën e 8 dhe më vonë deri në
klasën e 9 të arsimit të detyruar. Ndërsa 10 vitet e fundit gjuha amtare ishte
e shkrirë me njohuritë e letërsisë në një tekst të vetëm. As kjo formë nuk dha
rezultate madje përkeqësoi njohuritë e shqiptarëve me gjuhën amtare. Duke
filluar nga ky vit shqipja është lëndë bazë nga klasa e 1 deri në të 12.