Gjovalin Shkurtaj: Shqipja standarde, fitore e pallogaritshme e përbashkësisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve

1015
Sigal

 Këshilli Ndërakademik: Gjuha Shqipe të jetë lëndë mësimore në shkollat e mesme dhe provim mature

 Kryesia e Këshillit Ndërakademik të gjuhës shqipe ka kërkuar që ajo të mësohet gjatë tre viteve në shkollat e mesme përmes një programi dhe teksti të ri. Ky vendim ka ardhur pasi gjatë ciklit nëntëvjeçar nxënësit e kanë të pamundur të mësojnë mirë të gjitha nënsistemet e gjuhës shqipe standarde. Profesorët e gjuhës shqipe kanë deklaruar se është e rëndësishme që lënda “Kulturë gjuhe” të përfshihet në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e Mësuesisë, të Gazetarisë, të Gjuhëve të Huaja, të Arteve, të Drejtësisë, të Mjekësisë etj. Pas diskutimeve, Këshilli arriti këto përfundime e propozime:

1. Meqë cikli nëntëvjeçar nuk po arrin dot t’ua mësojë mirë nxënësve të gjitha nënsistemet e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, propozohet që gjuha shqipe në planin mësimor të shkollës së mesme të jetë lëndë e veçantë, e ndarë nga letërsia dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar.

2. U miratua propozimi që në të gjitha shkollat e mesme të të gjitha profileve lënda e gjuhës të mësohet gjatë tri viteve, me një program të ri dhe me tekste të reja.

3. U mbështet propozimi që në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar (cikli fillor) në mësimin e gjuhës shqipe t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, bashkë me leximin; në vi¬tet në vazhdim të ciklit nëntëvjeçar (klasa VI-IX) dhe në ciklin e shkollës së mesme gjuha të më¬so¬het në aspektin teorik, por, krahas kësaj, t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, hartimeve e diktimeve.

4. U arrit përfundimi që planet e programet në fakultetet e mësuesisë, përfshirë ato të gjuhëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakultetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lëndëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa. Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauniversitar. U propozua që lënda Kulturë gjuhe të përfshihet në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës leksikore, gramatikore, stilistike e terminologjike në funksion të komunikimit sa më të plotë.

5. U pa e arsyeshme të kërkohet për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse:

–  rritja e orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare;

– reduktimi i normës mësimore për mësuesit e gjuhës;

– mësimi i gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare, nëpërmjet teksteve e mësuesve, sipas koncepteve teorike e terminologjike bashkëkohore;

– trajnimi i mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare;

– hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigracionit;

6. Përgatitja e gjuhës shqipe në universitete duhet të jetë përparësi e arsimit universitar, ndërsa mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme nuk mund të jetë askush që nuk ka, së paku, 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas planprogrameve të shkollave përkatëse. Ndonëse nismat për përmirësimin e cilësisë në arsim kanë propozuar shtimin e komponentit didaktik, kujtojmë se kompetenca gjuhësore është parakushti themelor për mësimdhënie cilësore.

7. Albanologjia, me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse. Përqindje të konsiderueshme të investimeve për shkencë e kërkime shkencore duhet të jepen për projekte që lidhen me albanologjinë. Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës).

8. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varieteti të shqipes.

 Intervistë me Akademikun Gjovalin Shkurtaj për gjendjen aktuale të gjuhës standarde dhe dialekteve, gjuhën artistike dhe ndikimet e gjuhëve të huaja

 I nderuar profesor! Kam vënë re se, herë pas here, në shtyp dhe media diskutohet problemi i dialekteve. Ju prej disa dhjetëvjeçarësh jeni marrë me studimin e tyre; jeni bashkautor në veprën “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” dhe i shumë librave e studimeve për marrëdhëniet e dialekteve me gjuhën letrare të njësuar. Si fillim dëshiroj t’ju pyes:

 1. Çfarë përfaqësojnë dialektet në një gjuhë dhe cili është roli i tyre në pasurimin e gjuhës shqipe standarde?

Dialektet janë pjesë e gjallë e gjuhës dhe prania e tyre lidhet me larminë dhe pasurinë e ligjërimeve e të dallimeve gjuhësore sipas krahinave, porse ato, gjithmonë kanë qenë e mbeten pjesë përbërëse e gjuhës shqipe. Ideja, se gjuha shqipe na bashkon, ka qenë dhe duhet të jetë edhe më tej, duke e lëvruar dhe begatuar atë në kahet e në dritën e kërkesave të reja, të cilat, natyrisht, në radhë të parë kërkojnë njohjen, zbatimin dhe mbrojtjen e gjuhës së shkruar, të njësuar e të njëjtë për të gjithë kombin shqiptar. Është, pikërisht, kjo gjuhë jona e përbashkët, që ka treguar e tregon se kombi ynë shqiptar ka qenë dhe është një dhe i vetëm, qoftë edhe pse i ndarë në disa shtete në Ballkan e në gati të gjithë botën në formë diaspore. Sa kohë që edhe shqiptarët e “shprishur” nëpër dhera të tjera, vijojnë ta quajnë vetën të tillë, sa kohë që edhe ata, njësoj si ne në trojet tona të moçme, ndonëse janë larg me trup, përbetohen e shprehen për shqiptari dhe vijojnë t`i duan gjuhën dhe traditat shqiptare, e kemi për detyrë që t`i përfillim e t`i lidhim të gjithë sa janë në një fill të përbashkët të komunikimit: Në gjuhën shqipe të njësuar e të përpunuar sa më hijshëm. Gjuha letrare shqipe e njësuar (apo shqipja standarde) është fitore e pallogaritshme e përbashkësisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve. Mendoj se zhvillimi i sotëm i të folmeve popullore apo përgjithësisht i dialekteve shqiptare nuk mund të shihet i shkëputur nga rrjedhat e zhvillimit dhe kaheve të përgjithshme kulturore e mendore të bashkësisë shoqërore e shtetërore shqiptare e më gjerë. Në mënyrë të veçantë ka luajtur rol arsimimi masiv, shtimi i peshës së mjeteve të informimit masiv (shtypit, radio-televizionit) dhe i  lirisë së fjalës publike.

 2. Ka zëra që shtrojnë tezën e dhunimit apo nënshtrimit të dialekteve nga gjuha e njësuar standarde dhe anasjelltas. Si e vlerësoni gjendjen aktuale të gjuhës standarde dhe të dialekteve? Si e parashikoni të ardhmen e tyre?

Jam i detyruar të përsëris një pohim që e kam shprehur edhe herë të tjera dhe që do të dëshiroja ta dijë mirë e ta pranojë çdo shqiptar. Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes së njësuar është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej, sepse përbën treguesin  themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen,  brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në trojet e veta ballkanike dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë.

Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare) i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga vise dhe mjedise të ndryshme shqiptare.

Dialektet e gjuhës shqipe janë shumë të afërta, në kundruallësinë si dy degëzimet më të mëdha: gegërisht-toskërisht, po edhe në kundruallësinë më të ulët ose ndërmjet nënsistemeve dhe ndërdegëzimeve, a nëndialekteve dhe grupeve të të folmeve që mund të identifikojmë në secilin prej dy dialekteve të shqipes. Ideja e kufijve, sidomos e kufijve “të prerë” ose “absolutë” midis dy dialekteve të shqipes, ka shpënë ndonjëherë në vlerësime të gabuara, sidomos të atyre që kërkojnë të shohin jo dy degëzime dialektore të së njëjtës gjuhë, por dy “idioma” të ndryshme, madje dy gjuhë të ndryshme. Koncepti ynë ka qenë dhe mbetet ky: Shqipja është gjuhë e të gjithë shqiptarëve dhe, në të gjitha hapësirat shqiptare të trojeve kompakte ballkanike, këndej dhe përtej kufijve shtetërorë të RSH-së, atje ku i thonë bukës “bukë” dhe ujit “ujë”, banorët e etnikumit shqiptar, e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe. Kështu, edhe në diasporat e moçme arbëreshe në Greqi, Itali, Zarë (Dalmaci), Ukrainë, kudo që është ruajtur gjuha e tyre e hershme, arbëreshët (ose arbneshët) flasin shqip, natyrisht në forma dialektore të dallueshme nga shqipja e Shqipërisë së sotme dhe e trojeve shqiptare ballkanike, por në thelbin e vet të njëjtë dhe etnikisht e kombëtarisht të cilësuar si të tillë: arvanit, arbëresh, arbnesh, arbanas, arnaut.

Zbatimi në masë të gjerë e pa asnjë mëdyshje i gjuhës letrare shqipe të njësuar në Kosovë e më gjerë në trojet shqiptare ballkanike në Maqedoni, në Mal të Zi etj, pas hapjes së kufijve dhe në kushtet e vajtje-ardhjeve e shkëmbimeve të gjithësfershme ndërmjet qendrave të mëdha me rrethinat, do të përbëjë një pikëmbërritje, jo vetëm të lakmueshme e të tumirueshme, po edhe të vetmen që ka mundësi ta shpjerë gjuhën letrare shqipe në lartësitë e një standardi të njëjtë, të vetëm e të përbashkët për të gjithë shqiptarët në trojet kompakte ballkanike e në diasporë. Natyrisht, krahas dhe në konkurrencë me standardin (apo gjuhën letrare zyrtare) do të ecin edhe variantet e tjera jostandarde, dialektet e të folmet krahinore si dhe diferencime e timbre karakteristike për bashkësi të caktuara shoqërore brenda bashkësisë etnike shqiptare.

 3. Në shtyp po hidhen ide dhe opinione se është mirë të bëhet njohje zyrtare e dialekteve? Është kjo një tezë e pranueshme dhe shkencore?

Mirë është që shkrimet rreth vlerësimit e studimit të dialekteve e të marrëdhënieve të tyre me shqipen e njësuar, të jenë serioze dhe të mos mbjellin pështjellime. Jemi në demokraci dhe kushdo ka të drejtë të shkruajë atë që mendon, por ndonjë ligj a urdhër që ta ndalojë përdorimin e dialekteve nuk e di të ketë. Unë jam dialektolog dhe po të ishin ndaluar dialektet, do të ishte penguar e ndaluar edhe studimi i tyre, nuk do të kishim bërë botimin e tërë atyre monografive dialektore, nuk do të na kishin lejuar as për të hartuar “Atlasin dialektologjik të shqipes”. Përkundrazi, e vërteta është krejt ndryshe. Dialektet janë vlerësuar si pasuri e vyer e trashëgimisë gjuhësore të shqipes dhe, qysh nga krijimet e tij, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, për dhjetëra vjet radhazi, ka dërguar leksikologë e dialektologë për të mbledhur fjalë dialektore e krahinore, duke përfshirë në masë të gjerë edhe arsimtarët në aksionin kombëtar të njohur “Mbledhja e fjalëve të rralla”. Prej asaj pune shumëvjeçare e të organizuar janë sjellë vit pas viti qindra-mijëra fjalë e shprehje, të cilat kanë pasuruar fondet e Kartotekave Kombëtare të leksikut e të dialekteve të shqipes, si dhe janë pasur parasysh për t’u përfshirë në fjalorët e shqipes dhe në studimet leksikologjike e dialektologjike, tashmë të mirënjohura. Ajo punë mbledhëse duhet të vijojë edhe më tej, duke përfshirë sidomos pedagogët e gjuhës shqipe dhe studentët e degëve filologjike të universiteteve shqiptare.

 4. Mos ka një zbehje të  gjuhës artistike në romane, drama, poema e në  kinematografi? Po në publicistikë?

 Mendoj se gjuha e letërsisë artistike, duke përfshirë aty edhe gjuhën e skenës dhe të ekranit, ashtu si kudo në botën e qytetëruar, edhe te ne kanë luajtur rol me rëndësi për përhapjen normave të shqipes së njësuar, për rrënjosjen e drejtshkrimit si dhe në lëmin e drejtshqiptimit, të diksionit dhe të intonacionit të bukur të shqipes.

Shkrimtari fut në vepër fakte gjuhësore të zgjedhura për të shprehur idenë e tij nëpërmjet figurash konkrete e nëpërmjet tablosh. Për atë, gjuha është një mjet që i lejon të bëjë pikturimin e realitetit, ashtu siç e shikon ai, sipas konceptimit të vet, po dhe për ta paraqitur atë në figura. Do të ishte e vështirë të gjesh një mjedis shoqëror ose profesional, ose një lloj të veprimtarisë që të mos shërbejë si lëndë e parë për shkrimtarët. Sipas mjedisit ose fushave të jetës të paraqitura nga autori, sipas qëndrimit të tij ndaj materialit që i jep jeta, sipas konceptimit të tij letrar dhe estetik, do  të gjinden në gjuhën e veprës së tij elemente të stileve të ndryshme. Bashkimi i tyre në të njëjtin kontekst, në kuptimin e gjerë të fjalës, është veçanti e stilit letrar.

 5. A mos është zvogëluar pesha e fjalës shqipe për shkak të ndikimeve të gjuhëve të huaja dhe përdorimit të huazimeve të panevojshme?

 Sot Shqipëria është një vend i hapur, ka një shtet që mban marrëdhënie me të gjithë botën; populli ynë është tashmë në lidhje e takime të drejtpërdrejta me miq të shumtë në botë. Me fjalë të tjera, jemi bërë një shoqëri e hapur. Edhe gjuha shqipe, e cila është e do të jetë edhe më tej “gjuhë e hapur”, ka marrë dhe do të marrë edhe më tej hua nga gjuhët e mëdha të Evropës, po edhe do të përtëritet nga gurrat vetjake. Kemi parasysh sidomos prurjet e mirëpritshme të elementit verior e verilindor gjatë dhe pas shndërrimeve në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Kam përmendur fjalët e shumta nga Kosova dhe trevat veriore në librat e I. Kadaresë, sikundër kam përmendur e vlerësuar lart prozën e hijshme e të begatë me mënyra të thëni aq të bukura të shkrimtarëve me origjinë nga krahinat veriore. Gjuha letrare e njësuar nuk i ka penguar asnjë prej këtyre shkrimtarëve për të sjellë gjithë hijeshinë e vrullet e këndshme të fjalëve e frazeologjizmave prej krahinave të Veriut e të Jugut. Secili, në mënyrën e vet e në përputhje me synimet e veta artistike, sa herë e kanë të nevojshme veprojnë ashtu si e ka thënë në mënyrë metaforike Dritëro Agolli, sjellin “baltën e arave” dhe leksematikën e vyer prej krahinave e vendlindjes. Edhe shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në diasporën arbëreshe po e zbatojnë me përparësi e zell të shkruarit në shqipen e përbashkët e të njësuar. Gjuha e letërsisë artistike ka qenë dhe vijon të jetë kryesisht në rolin e vet: Gjithmonë në kërkim të artit të fjalës, përherë duke qëmtuar bukurinë e shprehjes shqiptarisht, ashtu si bleta që mbledh nektarin e ëmbël dhe e shpie në hojet e mjaltit.

 Intervistoi

Kadri Tarelli

 (vijon)

Gjuha dhe dialektet

Dialektet dhe gjuha e shkrimit kanë funksione të dallueshme dhe, qysh kur krijohen shtetet kombëtare, kudo në botë, janë krijuar gjuhët zyrtare, gjuhët e mbështetura e të përdorura kryesisht si gjuhë të administratës dhe të institucioneve arsimore, kulturore, duke zgjedhur e duke i dhënë përparësi një dialekti a varianti letrar më të pranueshëm. Në shtëpi, në mjedise shoqërore ose familjare, mund të flasim edhe në dialekt, sikundër edhe mund të bjerë rasti të flasim në gjuhë të huaja, por në punë, në zyrat e shtetit, në shkollë, në institucionet zyrtare, qofshin  publike a private, duhet të zbatojmë gjuhën letrare të njësuar, gjuhën shqipe të përbashkët. Atë që po e quajmë standarde, por që, mbi të gjitha, do kuptuar si gjuha e komunikimit të njësuar, të përbashkët e sa më të përpunuar e të kujdesur. Rilindasit e thoshin edhe më për së mbari: gjuha e përbashkme.

            Për mua, gjuha dhe dialektet nuk janë dy ushtri që ndeshen dhe njëra do ta asgjësojë tjetrën, por ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme dhe shkojnë në të njëjtin det të përbashkët. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standarde”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim duket se ato sjellin një farë turbullimi, me kohë vijnë e tretën, bëhen pronë e shqipes standard, por edhe mund të mbetën jashtë saj. Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.