Gjergj Zaharia: Kriteret e reja të pranimit në universitet

1259
Pranimi i përzgjedhjes së nxënësve në shkollat e larta mbi bazën e kriterit meritë-preferencë për të cilin u investua jo pak gjatë këtyre viteve tashmë i kthehet një formule të thjeshtë që pak a shumë i përngjan kritereve ta paraviteve 1990, pra notës mesatare në tërësi (duke futur këtu me të njëjtën vlerë edhe notat e provimeve të Maturës Shtetërore) si dhe notat sipas profileve të degëve të veçanta të përcaktuara nga fakultetet e ndryshme me të njëjtën vlerë si mesatarja e përgjithshme,pra 50% me 50% ! E thënë më thjesht një notë 10 në një lëndë të caktuar, pshnë edukimin fizik është e barasvlefshme me një 10 në provimin e matematikës në Maturën Shtetërore! Nëse do të ishte kështu natyrshëm lind pyetje: Përse edhe provimet e Maturës Shtetërore të mos zhvillohen në shkolla si dikur, meqë këto vlerësime janë të barasvlefshme me vlerësimet e çdo lënde dhe me këtë rast do të kursenim jo pak,duke ulur shpenzimet jo të pakta financiare të Maturës Shtetërore! Sigurisht edhe ky “sistem” ka disa anë pozitive, duke forcuar së pari autoritetin e shkollave dhe mësuesve të shkollave të mesme e në të njëjtën kohë seriozitetin e të mësuarit nga nxënësit gjatë shkollimit në këtë kategori arsimi. Por pa u zgjatur shumë në anët pozitive shtrojmë disa pyetje dhe shqetësime:
1. A është i barasvlefshëm vlerësimi i nxënësit nga një masë kaq e madhe mësuesish,duke filluar qoftë edhe brenda përbrenda shkollës,ku e njëjta lëndë jipet nga mësues të ndryshëm?!
2. A është i barasvlefshëm ky vlerësim nga një shkollë në tjetrën,qoftë edhe brenda një qyteti apo ndërmjet shkollave të qytetit dhe atyre të zonave rurale.
3. A kanë të njëjtën kualifikim mësuesit në rang kombëtar në mënyrë që vlerësimi i tyre të ketë të njëjtën standart.
4. A janë në gjendje të gjithë mësuesit të përballojnë presionin për notë, presion që ushtrohet me të gjithë format e tij, duke mos përjashtuar edhe format korruptive?
5. A ka patur raste, madje fenomene, kur nga shkolla dhe rrethe të ndryshme, edhe pse në kushtet e një kontrolli më të organizuar, janë vërejtur nota fiktive edhe në provimet e Maturës Shtetërore, duke zënë pa meritë vendet në fakultetet më të privilegjuara, fjala vjen në fakultetin e Mjekësisë, ku në një nga vitet e fundit shumica e nxënësve ishin të një rrethi dhe shkolle të caktuar?!
6. A është në gjendje Ministria e Arsimit dhe organet e specializuara të ushtrojë kontroll në të gjithë shkollat e Republikës e në çdo lëndë për objektivitetin e vlerësimit të nxënësve,në mënyrë që vlerësimet të jenë të barasvlefshme dhe të jenë në të njëjtin standart në rang kombëtar?!
Mendoj se të gjitha këto do të merrnin vlerën e duhur nëse universitetet këtë formule do ta paraqitnin si kriter për të konkuruar nëpërmjet një testimi sipas çdo dege e fakulteti, pra çdo kandidat mbi bazën e mesatares së përgjithshme dhe asaj të lëndëve të veçanta sipas specifikës së degës do të pranohej për të konkuruar,e jo të bëhej një përzgjedhje kaq sempliste dhe mekanike që nuk mund të na çojë asgjëkundi, përveç kthimit disa dekada më pas.

Zv.drejtor i gjimnazit “Qemal Stafa”
Sigal