Genc Pollo/ Vazhdon “fshesa” për mësuesit e kualifikuar

616
Sigal

Prej mëse dy javësh Ministria e Arsimit ka filluar operacionin e spastrimit të mësuesve të padëshiruar, pas direktivës së Ramës për skanimin e mësuesve. Të dërguar të Ministrisë janë lëshuar në Drejtoritë Arsimore Rajonale, duke kërcënuar mësues me një përvojë të gjatë pune se do të pushohen nga puna me pretekstin orëve mësimore të plota apo profilit. Edhe pse plotësimi i bërë deri tani është i ligjshëm e i kushtëzuar nga rrethanat, sidomos në zonat rurale. Synimi real është për të hequr nga puna mësuesit që nuk dëshmojnë bindje neorilindase dhe për të punësuar militantët social-integristë apo për të vjelë ryshfete, siç doli qartë në Tiranë, Kukës e Shkodër. E gjithë kjo fushatë është në kundërshtim me nenin 72, pika 5 të ligjit 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” si dhe në kundërshtim të plotë me Kreun II, pika 1 dhe 2 të Udhëzimit nr. 56, datë 12.11.2013 “Për procedurat e emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet e arsimit parauniversitar”, të firmosur nga ministrja Nikolla.

Ligji nr.69/2012 Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”

Neni 60

Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit:

1. Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit për vlerësimin. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetarin e bordit të institucionit, kryetarin e këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve në atë institucion. Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

2. Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për:

a) shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore;

b) shkelje të etikës e të sjelljes në institucion;

c) mosarritje të nxënësve, të përcaktuara në mënyrë objektive, si testimet e drejtorisë së institucionit ose të njësisë arsimore vendore, rezultatet në provimet kombëtare dhe vlerësimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

3. Drejtori i institucionit arsimor publik vendos largimin e tij pas konsultimit me komisionin e përmendur në pikën 1 të këtij neni, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

Neni 72

5. Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe ka formimin përkatës universitar, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin. Ky përcaktim vlen edhe për mësuesit që kanë përfunduar arsimin e lartë pedagogjik 3-vjeçar, përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës. Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe që ka mbaruar një shkollë të mesme pedagogjike ose shkollë tjetër të profilizuar për mësuesi, siç janë shkollat e mesme të muzikës, artistike, të gjuhëve të huaja dhe fizkulturës, dhe që ka fituar tri shkallët e kualifikimit, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin.

Udhëzimi nr. 56, datë 12.11.2013 “Për procedurat e emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet e arsimit parauniversitar”

KREU 2

Largimi i mësuesit nga puna

1. Drejtori e largon mësuesin nga institucioni publik i arsimit parauniversitar në raste e shkeljes flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë, nga organet kompetent për një ose më shumë nga rastet e mëposhtme:

a) Ka falsifikuar dokumentet zyrtare;

b) Ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumentet zyrtare;

c) Ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit;

ç) Ka ngacmuar seksualisht nxënësit ose punonjësit e institucionit;

d) Ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit;

e) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënësit që mëson ose nxënësit e shkollës së tij;

f) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënës jashtë shkollës së tij, kur nuk është i licencuar për këtë veprimtari private;

dh) Ka marrë ryshfet;

g) Ka bërë deklaratë të rreme në procesin e aplikimit.