Sigal

Militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit

Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”.

                               Frederik Vilhelm

Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit. Në këtë kuptim, jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo.

Portali “Mësues për Shqipërinë”  i huazuar dhe formal

I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”,  është huazuar në formën më të  shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, aplikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera europiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimor. Ky është portal që po shërben  si fasadë djallëzore e MASR–s, dhe Drejtorive Rajonale e ZA – ve,  për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet  me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën “alla shqiptarçe”. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla. Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej – këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona.

Drejtues shkollash dhe të ZA-ve  që janë kthyer në feudalë

Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit. Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve, që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo zgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MASR nuk e ka pikën e impenjimit për të parë në se është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj. Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. E themi këtë, se ka mbi 20 vjet që qëndrojnë  në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencorë e profesionalë, që i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal. Kjo administrate, do të thosha e fryrë, po mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar. Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.

 Vijon formalizmi në përmbajtjen e shkollës

Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e lirisë së shfrenuar, në emër të liberalizimit të dijes, e cila ashtu si edhe në ekonomi, ka prodhuar fakte të renda në arsim. Me keqardhje janë krijuar në të gjithë vendin “një xhungël” e vërtetë shkollash e universitetesh private, që nga numri i tyre në raport me popullsinë zor se gjen në një vend tjetër të botës si Shqipëria, ku dihet se arsimi është një e mirë publike, e cila nuk mund te ndahet me privatin në këtë mënyrë. Aq më tepër që e ka të pamundur të kontrollojë nivelin e dijeve që merren tek privati. Fatkeqësisht nuk ka ende një standard shtetëror të dijeve që duhet të përvetësojnë fëmijët në çdo hallkë të sistemit arsimor.