Foto Bixhili*/ Kur harron traditën…

654
Sigal

Kisha disa muaj që nuk kisha shkuar në kishë, sidomos në mësimet e së dielës, siç e kam bërë traditë. Për ditë të shënuara shenjtorësh, apo figurash historike, dhe kujtimoresh, në të tilla përfshirje, nisin dhe thirrjet e kujtesës, të historisë sonë lokale të çdo fshati, krahine, pse jo edhe kombi. Për çdo ditë të shënuar për ngjarje a figurë të shquar, që ka lënë gjurmë dhe emër jete, ekzistencë dhe vazhdimësi, kujtesa e ka bërë nisjen e vet në këtë traditë përkujtimi.

Nuk i njoh ritet e besimeve të tjera, por në këto rite të besimit të Krishterimit Ortodoks, jam rritur e kultivuar tërësisht. Krishterimi i ka shkrirë ritet e veta, si besim dhe dogmë, me natyrën civile dhe kohore të njeriut.

Kësaj kujtese, jo pak herë, edhe i janë imponuar faktorë shoqërorë dhe politikë, por të gjithë këta faktorë, nuk kanë qenë jetëgjatë dhe kanë humbur si njollë e zezë në fushën e gjerë e të pafund të rrezatimit diellor. Dhe tradita, historia, vlerat, kanë rigjetur veten, në vazhdimësinë historike të njeriut, përballë antivlerave, të cilat kanë mbetur në kujtesë, si njolla të errëta; si njolla diellore, që shkenca arrin t’i dallojë vetëm me teleskopë të rrezatimit X.

Everjetët e mëdhenj, dijetarë, shkencëtarë, teknikë e konstruktorë të dëgjuar, në përgjithësi “nuk kanë ditëlindje” për t’u kujtuar. Atë e kanë eklipsuar me “ditëlindjen’ e veprës së tyre. Ndër ta, bëjnë pjesë dhe tre Everjetët e mëdhenj të Krishterimit Ortodoks: Vasili i Madh, Grigori Teologu dhe Joan (Gojarti) Hrisostomi; Everjetë e Mëdhenj të dijes e të shkollimit, që kujtohen të tre në një ditë e çdo 30 janari të çdo viti.

Shkollat e para të Kohës së Re të pas Krishtit, ku jepeshin e përhapeshin dijet, ishin e mbetën tempujt dhe godinat, ku ritoheshin ritet e këtij besimi. Të diturit dhe përhapësit (Apostujt) e dijes e të njohjes, ishin njerëzit e mësuar të kohës e pas tyre edhe priftërinjtë, që u bënë dhe mësuesit e parë të formimit të njeriut të mësuar. Dhe asnjëherë këto institucione dhe njerëzit e tyre predikues dhe mësues, nuk janë veçuar nga objekti i tyre, Njeriu. Përkundër, veç në se vet njeriu është larguar prej tyre.

Historia e re e popujve të Ballkanit, e serbo-bullgarëve, grekëve, maqedonasve të rinj, edhe të shqiptarëve; të gjithë kemi ç‘të kujtojmë, ç‘të mësojmë e ç‘të nderojmë. Secili Everjetët e Vet, secili Krishtin dhe krishtërit e tij, si ndriçues të mendjes e të mendimit, të dijes së njohjes e të ndërgjegjes; investitorë, arkitektë e ndërtues, si dhe përballës financues ekonomikë të këtyre objekteve të kultit të dijes e të shenjtërimit brenda besimit të vet, që nuk u ndanë kurrë nga vetja: DIJA dhe BESIMI.

Njëri ndër ta, për kohën e vet dhe veprën që ka lënë pas, është dhe Gjika Bixhili, emri i të cilit, për nderin e historisë së kësaj shkolle, pas një shkëputje disa vjeçare të diktaturës, vazhdon të mbajë edhe sot shkolla 9-vjeçare “Gjika Bixhili” e fshatit Dhërmi të Himarës.

Autori i këtyre radhëve, në mars të vitit 1991, kur zëvendësoi përkohësisht drejtorin e mëparshëm që u largua jashtë shtetit, shkresat drejtuar institucioneve të ndryshme, si dhe vërtetimet përkatëse, që kërkoheshin, nisi t’i postonte me “kryen” dhe adresën, me siglën: Shkolla 8-vjeçare “Gjika Bixhili”, papritur të bëhej rinjohja nga organizmat përkatëse.

Më 30 janar 1992, me drejtor Spiro Karavella, u bë dhe festimi i rivendosjes zyrtare të emrit, që trashëgonte që nga dita e ngritjes e të fillesës së saj. Ishte një përkujtimore dhe festë sa e thjeshtë aq dhe emocionuese. Pleq e të rinj, që zbritën bashkë me nxënësit e shkollës nga kisha e Madhe e Shën Spiridhonit mbi shkollë, historikisht aq afër njëra me tjetrën dhe jo rastësisht, ashtu siç e donte dhe na e përcillte tradita e trashëgimisë jo të largët nga të parët tanë të kohës, deri në pragun e “Revolucionit Kinez” e në vazhdim. Kaq të djegur e të përvëluar në mall ishin dhërmijasit, për emrin e shkollës së tyre, që diktatura ua kishte mohuar.

Ceremoni dhe kujtime të tilla ruajnë të gjalla vlerat; vlera të gjithanshme shpirtërore, morale, historike, njerëzore, atdhetare dhe të besimit, pse jo. Ndërsa shkolla e Dhërmiut, që mban këtë emër, ditën e traditës së përkujtimit të Everjetit të saj, ditën e 30 Janarit 2014, e reflektoi si një ditë të zakonshme mësimi, ose ndoshta, me “Orë Kafe” brenda mjediseve të saj.

Ndoshta mundet të jetë bërë diçka, por jashtë traditës vendore, për të cilën bëhet fjalë në këtë shkrim. Dita e shkollës së Dhërmiut, është dhe mbetet Dita e 30 Janarit, që trashëgojmë që në fillesën e saj dhe nuk është e mundur ta ndryshojë kush. Për të gjitha shkollat që mbajnë në ballin e tyre një emër që përfaqësohen e përfaqësojnë, e kanë një ditë aktivitet, nga ditët vjetore të planifikuara për veprimtari edukative jashtëmësimore. Janë ditë edukative dhe formimi, për misionin që ka vet shkolla, të vlerave njerëzore dhe historike që kultivon vet ajo si institucion, lokale dhe kombëtare.

Nuk duhen para, veç vlera dhe kulturë. Dija, sado “e plotë” që të jetë, jashtë tokës dhe traditës që e ushqen, përgatit vetëm ROBOTË dhe jo njerëz dhe qytetarë të formuar…

*Mësues në pension, ish-drejtor i shkollës “Gjika Bixhili”, studiues, historian