Forum:Maturantë, ja kush janë profesionet më të kërkuara në tregun e punës

2998
Sigal

Forum/Flasin për tregun e punës, prof. Petrit Malaj, Rektor i UAT-së, prof.dr. Jorgaq Kaçani, Rektor i UPT-së, prof. dr. Dhori Kule, Rektori i U T-së dhe prof.dr. Mynyr Koni, Dekan i FSHN-së

Dyert e universiteteve dhe shkollave të larta presin e përcjellin dhjetëra e qindra mijë të rinj e të reja çdo vit. Midis studentëve që hyjnë në portat e universiteteve dhe atyre që dalin prej tyre ka një ndryshim shumë të madh në realitetin shqiptar. Studentët që hyjnë në auditore dinë se çfarë do të studiojnë, çfarë njohurish dhe aftësish do të përfitojnë, pasi kanë përzgjedhur degën që do të studiojnë. Krejt e kundërta ndodh me studentët që përfundojnë  studimet universitare apo pasuniversitare. Në zbatim të ligjeve të ekonomisë së tregut dhe kërkesë- ofertës në tregun e punës, ata do të gjejnë edhe vendin se ku do të punësohen. Po sa e gjejnë veten në tregun e punës studentët e fakulteteve të ndryshme? Për këtë flasin në një forum nga “Telegraf”, Prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve të Tiranës,  Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. Dr.Dhori Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës dhe  Mynyr Koni, Prof. Dr.Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve në Tiranë: Ministria e Kulturës ka ç’të bëjë për punësimin e artistëve

Tregu i punës është një problem që unë e kam trajtuar gjithmonë, qoftë në momente të ndryshme zyrtare, në konferenca, takime apo komunikim shkresor që kam, qoftë me Ministrinë e Arsimit, qoftë me Ministrinë e Kulturës. Tregu i punës në art është shumë i vështirë, jo vetëm në Shqipëri, por në Europë e kudo. Ne si shkollë kemi bërë disa hapa, kemi tentuar të kemi projekte dhe ide që të ndikojë sadopak në zbutjen e këtij fenomeni. Para dy vitesh, ne patëm një projekt shumë interesant, ishte një ide që unë e fillova me kolegët e mi dhe studentët këtu, që u quajt “Qyteti i Arteve”, projekt që u mbështet nga Qeveria shqiptare për një vit. Në fakt, me një kosto shumë të ulët financiare, këtu përgatitën rreth 40 projekte skenike, muzikore dhe të arteve pamore. Nga ana tjetër, ky ishte një projekt ku u përfshinë jo vetëm studentët tanë aktualë dhe pedagogë, por pati dhe të rinj të talentuar, që ne i kemi gjykuar të tillë, të cilët kanë mbaruar shkollën këtu dhe i ofruam atyre kontrata të shkurtra 2-3 mujore, pra u përpoqëm të ndikojmë sadopak në zbutjen e këtij fenomeni, aq sa mundëm dhe aq sa zgjati. Unë mendoj që politika në tërësi, pra politika, ajo që drejton artin dhe kulturën në Shqipëri ka shumë se ç’të bëjë në hapjen e mundësive dhe në krijimin e terrenit, një terreni tjetër për të rinjtë. Të rinjtë që mbarojnë shkollën e artit nuk kërkojnë komoditet, të rinjtë kërkojnë mundësi shpërfaqjeje. Të mos harrojmë që në fushën e Muzikës, investimi është për shumë e shumë vite, po ashtu dhe në fusha të tjera të Pikturës dhe te Arti Skenik. Ne  bëjmë gjithçka për të pasur një komunikim më se të duhur, më se normal, për të krijuar mundësinë e duhur për studentët tanë, ne përpiqemi që në një mënyrë apo tjetër t’i evidentojmë ata. Eh, kultura pastaj nga një anë thyen çdo kufi, kultura të përfaqëson denjësisht, po edhe sporti. Në qoftë se vëmë re, sot në botë është një Kadare që na jep kënaqësinë dhe nderin që jemi shqiptarë, një Inva Mula, por janë dhe instrumentistë të shumtë, ju siguroj për këtë. Dhe meqë më pyetët për tregun, ka shumë instrumentistë në fakt, që kanë mbaruar Universitetin e Arteve dhe janë pjesë e orkestrave famoze në Europë. Nuk ke orkestër besoj, në Berlin, në Romë, në Vjenë, Paris që mos të ketë një orkestrant shqiptar, por nuk është pak, të jesh spalë diku në një orkestër dhe mendoj që kjo tregon për një traditë shumë të mirë që ka shkolla jonë. Nga ana tjetër, pjesë e medias elektronike në Shqipëri në fakt, sot janë pikërisht të rinjtë që mbarojnë këtë shkollë. Kështu në orkestrat e ndryshme që përdorin në varietete të ndryshme, apo dhe në këto spektakle që bëjnë televizionet private, trupat e baletit të tyre, të gjithë janë studentë që kanë mbaruar në Universitetin e Arteve, orkestra e Radio-Televizionit Shqiptar dhe në Opera, të gjithë instrumentistët i merr pikërisht nga Universiteti i Arteve, teatrot, paçka ka rrethe të veçanta  që absolutisht të rinjtë po japin kontribut, siç është Durrësi, Korça, Elbasani, Shkodra.

Prof.Dr. Jorgaq Kaçani, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës: Shkencat inxhinierike japin siguri për punësim

Para së gjithash do t’u uroja të gjithë maturantëve suksese në Maturën Shtetërore, do t’i uroja atyre që t’u plotësohet dëshira mbi bazën e kërkesave që ata kanë, por nga ana tjetër, jo vetëm në pozitat e një pedagogu apo drejtuesi të një institucioni të arsimit të lartë, të Rektorit, por në pozitat e prindit do u këshilloja që të preferojnë shkencat inxhinierike, shkenca të cilat do të japin përparësi në vetë kualifikimin e tyre, do të japin përparësi në vetë menaxhimin e vetvetes të familjeve të tyre, menaxhimeve të tyre ekonomike, por nga ana tjetër do të japin siguri për një punësim jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, sepse kjo është eksperienca, kjo bazuar në diplomën që Universiteti Politeknik u jep të diplomuarve bazuar në stafin akademik, bazuar me lidhjet që Universiteti Politeknik ka me botën e jashtme dhe me përgjegjësitë që merr dhe unë them me kënaqësi që është universiteti që ne kemi plotësuar vlerësimin e brendshëm të cilësisë për akreditimin e universitetit, jo vetëm të programeve të studimit, por dhe të menaxhimit të universitetit, menaxhimit financiar, menaxhimin me marrëdhënien me të tretët, menaxhimin me botën e jashtme dhe jemi në pritje të specialistëve të huaj për vlerësimin e jashtëm dhe akreditimin e Universitetit Politeknik të Tiranës. Degët më të sulmuara nga maturantët janë degët e Teknologjisë së Informacionit, degët e Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës, Elektronikës etj. Por unë dua të them këtë, që studentët e inxhinierisë janë të suksesshëm në procesin e punësimit, ky është një avantazh që ia jep vetë formimi inxhinierik brenda vendit, por edhe jashtë vendit. Diploma jonë njihet edhe jashtë vendit fal implementimit të procesit të Bolonjës që është me transferimin e krediteve. Pra transferimi i krediteve bëhet jo vetëm gjatë fazës së studimeve inxhinierike, por edhe pasi kanë përfunduar, të bëjnë njohjen e diplomës jashtë vendit. Diploma njihet në SHBA, në Gjermani, Japoni, Angli, Francë, Itali, Greqi, Rusi, madje edhe në Australi gjen studentë të punësuar me diplomën tonë. E them me kënaqësi që s’ka shumë, kur mora një telefonatë nga SHBA-të, për të bërë verifikimin e diplomës së një studenti, i cili do të punësohej si inxhinier në Amerikë.

Prof. Dr. Dhori Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës: UT-ja i ofron kualitet tregut të punës

Universiteti i Tiranës në tregun e punës është më prioritari për shkak të kurrikulave mësimore, aftësive të pedagogëve, por edhe për shkak se tek universiteti ynë vijnë maturantët më të mirë dhe më të mirët ngelen më të mirë. Studentët tanë gjejnë punë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, kështu ka të punësuar ish-studentë të UT-së dhe në institucione prestigjioze ndërkombëtare si FMN-ja, apo në Bankën Botërore. Tregu absorbon në masë të madhe specialistët tanë, sidomos tregu privat, që ndryshe nga Administrata shtetërore, nuk ka subjektivizëm, është më afër reales. Pra, Universiteti i Tiranës i ofron specialistë shumë të mirë dhe kualitet, tregut të punës, pastaj sesa absorbohen është tjetër problem, pasi duhet të analizohen edhe politikat rajonale, që për mendimin tim duhet të jenë të studiuara dhe t’i bëjnë tërheqëse, që studentët të joshen nga këto politika dhe të kthehen dhe të kontribuojnë pastaj në qytetet e tyre. Sepse të jemi realistë dhe duhet të themi që një përqindje shumë e madhe e studentëve të UT-së, preferojnë të rrinë në kryeqytet dhe nuk kthehen në qytetet e tyre. Kjo dhe për shkak se të gjithë duan një jetë sociale më të mirë dhe kjo ndodh në të gjitha kryeqytetet e Europës Lindore, prandaj për këtë arsye Tirana ka një mbingopje të diplomuarish, të cilët sakrifikojnë shumë për të ndenjur këtu. Kjo është dhe sfida jonë, por dhe një mesazh për politika më të harmonizuara për sa i përket tregut të punës.

Prof. Dr. Mynyr Koni, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës: Studentët tanë të nevojshëm për tregun e punës

Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka dy profile të rëndësishme, nëse më lejon ti grupoj. Së pari, është profili i mësuesisë. Ne kemi në ciklin e dytë të studimeve, masterin e shkencave, kemi 4 programe për mësues për shkollat e mesme dhe të larta në biologji, kimi, matematikë, fizikë, të cilët përballojnë një fluks shumë të madh, mesatarisht numri i nxënësve që pranohen në këto programe është 50-60 studentë. Të gjithë këta studentë gjejnë tregun e punës menjëherë, sepse ka një përvojë traditë, por dhe nevojë që ka arsimi ynë kombëtar parauniversitar për mësuesit. Në  vijueshmëri të kësaj, këtë vit ne do të propozojmë dhe për hapjen e programit mësimor të masterit shkencor për mësuesi në informatikë, duke kompletuar kështu bazat e mësuesisë për arsimin parauniversitar në fushën e shkencave të natyrës. Komponenti i dytë është pjesa kërkimore, që edhe në këtë rast fakulteti ynë ka pasur një përvojë. Ne kemi shumë mastera të tillë dhe natyrisht me to operohet me një numër më të kufizuar dhe përzgjedhja është më elitare dhe përgjithësisht edhe këto përputhen me tregun e punës. Unë mund  të përmend këtu; masterat në Biologji Molekulare që e gjejnë veten në institucione të ndryshme kërkimore, eksperimentale, në laboratore të ndryshme, pra ka një hapësirë goxha të madhe. Kemi masterin në  Biologji Mjedisi, që ka hapësira në të gjitha nivelet, pasi mjedisi është një problem sot qoftë në nivelin rajonal, qoftë në  atë lokal dhe qendror, pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme. Problem mund të jetë kur studentët janë me diplomën bachelor dhe përthithja në punë e tyre është e kufizuar, kjo dhe për arsyen e organizimit të studimeve, por në përgjithësi puna jonë është që të gjithë studentët që mbarojnë bachelor-in t’u japim hapësirë dhe mundësi që të vazhdojnë ciklin e dytë në një nga programet selektive që ofron departamenti përkatës