Filip Gjonçi:Tek arsimtaret pensionistë përkushtimi ka qenë më i fokusuar

704
Sigal

INTERVISTA/ Flet Filip Gjonçi, Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës

Aroma e kafesë i bën njerëzit më miqësorë dhe kur kësaj arome i bashkangjitet një dialog i çiltër dhe i këndshëm, mëngjesi fillon bukur. Për të qenë të sinqertë, me raste, askush nga ne nuk e shmang paragjykimin ndaj njëri – tjetrit. Mendoja se njerëzit me profesion në shkencat ekzakte si matematicienë, fizikantë apo kimistë janë pak të ftohtë dhe të prerë, por kisha gabuar sepse pikërisht kimisti që unë bisedoja ishte dhe është një natyrë e ngrohtë, dashamirëse, elokuent në të shprehur dhe me humor, por edhe serioz në momentet që duhet. Pra padrejtësisht profesioni i vesh një pamje të ftohtë dhe mistike. Një njëri vertet me vlera në fushën e tij, pedagog biokimie prej shumë vitesh, bashkëautor tekstesh të kimisë, si profesor ka nxjerrë breza të tërë biokimistësh të cilët dhe sot e respektojnë dhe e nderojnë. Aktualisht drejtues i një institucioni tepër të rëndësishëm Filip Gjonçi, Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës.

1978 – 1986: Profesor kimie në shkollën e mesme bujqësore Ishëm (Durrës).
1986 – 1991: Bashkëautor tekstesh të kimisë krahas emrave të mirënjohur  si: Eduard Andoni, Xhovasar Çakmaxhan, Bashkim Berisha etj.
1986 – 1993: Profesor në gjimnazin “Naim Frashëri”, Durrës.
1993 – 2002: Drejtor në kompaninë detare norvegjeze “LA VIKINGA”.
2002 – 2005: Biznes privat (Agjensi Udhëtimesh).
2006 – 2009: Specialist pranë Institutit Qëndror Teknik, Tiranë.
2010 – 2013: Pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
2011 e në vazhdim Drejtor i Drejtorisë Arsimorë Rajonale Durrës.
Si nis një ditë pune për ju?
Aktive, pas zgjimit rreth orës 06.15 pak fiskulturë, një kafe e shpejtë, mbërritja në zyrë, mbledhja me stafin, porosi të specialistëve përkatës, qëndrimi në zyrë kryesisht për të dëgjuar ankesat ose propozimet që kanë njerëz të ndryshëm, mësues, prindër….por qëndrimin në zyrë nuk e kam të ekzagjeruar, sepse më pëlqen që problemet nëpër shkolla t’i ndjek nga afër personalisht. Pra jam një drejtues që preferoj më shumë terrenin se sa komoditetin e zyrës .
Si funksionin puna e stafit të Drejtorisë Arsimore?
Në Drejtorinë Arsimore punohet në grup, nuk ka divergjenca mes titullarit dhe nënpunësve, ka rritëm, mirëkuptim dhe dëshirë për punë. Unë kam një moto të cilën jam përpjekur t’ia imponoj edhe stafit tim  “duke punuar për shtetin dhe njërëzit, ke punuar për veten”. Çdo punë është një sfidë dhe unë jam krenar që jam pjesë e kësaj sfide. Neve na duhet të rendim, sepse as ecja e shpejtë nuk mjafton për të zbatuar reformat e qeverisë.
A ka probleme në arsim?
Ka probleme, duke filluar që nga ankesat e prindërve ndaj mësuesve ose ankesa të mësuesve ndaj drejtuesve të shkollave, probleme përsa i përket infrastrukturës së ndonjë shkolle të mbetur, gjithsesi  nuk janë edhe aq të shumta në numër në krahasim me arritjet. P.sh. në tetë vitet e fundit në Durrës është një bum ndërtimesh i shkollave të reja. Fakt. Sapo inaguruam shkollën “B.Curri” e parametrave evropiane, në krye të pak javëve, inagurohën edhe tre të tjera, janë shëmbur dy shkolla këto ditë për të ndërtuar të reja, të gjitha këto në harkun kohor të tetë muajve.
Me ardhjen tuaj në krye të Drejtorisë Arsimore, cilat kanë qenë risitë?
Mendoj se është shtuar përdorimi i mjeteve të informacionit në orët e mësimit, kemi tejkaluar porosinë e Min. të Arsimit për rregjistrimet në shkollat profesionale sepse kishte pak mangësi, për arsyen e njohur tashmë që vëndet të cilat i shpëtuan krizës ishin pikërisht ato që këto shkolla i kishin shumë të forta. Nuk ka qenë e lehtë për arsye të mungesës së ambienteve, por gjithsesi duke angazhuar të gjithë stafin, të cilin unë e falenderoj, qëllimi u arrit.
Vihet re prurja e madhe e studentëve në universitete dhe më pas sistemimi i tyrë në vende pune. Mendimi juaj?
Shteti i jep të drejtën çdo individi për t’u arsimuar, jemi në kapitalizëm, por më pas varet nga meritat e sejcilit që të pozicionohet në profesionin që ka.
Njiheni si drejtues që ndiqni pothuajse çdo aktivitet të organizuar nga nxënës të shkollave të ndryshme…
Marr kohë dhe nga angazhimet familjare për të ndjekur këto aktivitete, jo vetëm se ma kërkon detyra, por e bëj me shumë dëshirë sepse fëmijët më emocionojnë.
Ju për shumë vite keni punuar si mësues në fshat. Në këtë kontekst, cili është ndryshimi sot me atëherë?
Ndryshimet janë spektakolare, duke filluar që nga infrastruktura që nuk ka të krahasuar me atëherë, edhe në kushtet mësimore, kabinetet ku zhvillohet mësimi, pra kushtet janë më të lehta.
Po si përgatitje profesionale, cili është ndryshim me të atëhershmit e të sotmit?
Nuk mund ta zbeh përgatitjen profesionale të mësuesve sot, por atëherë, flas për brezin e 50 – 60 vjeçarëve, ose që tashmë janë pensionistë, përkushtimi ka qenë më i fokusuar, megjithatë situata në arsim nuk është aspak e keqe.
Lidhja juaj me politikën?
Aq sa duhet, por theksoj se qeveria aktuale është e vetjma që mban premtimet. Ndërsa nga të gjitha kahet kam shoqëri.
Besoni në Zot?
Dua të besoj, e dua Zotin, por duke qenë njëri pragmatist mendoj se ndihma më e madhe është ajo që i jep vetes.
Përveç punës, si është një fundjavë për ju?
Në shtëpinë time të vogël në fshat, kryesisht merrem me kopshtin që e kam krijuar vetë dhe çdo gjë në atë shtëpi e kam bërë me duart e mia.
Pra, nëse nuk do ishit një biokimist mund të ishit një agronom i mirë?
Pse jo! Por mund të isha edhe një mjek shumë i mirë.
Pasionet tuaja?
Adhurues i natyrës, udhëtimet, muzika, madje në gëzimë familjare mund të luaj edhe pak me kitarë. Urrej muzikën e përçudënuar si tallava etj, etj, adhurues i futbollit, sepse dikur kam qenë futbollist me ekipin e të rinjve dhe të rriturve.
Cili është mendimi i parë që ju vjen në mëngjes?
Mbuloje ditën me punë, që të të ikë mendja nga djalli
Kush është djalli për ju dhe e hasni shpesh?
Shpifja, keqdashësia, urrejtja, mosmirënjohja, lakmia, hasen shpesh, por përballem me maturi, por nuk hakmerrem, sepse gjithmonë ka një zgjidhje.
Mesazhi juaj për të gjithë lexuesit, arsimtarët dhe nxënësit?
Gjeni vetveten, mos i prisni të mirat duke ndenjur. Sa më shumë punë për veten dhe vendin tuaj, Shqipëria ka nevojë për ne, sa më shumë dashamirësi ndaj njëri – tjetrit.