Fëmijët e tregtarëve, gjahu i mësuesve të shkollave

467
Sigal

Fëmijët e biznesmenëve, gjah për mobilimin e sallave.  Udhëtime jashtë shtetit dhe makina të reja me lekë qyl

Ja si vidhen paratë e nxënësve në shkollat e Durrësit

Një hije skandali ka mbuluar prej disa kohësh shkollat e Qarkut të Durrësit. Kjo pasi, në DAR kanë mbërritur edhe denoncimet e para që lidhen me shpërdorimet e parave që nxënësit paguajnë çdo fillimviti për gjoja “pagesë për rojën, apo edhe mirëmbajtje klasash dhe ambientesh shkollore”. Por që në fakt me paratë që nxënësit paguajnë drejtuesit e mjaft shkollave 9-vjeçare dhe shkollave të mesme, kanë bërë dhe po bëjnë udhëtime jashtë shtetit, por edhe blerje të makinave të reja. Burimet të sigurta nga disa shkolla të Durrësit, kryesisht nga mësues dhe prindër i thanë “Telegraf” se, “abuzimet me paratë e nxënësve kanë vite që bëhen dhe prej vitesh, por edhe sot e kësaj dite, asgjë nuk bëhet për rehabilitimin e ambienteve shkollore, ka shkolla pa dyer dhe dritare, pa palestra, pa banjo dhe asgjë nuk është e justifikueshme pasi drejtuesit çdo fundjavë ikin jashtë qytetit, me tragete apo mjetet e tyre, në Greqi, Maqedoni, Malin e Zi, apo gjetkë”. Fakti është se, çdo fillimviti çdo nxënës paguan 1 mijë leke te reja (veç pagesave të tjera që u merren me justifikime të ndryshme) me pretendimin se “duhet paguar roja,  do të blihen fshesa, rradacë, kova, detergjente etj.”. Dhe të llogaritësh që çdo shkollë 9-vjeçare në Durrës ka mbi 900 nxënës dhe gjimnazet me mbi 1600 të tillë  dhe natyrisht mblidhet një vlerë e madhe monetare. Problem shpërdorimeve nis qysh nga pagesa e rojës, ku në mjaft shkolla, pavarësisht asaj që deklarohet, ai nuk paguhet më shumë se 8 mijë lekë të reja në muaj. Por skandali nuk mbaron me kaq. Të njëjtat burime thane se “abuzimi drejtuesve të shkollave vazhdon edha përgjatë vitit shkollor, duke gjuajtur fëmijë tregtarësh dhe biznesmenësh, duke u kërkuar atyre para në këmbim të notes, apo vijueshmërisë në mësime. Vetëm javën e kaluar një tregtar nga Durrësi ka veshur me perde dhe ka mobiluar zyrat, sallën e mësuesve, dhe klasat e një gjimnazi në këtë qytet, pas presionit që drejtuesit i bënë të birit se “do të përjashtohesh nga shkolla në rast se nuk vjen rregullisht, dhe në rast se sillesh keq me mësuesit dhe shokët”. Pavarësisht se tregtari, prindi këtij nxënësi ka vajtur dhe ka sqaruar presionet psikologjike që i bëheshin të birit, të cilin e kishin krimbur për 2 muaj me notën 4 në shumicën e lëndëve, duket se gjithçka ishte e kotë. Por si ky rast ka me dhjetëra në shumicën e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit. Duke dashur të mbeten anonimë, prindërit e disa nxënësve thanë se “ dy drejtoresha të dy prej shkollave pranë DAR në Durrës  dhe në Shkozet, u bënë me makina të reja pa mbushur mirë 3 muaj në detyrë, dhe mburren se, “mos llapni kot lart e poshtë se nuk fitoni gjë, po zbuluam atë që llap e largojmë nga shkolla dhe të ankohet ku të dojë”. Por më e habitshmja është se këta drejtues shkollash veç zhytjes në afera të tilla të pista dhe abuzime, janë edhe mjaft harbutë me vartësit e tyre mësues, nuk kanë fare transparencë për paratë që mblidhen dhe shpenzimet që bëhen me to. Por edhe pse denoncime të tilla kanë kohë që bëhen prezentë edhe në DAR, deri sot nga kjo drejtori nuk ka pasur asgjë konkrete, asnjë masë asnjë kontroll dhe asnjë ndëshkim, duke krijuar mendimin dhe bindjen se ekziston ujdia mes palëve. Arroganca dhe korrupsioni me paratë e nxënësve përbën objekt të punës edhe të Krimit  Ekonomik, i cili deri sot ndoshta ka skeduar por nuk ka hetuar dhe nuk ka denoncuar asnjë drejtues shkolle, duke u lënë dorën e lirë atyre në abuzimin më flagrant  me detyrën dhe financat e institucioneve shkollore.