Fatmir Vejsiu: “Procedurat për maturantët që vijnë nga jashtë shtetit dhe data për aplikimet e A1Z”

515
Sigal

INTERVISTA/Flet Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar pranë MASH-it

Së shpejti do të fillojnë aplikimet për plotësimin e Formularit A1Z, për të gjitha kategoritë e tjera të maturantëve që nuk janë duke ndjekur shkollën e mesme këtë vit. Aplikimi për Formularin A1Z, është më i koklavitur dhe për këtë arsye, ai do të marrë më shumë kohë. Një kategori e rëndësishme që do e plotësojnë këtë formular janë edhe maturantët që kanë mbaruar shkollën jashtë Shqipërisë. Kjo kategori duhet të ndjekin disa procedura, për plotësimin e këtij formulari. Në lidhje me procedurat dhe rregullat për këtë formular ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Fatmir Vejsiu, Drejtori i Arsimit Parauniversitar pranë MASH-it.

 -Zoti Vejsiu, kur fillon plotësimi i Formularit A1Z, për kategoritë që duhet ta plotësojnë këtë?

-Formulari A1Z, është një formular më i ndërlikuar dhe për këtë specifik ai kërkon edhe një vëmendje më të madhe dhe kërkon edhe më shumë kohë për t’u përgatitur. Plotësimi i Formularit A1Z, për shkak se, është më i koklavitur, kërkon edhe më shumë të dhëna dhe kërkon më shumë besim. Sepse aty duhen edhe rezultat e provimeve, duhet edhe mesatarja e shkollës së mesme etj.. Meqenëse është një procedurë më e vështirë është lënë që të fillojë në fillim të javës së ardhshme.

 -Një kategori që do të plotësojnë Formularin A1Z, janë edhe maturantët që kanë bërë shkollën e mesme jashtë Shqipërisë dhe studimet e larta dëshirojnë që ti bëjnë këtu. Çfarë procedurash duhet të ndjekin ato?

-Si fillim këto maturantë duhet të bëjnë njësimin e diplomës. Nëse maturanti që vjen nga jashtë e ka të njësuar diplomën dhe sipas urdhrit të ministrit, maturanti i ka dhënë edhe provimet me zgjedhje ai nuk do të japë më provime me zgjedhje këtu. Atij do ti llogaritet vetëm nota që ai ka marrë. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë kryer arsimi e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm, Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë se provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar ose të mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe. Me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, në MASH, ngrihet një Komision i Posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e maturantëve/kandidatëve për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm;

 -Çfarë dokumentesh duhet të dorëzojnë këta maturantë që kanë mbaruar shkollën jashtë shtetit?

-Shtetasit e përmendur në pikën 1 të këtij neni, paraqesin pranë këtij Komisioni, deri më 25 prill 2013, këto dokumente:

a) Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL.

b) Dëftesën/Diplomën origjinale, së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara.

c) Kopjen e dokumentit të identifikimit.

 -Më konkretisht, çfarë provimesh duhet të japin këta persona që kanë bërë shkollën e mesme jashtë Shqipërisë?

-Shtetasit, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, por që nuk kanë dhënë provimet e Maturës (provimet e detyruara dhe me zgjedhje), për t’u pranuar në IAL, duhet të japin provim e Matematikës si dhe Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore. Për shtetasit shqiptarë, që përfshihen në këtë pikë, për provimet me zgjedhje, të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e Dëftesës/Diplomës shkollore, përcakton indeksin e shkollës, në referencë me tabelën e shkollave të mesme në Republikën e Shqipërisë. Ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe përcakton, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur, nëse provimet e dhëna janë të barasvlershme me provimet e Maturës Shtetërore, në Shqipëri. Këto të dhëna i përcillen AKP-së. Komisioni ia përcjell rezultatet e barasvlershmërisë, zyrtarisht KMSH-së, ku aplikanti ka vendbanimin/lejen e qëndrimit, deri në datën 5 maj 2013. KMSH-ja i përcjell këto të dhëna në AKP dhe përcakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet e Maturës dhe ku do të plotësojë formularët përkatës. KMSH-ja i dërgon KSHMSH-së të dhënat e kandidatit dhe rezultatet që ka përcaktuar Komisioni. Shtetasit që kanë kryer arsimin e mesëm dhe nga komisioni rezulton se nuk kanë asnjë detyrim për MSH-në, plotësojnë on-line formularin A1Z që AKP deri me datë 10 maj 2013. AKP-ja pajis çdo maturant/kandidat me numër regjistrimi (ID e Maturës), i cili është element i identifikimit të maturantit/kandidatit.

 -A do të ketë ndryshime thelbësore në testet e provimeve të Maturës Shtetërore?

-Normalisht që testet gjithmonë janë të ndryshme. Por ka një udhëzim të veçantë ku është përcaktuar numri i pyetjeve. Ku 25 pyetje do të jenë për provimet me detyrime dhe 20 pyetje do të jenë për provimet me zgjedhje. Nga 25 ushtrime për lëndët me detyrim, pyetjet do të jenë të ndara 13 me alternative dhe 12 pyetje janë me zhvillim. Dhe te provimet me zgjedhje ato janë të ndara në 10 pyetje me zhvillim dhe 10 pyetje me alternative. 50 pikë do të marrin në provimet me detyrim dhe 40 pikë do të jenë për provimet me zgjedhje.

 -Kur do të mbyllet plotësimi i Formularit A1?

-Në fund të kësaj jave do të mbyllet faza e aplikimit. Por mund të ju them që asnjë maturant nuk do të penalizohet për shkak të mospasjes së dokumenti të identifikimit, apo për shkaqe të tjera.

 -Është aplikuar për herë të parë aplikimi on-line për plotësimin e Formularit A1,  a janë hasur vështirësi për plotësimin e këtij formulari?

– Autoritetet e arsimit kanë shtyrë ndërkaq afatin e plotësimit të formularit A1 on-line. Shkak është bërë dhe moti i keq në zona të ndryshme të vendit, i cili ka sjellë probleme me internetin. Të gjithë të rinjtë që nuk e kanë plotësuar A1 on-line do ta plotësojnë atë  në mënyrë manuale. Kemi një problem të tillë siç është për shembull në komunën Shalë të Shkodrës ku nuk ka internet, rruga është e bllokuar dhe kemi dhënë porosi që maturantët do t’i plotësojnë dorazi formularët A1. Ta dërgojnë në Shkodër, jo me makinë, por me kushte të tjera. Të aplikojnë në një shkollë të Shkodrës dhe më pas aplikimi do të bëhet on-line. Aktualisht sipas të dhënave nga zyrtarët e arsimit deri tani e kanë plotësuar A1 rreth 24 mijë të rinj, ndërkohë që kjo shifër pritet të jetë më e lartë në ditët në vijim.

Zhurmues për provimet e Maturës Shtetërore në 210 shkolla

Janë plot 210 shkolla të mesme të vendit që do të pajisen me aparatura që bllokojnë telefonat gjatë zhvillimit të provimit të maturës. Për pajisjen me zhurmues  gjatë dy ditëve në vazhdim do të zhvillohet tenderi për blerjen e këtyre aparaturave, të cilat kanë një kosto të lartë financiare. Kanë një vlerë të konsiderueshme financiare. Pajisja e gjithë mjediseve, e 210 shkollave, dhe çdo shkollë ka jo më pak se 10 mjedise, ku zhvillohet provimi. Çdo klasë apo çdo mjedis mund të dojë edhe më shumë se sa një pajisje, pasi ka mjedise të mëdha siç janë palestrat. Pra, është një numër i konsiderueshëm aparaturash. Ministria do të jetë më e prerë në drejtim të masave.