Fatmir VEJSIU/ Mëkatet nuk kanë të sosur për arsimin

501
Sigal

U bëra sebep për të evidentuar një tjetër paaftësi të specialistëve të MAS. Para rreth një jave publikova një opinion në disa media lidhur me Udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014. Këtë Udhëzim, MAS nuk arriti ta publikojë në faqen e saj web, pasi u “bind” që kishte shumë defekte. Udhëzimi nr 10, datë 03.04.2014 “Për zhvillimin e provimeve të MSH 2014”, (i papublikuar) tashmë ka vlerë vetëm për datat e provimeve të MSH 2014, ndaj të cilave ajo qëndroi stoike dhe nuk i ndryshoi edhe pse motivimi ishte i pabazë.

MAS më 11.04.2014 ka nisur në të gjitha DAR/ZA me e-mail një sugjerim (ata e dinë se çfarë kanë dashur të thonë me këtë fjalë) për mbylljen e vitit shkollor për maturën.
Në këtë “sugjerim” (në fakt MAS, një muaj para provimit të parë të maturës duhet vetëm të urdhërojë dhe të udhëzojë) thuhet se shkolla për maturën mbyllet më datë 23 maj 2014, ndonëse në udhëzimin e mësipërm aludohej për datën 9 maj. Me sa shihet, ka reaguar pas kritikave që i bëra unë në opinionin e sipërcituar. Vërtet që i përgëzoj, edhe pse nuk kërkuan të konsultohen. Unë them se ata duhej të ishin konsultuar, për të mos rënë në gabime të rënda, madje më të rënda se sa ato që mbartte Udhëzimi nr 10.
Do t’i rendis disa nga ato, por jo të gjitha, sepse vërtetë kam dëshire për t’u bërë diçka më e mirë se sa në maturat e mëparshme e për të mos qenë formal si deri tani në Maturën 2014.
Në këtë “sugjerim”, në pikën (a) thuhet se nota vjetore në lëndën e gjuhës së huaj për maturantët të nxirret brenda datës 15 maj.
Nuk e kuptoj se kujt i ka shkuar mendja për këtë “risi” (në fakt duhet të thoja budallallëk, por nuk ma nxë goja këtë fjale). Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të sugjerohet dhe jo më të jepet urdhër, që notat vjetore nxirren pa përfunduar viti shkollor. Madje është quajtur shkelje, nëse kjo gjë ka ndodhur në ndonjë rast.
Në këtë sugjerim, në pikën (i), thuhet: “Ne provimin e detyruar të gjuhës së huaj të futen të gjithë maturantët e vitit mësimor 2013 – 2014 me kushtin që, nëse në përfundim të vitit mësimor do të rezultojnë mbetës, provimi nuk u njihet”.
Dy gabime të rënda logjike sipas kësaj pike:
a. Në provim do futen edhe ato maturantë që kanë rezultuar mbetës deri me datën 15 maj (pika “a” e email-it) Interpretimin mund ta bëjë kushdo. Kur mund të ndodhë kështu, perse detyrohen mësuesit të nxjerrin përfundimet brenda datës 15 maj?!
b. Maturantëve mund të ndodhë që të mos u njihet provimi. Të gjithë kanë dëgjuar se nuk njihet ose njihet rezultati i provimit. Nuk e di kuptimin e termit “mosnjohje e provimit”, sidomos në një dokument zyrtar
Sipas këtij email-i, maturantët që nuk do të vlerësohen kalues në përfundim të vitit, edhe pse janë vlerësuar kalues në provimin e gjuhës së huaj, rezultati nuk do t’i njihet.
Në Udhëzimin nr. 60 “Për zhvillimin e provimeve të Maturës 2014” dhe “Rregulloren e Maturës Shtetërore 2014” thuhet se kandidatët kanë të drejtë të mbartin provimet e dhëna më parë, ndërsa maturantët e maturës 2014 nuk paskan këtë të drejtë për rezultatin e provimit të gjuhës së huaj. Jam i bindur që është “novacion” i autorit të email-it. (gjithçka mund të mendosh se mund të ndodhë me maturantët e gjorë të MSH 2014).
Nuk e di se kujt mund t’i ketë shkuar ndërmend të jetë shprehur në këtë mënyrë, por unë sugjeroj (pasi unë nuk kam të drejtë të urdhëroj), që paragrafshkruajtësi (mos qoftë sygjerimshkruajtësi) nuk duhet të merret më me këtë punë. E di që askush në Shqipëri nuk e ka kurajën të japë dorëheqjen, por drejtuesit e MAS duhet të mbajnë qëndrim ndaj personave të papërgjegjshëm, që jo vetëm cenojnë imazhin e institucionit, nëpërmjet injorancës së tyre (nuk e kam fjalën për imazhin e sotëm, por të të gjithë ekzistencës së tij mbi 100 vjeçare), por po u bien në qafë një numri të konsiderueshëm maturantesh.

Përsëri për njerëzit e papërgjegjshëm që vegjetojnë në MAS
Pashë në web-in e MAS që ishte botuar “Rregullorja për procesin e organizimit dhe zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë (Provime të Lirimit) 2014”, e firmosur nga Ministri më datë 09.04.2014. (me nr 2481 Prot). Nuk e di se përse më shkuan sytë edhe tek një Urdhër me nr. 130, datë 09.04.2014 “Për miratimin e Rregullores “Për procedurat e organizimit dhe zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë (Provime të Lirimit) 2014” (me nr 2481/1 Prot)
Në urdhër flitet për procedura ndërsa në rregullore bëhet fjalë për proces. (Është për të ardhur keq) Janë dy dokumente që janë nxjerrë brenda të njëjtës ditë. Këto i quajnë produkte të punës së tyre edhe pse rregullorja është copy-paste e atyre të mëparshme. “Punë” e tyre (e papërgjegjshme) eshte vetëm “Urdhri”.
Unë nuk arrij ta kuptoj se përse duhet të dalë një urdhër i ministrit për miratimin e një regulloreje që është firmosur nga vetë ministri. Në nenin 25 të kësaj rregulloreje thuhet: “Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë dhe zbatohet për vitin shkollor 2013 – 2014”. Ky nen detyron të gjitha institucionet arsimore të zbatojnë këtë rregullore dhe nuk kërkon asnjë urdhër për miratim dhe zbatim.
Di që ka juristë në MAS, madje edhe sekretari i përgjithshëm i saj, si një nga firmëtarët e draftit, është jurist. Si ka mundësi qe u ka kaluar, jo deformimi nga procese ne procedura, por nxjerrja e një urdhri të panevojshëm dhe pa asnjë logjikë juridike?!
Kam thënë që do merrem edhe më tej me problemet e arsimit, jo thjesht për të mbrojtur dikë, apo për të sulmuar dikë tjetër. Arsimi është pjesë e rëndësishme e jetës sime, ndaj unë do të merrem me të, sa të mundem, pa asnjë kompromis dhe pa asnjë tendencë.