Fatmir Vejsiu: Keqtrajtimi i maturantëve

515
Sigal

Kisha vendosur të mos merrem me Maturën Shtetërore, që nga data 15 janar, kur vendosën që nuk duhet të isha më pjesë e MAS, por meraku nuk më la t’i bindem këtij vendimi.

Para dy muajve dolën koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Jo thjesht nga meraku, por edhe si anëtar i komitetit të Maturës Shtetërore (mundet që sot të quhem ish anëtar i saj), i hodha një sy tabelave dhe në disa raste u ndesha me përcaktime jashtë çdo kriteri, madje edhe jashtë çdo logjike. Për t’ju përmbajtur vendimit, i dërgova një e-mail ministres dhe zëvendëses së saj që merret me Maturën. Kërkova me insistim që të paktën të konfirmonin marrjen e këtij e-mail-i. Edhe sot e kësaj dite nuk e di nëse e kanë parë apo jo, atë qe u kam sugjeruar (ndonjë kureshtar mund të ma kërkojë dhe ia nis me shumë kënaqësi).
Isha i interesuar për shpalljen e datave të provimeve të MSH 2014. Më në fund një grup prej 5 vetësh të MAS dhe institucioneve të varësisë dhanë një konferencë për shtyp, teksti i të cilës u botua i plotë dhe me shumë gabime në faqen vveb të MAS.
U skandalizova kur e lexova, madje në ndonjë rast edhe u indinjova për atë se kush janë ato, që më zëvendësuan mua dhe disa kolegë të mi, që jemi marrë intensivisht me këtë problem.
“Sot deklaroj të mbyllur procesin e regjistrimit të Maturës Shtetërore”, – thuhet në atë deklaratë për shtyp.
I/E dashur lexues, nuk regjistrohet MSH, janë maturantët dhe kandidatët që regjistrohen. (Koncepti kandidat, nuk përmendet asnjëherë në esenë e përgatitur nga ato që e mbajnë veten si specialist të arsimit. Sa për t’u bindur, jo vetëm ju miqtë e mi, por edhe vete podiumi i MAS, nuk janë 51 255 maturantë, por maturantë dhe kandidatë së bashku. Dua t’i ndihmoj edhe pak: Sipas shifrave që unë disponoj, janë rreth 47.000 maturantë dhe të tjerët janë kandidatë).
Më poshtë lexohet: U aplikua në kohë, me cilësi dhe rezultat. Fjalë të “bukura” që nuk kanë asnjë kuptim. Që aplikimi është përmbushur në kohë, këtë e kuptojnë të gjithë, por çfarë kanë dashtë me thënë autorët me aplikimin cilësor dhe çfarë ndryshimi ka ai me atë rezultativ. Kë quajnë rezultat eseistët, atë që mbaroi në kohë. Po me cilësi, çfarë kanë parasysh ata?! Më vjen keq se njëri nga pjesëtaret e podiumit, ka qenë pjesë e Maturës 2013, pra ai e di që regjistrimi on-line i maturantëve/kandidatëve nuk është risi e kësaj mature, apo e këtyre eseistëve.

ISHA

Inspektorati Shtetëror i Arsimit na paska verifikuar ndër të tjera, që 88% e maturantëve kanë realizuar orët e konsultimeve, ndërsa 22% të tjerë ende nuk i kanë realizuar ato. Interesant, këta eseistët, nuk e dinë që 88% +22% = 110% dhe se të gjithë maturantët janë gjithsej 100%?! Vërtetë për të qeshur, edhe pse mua më vjen edhe për të qarë.
Pa kuptim ajo që përbën lajm shumë të mirë në ese: Lexuesi thotë se 97% e maturantëve kanë zgjedhur gjuhën e huaj të dytë si gjuhë alternative, pasi kjo hedh poshtë problematikat që paskan qenë shfaqur në momentin e parë përsa i përket gjuhës së parë që ishte lëndë detyruese (Ju lutem ma shpjegoni çfarë kane dashtë me thënë në këtë fjali!). Unë e di se kush e ka shkruar këtë paragraf (po të doni jua them edhe emrin), por nuk kuptoj se përse podiumi nuk e lexoi më parë e të korrektonte eseisten e vogël (jo nga mosha, por nga formimi). Krahas keqinterpretimit të shifrës që përdoret më sipër, në Udhëzimin nr. 60 nuk flitet gjëkundi për gjuhë të huaj të parë apo të dytë dhe eseistët nuk e dinë mesa duket se çfarë thotë ai udhëzim (nuk kanë faj se nuk kanë qenë pjesë e Komitetit të Maturës, ata që e hartuan atë nuk mund të ishin pjesë jo më e MAS, por as e MSH 2014).
Inspektorati Shtetëror i Arsimit, paska evidentuar që 90% e maturantëve kanë informacion mbi sistemin e kreditimeve. I bindur që ai që e ka shkruar këtë paragraf, nuk e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë. Të dashur lexues të esesë nuk bëhet fjalë për term financiar. Krediti është një parametër që përcakton ngarkesën vjetore të një lënde dhe që përdoret si një nga kriteret e përzgjedhjes së lëndëve me zgjedhje. Vetëm 10% e maturantëve nuk e njeh këtë “sistem” dhe që për eseistët kjo shifër tregon se informacioni është dhënë i qartë dhe i plotë (fjalë për fjalë siç është shkruar). Komentin mund ta bëjë çdokush nga lexuesit.

Datat e provimeve

Pas leximit ka një pyetje nga salla: A mund të dimë datat e provimeve? Kryetarja e KOMSH liston datat e provimeve të Maturës duke bërë një shpjegim jo bindës: Këto data janë përzgjedhur që të gjithë maturantët që do të garojnë edhe në universitetet e huaja, të mos penalizohen për nevojën që ato kanë për pritshmëri (ju kërkoj ndjesë për konstruktin e fjalive, por janë citime fjalë për fjalë të botuara në faqen vveb të MAS: vvvvvv.arsimi.gov.al, faqja kryesore).
Shikoj se mos në faqen e MAS është publikuar udhëzimi që përcakton, ndër të tjera edhe datat e provimeve, por nuk e gjeta. Më në fund mësova që në Udhëzimin nr 10, datë 03.04.2014 ishin përcaktuar datat dhe rregullat për zhvillimin e provimeve të MSH 2014.
Kemi të bëjmë me një mëkat ndaj maturantëve/kandidatëve. Ky udhëzim nuk merr në konsideratë, jo vetëm udhëzimin e hartuar nga ministri i mëparshëm (kjo nuk përbën ndonjë habi për askënd), por as rregulloren e miratuar nga ministri aktual, edhe pse ky udhëzim i “referohet” disa herë kësaj rregulloreje. Vetëm universitetet gjermane kanë si deadline për dorëzimin e dokumenteve datën 15 korrik.  Në vitet e kaluara kemi zhvilluar provimet me zgjedhje me datë 29 ose 30 qershor dhe askush nuk ka mbetur pa dërguar në kohë dokumentacionin përkatës. Për hir të një numri të kufizuar maturantësh i futemi në hak masës tjetër të maturantëve/kandidatëve.
Në Udhëzimin e fillimit të vitit 2013 – 2014 thuhet qartë se maturantët përfundojnë mësimet pas 34 javëve nga fillimi i vitit shkollor, që korrespondon me datën 31 maj 2014. Përgjithësisht javët e fundit janë parashikuar për të bërë përsëritje, kryesisht në lëndët që përbëjnë provimet e detyruara. Ata privohen nga kjo procedurë. Një e keqe tjetër vjen më pas. Koha në dispozicion për çdo provim kalon nga dy javë në një. (Kush thotë se ministria është pranë nxënësve, prindërve dhe mësuesve?!)
Më datën 10 maj shkollat duhet të dërgojnë në AKP listën e maturantëve mbetës, çka të le të kuptosh që mësimet do të mbarojnë maksimalisht më datën 9 maj. Maturat do të zhvillojnë 3 javë mësim më pak, pra 12 orë më pak letërsi, 12 orë më pak matematikë dhe12 orë më pak gjuhë të huaj (të shkretët maturantë).
Në Rregulloren e MSH 2014 thuhet:
Të gjitha provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim dhe në ditë të ndryshme;
Struktura e testit dhe kohëzgjatja e të gjitha provimeve të maturës është e njëjtë;
Asnjërës nga këto nuk i është përmbajtur Udhëzimi i datës 3 prill. Udhëzimi nr. 10, datë 03.04.2014 është një kopje e shëmtuar e Udhëzimit nr. 4, datë 21.02.2013. Ka ndodhur dhe herë të tjera që shkolla të ketë mbaruar një javë më parë (asnjëherë më shumë se sa një javë), por MASH (sot MAS) në këtë udhëzim ka përcaktuar datën e përfundimit të mësimeve dhe masat që marrin shkollat për realizimin sasior të programeve. Kam lënë edhe ca gjera për t’í postuar pas përfundimit të gjithë procesit të MSH 2014.