Fatmir Vejsiu: “Brenda 10 ditësh dalin rezultatet, çfarë duhet të kenë kujdes fituesit tek regjistrimi”

680
Sigal

ZYRTARE/Mbyllet faza e plotësimit të Formularit A2, për maturantët e maturës shtetërore

 Brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shtator maturantët do të mësojnë për degën që kanë fituar për të ndjekur vitin e ri akademik 2012-2013. Një fakt të ditur na e bën të ditur për “Telegraf”, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Sipas zotit Vejsiu me përfundimin e plotësimit të Formularit A2 bëhet llogaritja e listave dhe pikëve, më pas bëhet lista për çdo drejtim studimi dhe nga 10- ditëshi i parë i shtatorit pritet që të dalin të dhënat. Duke sqaruar procedurat zoti Vejsiu ka thënë se: “Ky është momenti i parë shumë i angarishëm dhe shumë i ngarkuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Më pas është një javë regjistrimi”.

Rëndësia e fazës së regjistrimit

Pas daljes së rezultateve për fituesit e shkollës së lartë, vjen një fazë tjetër që është mjaft e rëndësishme për maturantë që kanë fituar të drejtën e studimit në universitet publikë në Shqipëri. Një fazë mjaft e rëndësishme është edhe regjistrimi që duhet të kryejë çdo fitues. Mosregjistrimi në këtë fazë do të penalizonte fituesit për të mos pasur të drejtë për të. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës Fatmir Vejsiu, regjistrimi është shumë i rëndësishëm dhe asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternative e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Zoti Vejsiu ka sqaruar se: “Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia. Kështu që nëse maturanti ka bërë regjistrimin në alternativën që ka fituar fillimisht ka mundësi që më pas të ngjitet në alternativën tjetër. Por duhet të theksoj që kjo ngjitje mund të bëhet gjithmonë nëse maturanti është regjistruar fillimisht në degën që ka fituar në fillim dhe më pas mund të ndryshojnë degët”. Më tej zoti Vejsiu duke folur për rëndësinë e regjistrimit ka theksuar se: “Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Por ama nëse maturanti do të bëjë regjistrimin pasi të ketë lëvizje ai mund të arrijë në preferencën që do, pasi nga praktika e viteve të kaluara ka pasur ndryshime të preferencave të maturantëve”.

Rastet kur nuk është i vlefshëm formulari

Maturantët që kanë plotësuar Formularin A2, nuk duhet të kenë humbur mundësinë për të plotësuar të tëra preferencat, pasi në të kundërt kjo do të ishte një nga pikat që mund ta nxirrnin të pavlefshëm formularin. Në listën e programeve të studimit, nuk ka pasur më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjitha kutitë e tjera kanë qenë bosh. Në këtë mënyrë duhet të plotësoheshin të gjitha preferencat e shënuara. Gjatë plotësimit të Formularit A2, ishte e detyrueshme për çdo maturant që të mbushte të 10 kutitë e preferencave, përndryshe formulari do të quhet i pavlefshëm. Specialistët në lidhje me plotësimin e Formularit A2, janë shprehur se: “Në rastet kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të tabelës së preferencave (lart dhe djathtas) duhet të mbusheshin detyrimisht me shifrën 000. Ndërkohë që sipas një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës maturantët që pëlqenin degët me konkurs thuhej se: “Maturantët kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs si Arte, Sporte, Arkitekturë, FASTIP etj., dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre, këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës se përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë”.

 Përfundon plotësimi i Formularit A2, nga 30.000 mijë maturantë

Ditën e djeshme është mbyllur faza e plotësimi të Formularit A2, nga maturantët. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për “Telegraf”. Po sipas të njëjtave burime është bërë e ditur se rreth 30000 maturantë kanë plotësuar Formularin A2, dhe që presin të shpallen fitues për të ndjekur studimet për vitin e ri Akademik. Tani pas përfundimit të plotësimit të Formularit A2, do të fillojë përpunimi i të dhënave dhe më pas do të dalin emrat e fituesve që do të kenë të drejtën që të ndjekin studimet në universitet publike në Shqipëri. Përpunimi i të dhënave përkon me një fazë shumë të ngjeshur pune për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Përsa i përket shpalljes së rezultateve sipas informacioneve të marra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ato do të publikohen brenda 10 -ditëshit të parë të muajit shtator. Kjo periudhë kohore është e domosdoshme që të jetë në dispozicion, pasi ka një ngarkesë të madhe punë. Pas nxjerrjes së të dhënave dhe shpalljes së fituesve Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të nxjerri udhëzimet përkatëse për sa i përket regjistrimit, që është një fazë mjaft e rëndësishme dhe që maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm.

 Degët profesionale, hapen dhe 5 shkolla të reja

Interesi i të rinjve për të ndjekur shkollat profesionale në vend nga viti në vit është rritur dhe për këtë arsye këtë vit do të hapen dhe 5 shkolla të tjera të tilla. Drejtoresha e Arsimit profesional në Ministrinë e Arsimit, Dorina Rapti thotë se, interesi i madh bëri, që një vit më parë u detyruan, në këto shkolla, të përfshinin dhe sistemin me kohë të pjesshme, që të interesuarit të mund dhe të punonin. Rreth 500 të rinj u regjistruan vitin e shkuar për të ndjekur shkollat profesionale me kohë të pjesshme.”Këtë vit reforma kryesore ishte dhe hapja e programit part- time. Shumë të rinj apo të rritur nuk kanë mundësi për arsye subjektive, të vazhdojnë direkt pas arsimit bazë shkollën. Vitin e kaluar, rreth 500 të rinj u ofruan dhe morën shkollimin dhe u regjistruar dhe në shkollën me kohë të pjesshme”, tha Dorina Rapti, Drejtore e Arsimit Profesional, MASH. Rapti sqaron se për nxitjen e të rinjve për të zgjedhur shkollat profesionale është menduar, që jo vetëm ata të njihen me to nëpërmjet kurrikulës së shkollës 9-vjeçare. Por një pjesë prej tyre u jepen dhe bursa për të studiuar. “Në fakt në kurrikulën e arsimit 9-vjeçar por sidomos në klasat e nënta është futur lënda e re, moduli i ri  i edukimit për karrierë, i cili krijon mundësi nxënësve dhe klasave të nënta për të njohur profesionet, për të njohur mundësitë që ofrohen për kualifikim, për të lidhur shkollën e mesme profesionale me shkollën 9-vjeçare. Është një modul që është pritur mirë nga nxënësit. Gjithashtu, për të mbështetur nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, Ministria e Arsimit i ka mbështetur me bursa”, thotë Rapti. Kushtet për të fituar bursë sipas Raptit janë jo vetëm nxënësit, që vijnë nga radhët e familjeve të varfra, por dhe ata që zgjedhin degë, të cilat nuk preferohen, edhe se në tregun e punës janë të nevojshme.