Falsifikuan regjistrat, i gradojnë drejtorë

771
Sigal


Drejtori i ZA-së Librazhd, z. Arben Faqolli ngre në detyrë shkelësit e ligjit për arsimin

Tronditet nga themeli arsimi parauniversitar në Shqipëri. Pas skandalit, tashmë të njohur nga të gjithë, të drejtores së Zyrës Arsimore në Lushnje, gazeta “Telegraf” zbardh skandalin e radhës në arsimin parauniversitar në vend. Është ZA Librazhd, me drejtues z. Arben Faqolli, një tjetër rast flagrant i emërimeve nepotike e militanteske për postet e drejtuesve të shkollave. Mesa duket, është tretur në eter premtimi i famshëm i MAS për zhdukjen e militantizmit në arsim, para zhvillimit të “konkurseve” (proces ky i dështuar) për drejtues të DAR/ZA-ve në vend. “Ne do ta heqim militantizmin, do t’i kthehemi konkurseve dhe ndershmërisë e mbi këto kritere do të emërohen drejtorët e rinj të drejtorive”, është shprehur në atë kohë zëdhënësi i MAS, Gjergj Hamiti. Sipas zëdhënësit të MAS, kjo situatë do të merrte fund njëherë e mirë, duke nisur që nga ditët e para të nëntorit, kur në zyra do të uleshin drejtorët e rinj që do të zgjidheshin nga “ndershmëria e konkurseve”. Porse e gjithë kjo puna e konkurseve dhe e ndershmërisë rezultoi një flluskë sapuni dhe sot e kësaj dite rezulton një sistem arsimor më i korruptuar se kurrë. Në sistemin tonë arsimor kemi drejtues të DAR/ZA-ve (për profesionalizmin e të cilëve dyshohet, falë zhvillimeve të fundit), që në këmbim të parave apo me urdhër të partisë nga vijnë, emërojnë militantë, të paaftë dhe shkelës të ligjit si drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare.

Emërimet skandaloze të drejtorit të ZA Librazhd

I tillë është rasti i drejtorit të ZA-së Librazhd, z. Arben Faqolli, i cili ka emëruar si drejtor të Gjimnazit të Orenjës, z. Elez Skenderi, i shkarkuar në vitin 2007 për shkelje të rënda në zbatimin e ligjeve dhe akteve ligjore në fuqi për transferimin, regjistrimin dhe marrjen në provim të nxënësve; për shkelje të Dispozitave Normative (DN) për kalimin e nxënësve nga një klasë në tjetërn; për shkelje në zbatim të DN lidhur me mungesat pa arsye të nxënësve.

Gjithashtu z. Faqolli ka emëruar drejtor të gjimnazit të Polisit, z. Ali Roci, i cili gjatë kohës që punonte si mësues në Gjimnazin e Orenjës ka marrë masën “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për falsifikim të procesverbalit të provimit.

Shkelës të ligjit dhe falsifikatorë drejtojnë sot shkollat tona, duke futur në krizë mbarë sistemin tonë arsimor. “Telegraf” disponon raportin e inspektimit të DAR Elbasan, ku shpjegohen qartë abuzimet dhe shkeljet e z. Skënderi dhe z. Roci, të përjashtuar nga arsimi në 2007, por të rikthyer më të fuqishëm se kurrë si drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare dhe të lirë për të kryer veprimtarinë e tyre si shkelës të legjislacionit për arsimin.

RAPORTI I INSPEKTIMIT TË GJIMNAZIT TË ORENJËS NGA DAR ELBASAN

Duke u nisur nga ankesat e mësuesit të lëndës Letërsi në gjimnazin e Orenjës, z. Lutfi Baboçi, MASH urdhëron DAR Elbasan të kryejë një inspektim për punën e bërë nga drejtoria e shkollës në drejtim të zbatimit me korrektesë të urdhrave dhe udhëzimeve të ardhura nga MASH, lidhur me regjistrimin dhe pranimet e nxënësve në arsimin e mesëm; të marrjes në provim të nxënësve në sesionin e dytë të viti shkollor 2006-2007; të zbatimit të DN për kalimin dhe mbetjen e nxënësve; plotësimin e amzave të shkollës si dhe të zbatimit të urdhrave të emërimit të kuadrit mësimor në shkollë.

Inspektimi

Ekipi i inspektimit të DAR Elbasan në datën 3 dhjetor 2007 inspektuan shkollën e mesme të bashkuar Orenjë në drejtim të: Plotësimit të amzave të shkollës, si dokumenti bazë i shkollës; Të rregullsisë dhe zbatimit të Dispozitave Normative për shkollat e sistemit parauniversitar në plotësimin e regjistrave të shkollës së mesme për vitin shkollor 2006-2007 dhe 2007-2008; Zbatimi i ligjeve në fuqi për organizimin e provimeve të sesionit të dytë të viti shkollor 2007-2008.

Procesverbalet e provimeve të sesionit të dytë të këtij viti shkollor

Ekipi e vlerëson dobët punën e drejtorisë së shkollës, në drejtim të zbatimit të DN, lidhur me pranimet, marrjen në provim të nxënësve si dhe kalimin ose mbetjen e tyre në klasë.

Këtë vlerësim, ekipi e mbështet në këto fakte:

1. Mësuesi i lëndës Letërsi, Lutfi Baboçi, në datë 30.08.2007, sipas datës së afishuar me vendim nr.1 të drejtorisë së shkollës, datë 25.08.2007, merr në riprovim 8 nxënës të vitit të dytë të shkollës së mesme nga 15 nxënës që ishin ngelës. Pra, 7 nxënës nuk u paraqitën në riprovim. Në datën 31 gusht drejtori e quan të pavlefshëm provimin dhe merr një vendim të dytë, ku cakton një datë tjetër për provimin. Sipas një procesverbali të mbajtur në datë 5 shtator pretendohet që nxënësit janë rimarrë në provim me një komision tjetër, që përbëhet nga drejtori i shkollës dhe mësuesi Ali Roçi.

Lidhur me këtë rimarrje të nxënësve në provim ka këto shkelje:

-Është shkelur DN, neni 22, pika 5, ku përcaktohet që komisioni duhet të jetë me 3 vetë dhe jo me 2, siç është vepruar në rastin në fjalë.

– Nga verifikimi me nxënësit që figuronin në procesverbal rezultoi se ato nuk kanë zhvilluar provim tjetër në datën që pretendon procesverbali i dytë, i hartuar nga drejtori i shkollës dhe mësuesi Ali Roci. Nxënësit pohojnë vetëm riprovimin me mësuesin e lëndës Lutfi Baboçi.

– Në momentin e inspektimit nga të 15 nxënësit që figurojnë në procesverbalin e dytë, 7 prej tyre janë të larguar jashtë shtetit.

2. Në vitin shkollor 2006-2007, një nxënës i vitit të parë të shkollës së mesme klasifikohet për në semestrin e dytë edhe pse ka gjithsej në regjistër 319 mungesa dhe në Informatikë nuk ka zhvilluar asnjë orë mësimi. Ndërsa në semestrin e dytë nxënësi është mbetës në 3 lëndë dhe është marrë në riprovim në sesionin e dytë vetëm në 2 lëndë dhe është shpallur kalues. Për këtë vit shkollor, nxënësi vazhdon me pa të drejtë në vitin e dytë. Në rastin në fjalë është shkelur DN, neni 22, pika 5 (me 3 lëndë mbetëse nxënësi përsërit klasën).

3. Regjistrohet një nxënës nga qyteti i Librazhdit në shkollën e mesme Orenjë me transferim edhe pse në lëndën e Informatikës ky nxënës nuk ka asnjë notë apo shënim tjetër.

4. Regjistrohet me transferim një nxënës nga Tirana më datë 9.2.2007, i cili në momentin e regjistrimit ka moshën 23 vjeç dhe me regjistrimin e tij në shkollë, veç të tjerash, është shkelur në mënyrë flagrante neni 11, pika 3 e DN.

5. Një tjetër nxënës vjen me transferim nga një shkollë e Tiranës në semestrin e dytë të vitit shkollor 2006-2007 dhe pasi kalon klasën largohet në Tiranë. Duket që pranimi i tij në këtë shkollë është abuziv.

6. Një nxënës regjistrohet gjatë vitit të dytë me transferim nga shkolla e mesme “Ibrahim Muça” Librazhd dhe në amëz nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë vitin e parë dhe vijimin deri në atë periudhë për vitin e dytë. Ky nxënës kalon klasën e dytë në Orenjë dhe transferohet në shkollën “Ismail qemali” në Tiranë, duke mbaruar atje vitin e tretë dhe vijuar një pjesë të vitit të katërt. Ky nxënës duke shkelur DN regjistrohet me transferim në shkollën Orenjë më datë 4 prill 2007. Për periudhën që ka vazhduar vitin e katërt në këtë shkollë nxënësi ka mbushur 68 mungesa pa arsye dhe nuk është përjashtuar nga shkolla.

Të gjitha këto shkelje kanë ardhur si rezultat i punës së dobët pa përgjegjësi dhe krejtësisht abuzive të drejtorit të shkollës z. Elez Skënderi si dhe të zv/drejtorit të kësaj shkolle. Kemi mendimin se me këto veprime abuzive janë bërë palë edhe një pjesë e mësuesve që japin mësim në klasat e shkollës së mesme.

Masa administrative

I kërkohet sektorit të burimeve njerëzore të ZA Librazhd që drejtori i shkollës së mesme të bashkuar Orenjë z. Elez Skënderi të marrë masën “lirim nga detyra” për:

– shkelje të rënda në zbatimin e ligjeve dhe akteve ligjore në fuqi për transferimin, regjistrimin dhe marrjen në provim të nxënësve.

-për shkelje të DN për kalimin e nxënësve nga një klasë në tjetrën.

-për shkelje në zbatim të DN lidhur me mungesat pa arsye të nxënësve.

2. Zv/drejtorit të shkollës t’i jepet masa “paralajmërim për lirim nga detyra” për neglizhencë e pajtueshmëri me këto shkelje.

3. Mësuesi Ali Roci të marrë masën “vërejtje me paralajmërim për puishim nga puna” për falsifikim të procesverbalit të provimit.

Nikolla: Në 6 dhjetor, testimi i aplikantëve për mësuesit

 Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi dje se testimi për 8095 aplikantët për mësues do të zhvillohet në 6 dhjetor, në të 12 qarqet e vendit në 29 qendra testimi.

“Mësues për Shqipërinë është nisma jonë e re në arsimin paraunivesitar dhe unë jam krenare që kësaj nisme, për 17 ditë nga dita e linçimit të portalit, i janë përgjigjur 8095 aplikantë. Janë 8095 aplikantë që do të ndryshojnë historinë që në gjetëm në arsim, pas një inspektimi të realizuar në çdo shkollë të vendit, ku rezultoi se ishin 1984 mësues pa arsim përkatës dhe 2065 jashtë profilit”, tha Nikolla. Ministrja shtoi se procesi i testimit do të përmbajë rregulla strikte sekretimi dhe mbikëqyrje nga MAS, ndërkohë ftoi të gjithë aplikantët që ende nuk kanë dorëzuar dosjet, t’i dorëzojnë ato pranë DAR. “Prej datës 28 Nëntor ka filluar puna e Komisionit të ngritur në MAS, në bashkëpunim dhe me DAR/ZA, i cili deri më datë 04 dhjetor, ka për detyrë verifikimin e dokumentacionit të aplikantëve për të parë përmbushjen e kritereve ligjore që do të mundësojnë kalimin për në fazën e dytë, fazën e testimit”, tha ministrja Nikolla duke shtuar se pas kësaj date, do të publikohet në portal lista e plotë e aplikantëve që do të futen në testim. Korrigjimi/vlerësimi i testeve do të bëhet i qendërzuar në Tiranë nga një komision mësuesish dhe ekspertësh të përzgjedhur nga MAS. Vlerësimi i testit do të jetë i sekretuar. Fituesi sipas rankimit zgjedh edhe shkollën në bazë të vendeve të lira që janë shpallur për çdo DAR/ZA. “Kjo dhe vetëm kjo listë publike do të jetë baza e çdo plotësimi të vendeve të lira në mësuesi edhe në vijim”, deklaroi Ministrja Lindita Nikolla.

Testi

Testi do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përbën 30 pikë të testit, nga totali me 70 pikë dhe do të ketë pyetje me përmbajtje nga formimi i përgjithshëm i mësuesit, (dokumentacioni), programi, drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe komunikimi dhe etika.

Ndërsa pjesa e dytë e testit përbën 40 pikë dhe përmban pyetje profesionale, lidhur me profilin shkencor sipas fushës.

Në mënyrë që aplikanti të jetë kalues, ai do të duhet të marrë më shumë se 50 % të pikëve për çdo pjesë.

Ledjana Saliu