Sigal

Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës është ndër më të kërkuarit. Madje, është dhe ndër të parët që shpalli listat me fituesit, që në datë 24 gusht.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule thotë se shpallja e fituesve u bë 4 orë pas nxjerrjes së të dhënave nga Qendra e Studimeve Arsimore.

“Kemi 1355 kuota pranimi, bashkë me filialin tonë në Sarandë. Nëse do të regjistroheshin që të gjithë, do të mbeteshin 380 vende bosh. Por, nga përsëritjet që kemi, atëherë do të liroheshin edhe 120 vende, pra menjëherë 500 vende të lira”, thekson Kule për Top Channel.

Fakulteti i Ekonomisë dhe filiali i tij në Sarandë u përballën me një fluks aplikimesh. “Ka 20 320 aplikime, 10 850 aplikantë”, bën të ditur Dekani i Fakultetit të Ekonomisë.

Ai njofton se studentët fitues duhet të paraqiten fizikisht në datat 30-31 gusht pranë sekretarisë së fakultetit me dokumentacionin përkatës. Kule cilëson se kjo është faza e parë 48-orëshe.