Emërohet Dekani i ri i Mjekësisë. Studentët në protestë pas pezullimit të Hysës

582
Sigal

Pajtim Lutaj është emëruar mesditën e djeshme si Dekani i ri i Fakultetit të Mjekësisë, pas pezullimit të Bajram Hysës nga ky post prej rektorit të Universitetit të Mjekësisë Ali Refatllari. Mirëpo, pezullimi i Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë ka çuar në reagime në radhët e studentëve. Një përfaqësi e tyre ka protestuar dje përpara fakultetit, duke shprehur pakënaqësinë e këtij vendimi, që, sipas tyre, e bën më konfuze situatën e lidhur me diplomimin e tyre. Urdhri i Rektorit Refatllari për pezullimin e dekanit Bajram Hysa është cilësuar prej tyre si i qëllimshëm, pasi sipas tyre dekani ka denoncuar një sërë problematikash në fakultet. Së fundi ai ka mbështetur studentët, të cilët lobuan kundër ligjit për arsimin e lartë. Studentët e cilësojnë pezullimin një luftë të hapur që Rektorati i ka shpallur Dekanatit. Sipas tyre, akuzat për shpërdorim fondesh vijnë në një kohë, kur ende nuk është lëvruar buxheti për bursat e studentëve. Studentët thanë se do të vazhdojnë protestat deri në qëndrimin që do të mbajnë institucionet e drejtësisë, nëse Dekani ka qenë i përfshirë në aferat korruptive.