“Emërimet e mësuesve, pse portali nuk ka bazë ligjore”

Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit, analizon për “Telegraf” gjendjen e sistemit, problemet e shkollave të larta, korrupsionin dhe presionet politike

Pas një eksperience disamujore në krye të Ministrisë së Arsimit, si e vlerësoni sot gjendjen e sistemit arsimor në Shqipëri?
“Ministria e Arsimit ka një shtrirje të gjerë dhe një impakt të madh social. Vëmendja e gjithë familjeve shqiptare është e drejtuar nga ajo. Shkollat janë institucionet më të rëndësishme të një vendi, arsimohen brezat, projektohet shoqëria e së nesërmes. Shkolla ndryshon shumë ngadalë, i përgjigjet ritmeve të zhvillimit të shoqërisë, por ndërhyrja në të duhet të jetë e kujdesshme dhe e mirëmenduar. Përdorimi për interesa të ngushta partiake dhe përdorimi politik është gabimi më i madh që po i bëhet shkollës, e cila ndikon drejtpërdrejtë tek nxënësit, studentët dhe familjet shqiptare. Sistemi ynë arsimor paraqet probleme serioze. Demagogjia dhe propaganda për kredo politike është dominuese. Paligjshmëria është institucionalizuar dhe kjo përbën rrezik për të ardhmen e arsimit. Nën petkun e reformës është dëmtuar Arsimi Parauniversitar dhe Institucionet e Arsimit të Lartë.

a) Në sistemin parauniversitar aplikimi i kurrikulës me kompetenca ka shkaktuar çoroditje tek mësuesit, nxënësit, prindërit. Para se të aplikohen modelet e huazuara kërkojnë përshtatjen me kushtet tona. Mësuesit ishin të panjohur me këtë kurrikul dhe të pa trajnuar, infrastruktura e shkollave dhe mungesa e bazës materiale nuk mundësonin aplikimin e këtij modeli. Dhe, ndodh ajo që është bërë lajtmotiv i këtyre viteve, deformimi i modeleve. Ky është dëmi që po i bëjmë shoqërisë që në gjenezë. Në një shoqëri të civilizuar, mësuesit duhet të kishin protestuar dhe të mos pranonin aplikimin e kësaj kurrikule saj. 

Një problematikë evidente në shkollat tona në kuadrin e gjithëpërfshirjes janë fëmijët me aftësi të kufizuar. Mbështetur në nenin 65 të ”Ligji Nr. 69/2012 Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë ” në të gjitha pikat e tij, nuk janë siguruar mësuesit mbështetës për këta fëmijë. Mbetemi në kuadrin e disa skenave të servirura si arritje, show televiziv që nuk e ndihmon këtë proces. Ky është një shqetësim i madh për familjet që kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e shkollës, përbën shqetësim për mësuesit, të cilët nuk janë trajnuar apo te jenë specialistë të fushës, duke i vendosur ato në situata të vështira, dhe jo rrallë me pasoja. Bazuar në udhëzimi nr.44, datë 16.10.2014 mbi “Disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e MASH nr. 21, datë 23.07.2010 për normat e punës mësimore-edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar” janë përcaktuar normat mësimore javore të mësuave për lëndë. Sipas këtij udhëzimi: “Puna e mësuesit kujdestar në shkollat e arsimit parauniversitar barasvlerësohet me dy orë mësimore në javë. Kur mësuesi është i ngarkuar me normë të plotë mësimore, këto orë paguhen si orë mbi ngarkesën mësimore”.
 
Mësuesit në Tiranë për vitin shkollor 2016-2017 kanë pasur orë mbi normën mësimore dhe nuk janë paguar. Kjo përbën një shqetësim serioz në shpërfilljen e ligjit me pasoja financiare. 

b) Arsimi i Lartë është në një moment shumë të vështirë. Ligji i Arsimit të Lartë ka hyrë në fuqi në 2015-n, duhej të kishin dalë aktet nënligjore për zbatueshmërinë e tij nëntë muaj pas hyrjes në fuqi, në mënyrë që universitetet të përmbushin detyrimet e tyre. Universitetet përballen me absurdin, nuk dinë si të veprojnë. Përgjegjësia është direkt e Ministrisë së Arsimit, e Ministrit. Ministria i ka pozicionuar institucionet e arsimit të lartë në stacion dhe nuk i lejon të vazhdojnë rrugën. Si rezultat i mungesës së akteve nënligjore, nxjerrja herë pas here e udhëzimeve krijon pështjellime, duke tejkaluar kompetencat e ministrisë me ndërhyrjen në disa procese. Pranimi në universitete me daljen e udhëzimit Nr 13. datë 22.07.2016 dhe udhëzimin Nr.15 datë 19.05.2017 janë një dëshmi e centralizmit të këtij procesi nga Ministra e Arsimit, duke mos lejuar universitetet të organizojnë dhe menaxhojnë vetë këtë proces të rëndësishëm, ashtu si e parashikon Ligji. Përdorimi i këtij procesi si përmirësim i përformancës së MAS, nëpërmjet ndryshimit të udhëzimeve jo në frymën e Ligjit të Arsimit të Lartë, dëmton rëndë ILA-të (Institucionet e Arsimit të Lartë) duke vënë në rrezik autonominë, rritjen dhe zhvillimin e tyre nëpërmjet konkurrencës që t’i përgjigjen ritmeve të zhvillimit të universiteteve simotra jashtë kufijve të Shqipërisë”.

Ka një debat të vazhdueshëm për shpenzimet që çdo qeveri bën për arsimin. Si e shikoni Shqipërinë në raport edhe me vendet e tjera? A duhet shtuar buxheti për arsimin?
“Financimi i arsimit bëhet nga fondet që vijnë nga buxheti qendror, buxheti lokal, por dhe nga të ardhura jo buxhetore, si komuniteti i prindërve apo tarifat e shërbimeve të ndryshme. Burimi kryesor i financimit është qeveria qendrore. Buxheti i arsimit nënkupton: së pari, financimin e arsimit bazë, të mesëm, universitar, fonde për shkencën dhe për sportin; së dyti shpenzime për pagat, kontribute përkatëse për sigurinë, bazë materiale si dhe investime kapitale për të gjitha instuticionet arsimore dhe administratën. Fondet nga buxheti i shtetit për arsimin janë ulur. Objektivat e vendosura për periudhën 2013-2017 për arritjen e fondeve të arsimit ndaj PBB (Produktit të Brendshëm Bruto) në niveli 5%, nuk u realizuan, mbetën në nivelin 3.4%. Buxheti për arsimin është shumë më i ulët, krahasuar me vendet e OECD-së. Financimi për fëmijë është 10 herë më i ulët krahasuar me vendet e tjera. Financimi për student është 1 mijë euro, krahasuar me 18 mijë euro për student në vendet e OECD-së. Buxheti i këtij viti, 2017, është ulur në 16 milionë euro më pak, janë ulur investimet për arsimin e lartë. Për herë të parë është rritur çmimi i librave për arsimin fillor mbi 10% dhe për herë të parë në indeksin e inflacionit, inflacioni në këtë sektor është në krye. Ndërkohë që janë rritur çmimet e librave dhe shërbimeve arsimore, kemi ulje të shpenzimeve buxhetore. Kështu, universiteti nuk financohet mjaftueshëm dhe shkurtimi i burimeve ka sjellë pasoja negative në institucionet e arsimit të lartë. Shteti financon pagat vetëm për 10 muaj për pedagogët. Fondet për kërkimin shkencor janë shumë të ulëta, 4-5 milionë USD, krahasuar me 40 milionë USD në vendet europiane . Bllokimi i qëllimshëm i shkallës doktoraturave në universitete publike, ka privuar atë nga burime të rëndësishme kërkimore njerëzore. Cilësia në arsim kërkon rritje të buxhetit të shtetit për një nga sektorët më të rëndësishëm të një vendi”.

Sa i përhapur është fenomeni i korrupsionit në sistemin arsimor?
“Korrupsioni është një fenomen evident në vendit tonë. Jetojmë në një vend të vogël dhe njihemi me njëri- tjetrin. Çdo ditë dëgjojmë afera nga më të ndryshmet, të cilat pasqyrohen dhe në media. Kështu që, ai është prezent dhe në sistemin arsimor. Në ministrinë e Arsimit arsyeja që si ministër bllokohesha dhe nuk më lejohej të futesha në procedura apo të kontrolloja lëvizjet në protokoll, në dyshime të bazuara, donin të më mbanin larg aferave, të cilat, tashmë, janë objekt i prokurorisë apo Kontrollit të Lartë të Shtetit. Uroj që organet përkatëse të shqyrtojnë dhe të vendosin drejtësinë për të gjitha rastet abuzive në zyrat e shtetit. Ka pasur raste të denoncuara për korrupsion për zyrtarë të ministrisë, në shkolla për mitmarrje nga mësues, pedagogë apo nga drejtues. Një fenomen që kërkon vëmendje të strukturave përkatëse, por dhe ndërgjegjësim të shoqërisë; ta denoncojë e mos bëhet pjesë”.

Kryeministri Rama është shprehur disa herë se emërimet në arsim bëhen në bazë të meritës. Sa ndikon politika në emërimet e drejtuesve në institucionet arsimore?
“Sa mirë do të ishte të bëheshin emërimet sipas meritës dhe të kishte vëmendje ndaj mësuesve profesionistë të vërtetë! Në mënyrë sporadike mund të ketë raste të emërimit për meritë, por kjo është një fasadë që politikës i pëlqen ta artikulojë duke e përdorur. Politika vendos për emërimin e drejtuesve të shkollave dhe drejtorëve të drejtorive arsimore. Në vitin 2013-të, pothuajse të gjithë drejtorët e shkollave u shkarkuan, nëndrejtorët me pahir u detyruan të jepnin dorëheqjen, nëse donin të ishin përsëri në arsim. Depersonalizimi i i punonjësve duke i kërcënuar me vendin e punës, kjo po ndodh dhe sot me administratën në Ministrinë e Arsimit. Kjo sigurisht dëmton shumë shkollën, misionin e saj. Në këto vite kemi dëgjuar shpesh të flitet për një portal për mësuesit, të cilin nuk ia dimë vlerën dhe se si funksion. Ajo që duhet të theksohet është deformimi i procesit të emërimit të mësuesve me emrin Portali “Mësues për Shqipërinë “ (term i huazuar nga një nismë në Itali për të punuar ku kishte nevojë vendi). Tashmë paligjshmëria në arsim është kthyer në normalitet. Cili është roli i këtij portali pa bazë ligjore që reklamohet si arritje? Në bazë të nenit 60 të ”Ligji Nr. 69/2012 Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim pas propozimit të kandidaturave. Përse duhet një portal kur ligji e ka të përcaktuar qartë? Komplikimi i proceseve drejt abuzivitetit; ky është realiteti i hidhur , tregues i problematikave që ka arsimi shqiptar”.

Sa ndikohen aktualisht mësuesit dhe personeli arsimor nga presionet politike? 
“Politika është ndikuese, duke i shndërruar në shumë raste mësuesit indiferentë nga frika e humbjes së vendit të punës. Në Ministrinë e Arsimit ishte një administratë e tërë në shërbim të interesave personale dhe partiakë. Administratë e gjunjëzuar, jo profesionale dhe nuk i shërben të gjithë shqiptarëve. Imagjinoni mësuesit në shkollë? Sigurisht, nuk guxojnë. Emërimet në shkolla bëhen sipas preferencave, një apo dy mësues zgjidhen nga i ashtuquajturi portal, dhe pjesa tjetër me kontribute partiake. Drejtuesit e shkollave janë të orientuar nga partia. Presioni politik është evident dhe duket i pashmangshëm”.

Në strukturën e re të qeverisë, Ministrisë së Arsimit i është shtuar edhe Rinia. Si e vlerësoni këtë zgjedhje të mazhorancës?
“Mësuar me dogma dhe slogane, ne trashëgojmë një kulturë të sistemeve diktatoriale ku demagogjia ngrihet në sistem për t’u bërë e besueshme. Komplikimi i termave, dhe në këtë rast dhe i drejtorive apo ministrive, është një çoroditje për të larguar vëmendjen nga problematikat që janë evidente. Ministria e Arsimit është ministria e fëmijëve, nxënësve e studentëve. A janë adoleshentët dhe studentët, rinia? Arsimi profesional u trumbetua si histori suksesi, pasi për kushtet tona ishte gabim që iu hoq Ministrisë së Arsimit, tani shkon tek një tjetër grupim ministrish, që nuk e dimë se si do t’i shkojë filli. Demagogji dhe fasadë, lëvizje të pastudiuara që sjellin dëmtim të këtyre hallkave arsimore, lëvizje çoroditëse në dëm të nxënësve dhe familjeve shqiptare. Rrënimi i arsimit është rrënimi i civilizimit. Çdo gjë është e qëllimshme. Fatkeqësisht, kjo po ndodh me politikat qeverisëse.”